Këtë 29 Nëntor (2023) në Shqipëri festohet 78-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtimi fashist. Prej 7 Prillit të vitit 1939 e deri më 29 Nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 Nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një territor, ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryeqendra historike e Veriut të saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire . Shkodra ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500 bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për bashkëpunëtorë të tjerë. Shkodra u çlirua më 29 Nëntor të vitit 1944, datë kjo, e cila shënon ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Kjo do të thotë se çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 është një ditë dhe datë historike. Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë. Lufta e ashpër kundër pushtuesve në malet, luginat, fshatrat, qytetet, në çdo pëllëmbë të territorit të Shqipërisë është një sakrificë e madhe, por edhe një frymëzim i madh. Antifashizmi, liria dhe vlerat demokratike qëndrojnë në themelet e Shqipërisë evropiane, një anëtare e denjë e NATO-s, kontribuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropë e në botë dhe promotore e zhvillimit, integrimit dhe bashkëpunimit në rajon. Kështu që si nip i mësuesit e partizanit të njohur tiranas, Ymer Lala dhe bir i partizanit trim tiranas, Daut Gjuzi, i bashkohem mirënjohjes e nderimit për dëshmorët, veteranët e Luftës, çlirimtarët e Shqipërisë. Urime dhe Gëzuar 29 Nëntorin, Çlirimin e Shqipërisë! Lavdi dëshmorëve të atdheut! E paçim përjetë Shqipërinë!
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë