Si çdo ditë, edhe sot, u mblodhëm për të pirë kafen së bashku. Vazhdimisht jam i pari që shkoj e ulem në karrige. Jo se kam frikë se do t’më zënë karrigen. Edhe po e zuri ndonjë nga shokët,nuk bëhet qameti. Të rrijë me shëndet e i bëftë mirë kafeja,sepse nuk ndikohemi nga partitë politike, kur disa, edhe pse shokë, vriten për karrigen e kryetarit. Madje ata për karrige jo që nuk pyesin se janë shokë,por fillojnë e tregojnë të bërat e të pa bërat ndaj njëri-tjetrit. Madje për të bërë bullzmin kundërshtarit e fillojnë nga stërgjyshi e deri tek babai. Nuk lënë jashtë gjyshen edhe nënën. Nejse! Më falni se u zgjata shumë,por sot isha unë ai që vajta me vonesë.
I përshëndeta si zakonisht.
– Hë mo, si u ka xhaxhai? Asnjëri s’më ktheu përgjigje. E dini përse?
Secili kishte vendosur një letër mbi tavolinë dhe mbanin stilolapsin në dorë. Bënin llogari sa autobus kishte mobilizuar Rama për të çuar administratën në Athinë ditën e takimit.
-Edhe mund të kenë vajtur- foli Skraparlliu,- por jo e gjithë administrata.
– Ore, je në vete apo jo?! E tha vet deputetja e opozitës- ulurinte me të madhe Myzeqari edhe pse e mbajmë shokun më të urtë. – E gjithë administrata po të them! E dëgjova me këta vesh.
Zonjës deputete nuk i kishte bërë përshtypje ai entuziazëm i emigrantëve,fjalimi i Kryeministrit,por sepse na paska shkuar e gjithë administrata nga Veriu në Jug. Asnjë emigrant,ore,asnjë, as për numër kur i thonë.
– Kjo s’është e vërtetë që s’kishte emigrant dhe u tregova videon në të cilën dukej nipi im me bashkëshorten, madje edhe duke kërcyer.
Skraparlliu llogariste se kishin shkuar 100 autobus.
-Je i dobët në matematikë – i thashë unë,që më quajnë gjysmë myzeqar e gjysmë skraparlli,por dhe gjysmë ekonomist.
Administrata sipas statistikave në vitin 2022 kishte 180 mijë punonjës. Tani në 2024 mund të jenë 200 mijë. Merrni stilolapsat dhe pjestoni 200 mijën me 50 vende që merr autobusi. Hë, a u dalin 4000 mijë? 3/4 e administratës kanë udhëtuar me vetura,ndërsa 1/4 me autobus. Sipas llogarisë 50 mijë kanë udhëtuar me autobus. Rama mobilizoi 1000 autobus.
– Po. Ӗshtë e saktë!- ndërhyri menjëherë dhe i vendosur Tepelenasi. – 500 autobus i kam numëruar vet. U ngrita aty nga ora 2 pas mesnate dhe pash drita tutje në xhade. Hajde,o babam, hajde ! Dukej xhadeja si një rrugicë e gjerë, e gjatë – e gjatë me ngjyrë si të verdhë.
– Autostradë thuaj, jo xhade! Të ka lënë sistemi i kaluar mbrapa- ndërhyri po shoku tjetër nga Tepelena.
-Emo,mirë! Autostrada. I pash, se shtëpinë e kam në kala dhe shikimi shkon deri tutje andej nga Fieri. Deri në 500 i numërova, pastaj i lash se u lodha. Po 500 i numërova tamam.
– Greqia iku. Më 26 maj kemi Italinë…
-Më 15 Qershor do ndeshemi me Italinë e jo më 26…
– Po jo,mor derdimen! E di që takimi Shqipëri – Itali është më 15 qershor 2024 për kampionatin Evropian. Nuk jam pa mend unë.
Ishte Skraparlliu tjetër,i cili në kohën e “diktatorit” ka qenë me detyrë të lartë.
-Halli është se si do të udhëtojë administrata në takimin e Ramës me emigrantet e Italisë?
– Dje isha në udhëtim me mikun tim,me Kryetarin e Bashkisë të njërës nga shtatë bashkitë, që ka fituar opozita,- po sqaronte Myzeqari tjetër,i cili s’kishte hapur gojën deri në këto çaste. Ra heshtja. Të gjithë ne, tetë kafexhinjtë,i drejtuam sy e vesh nga ai.
– Ai po tregonte dhe ishte i bindur në zbulimin që kishte bërë opozita – vazhdoi Myzeqari. – Janë porositur 20 avion dhe 10 tragete. Avionët do të fluturojnë pa ndërprerje gjithë natën, ndërsa tragetet do kryejnë nga dy rrugë.
Sipas llogarisë janë të mjaftueshëm. Është e vërtetë se stadiumi në Milano është më i madh se ai i Greqisë,por shkuarja e administratës do ta mbushi.
Të gjithë e hoqëm këtë merak. Paguam kafet dhe ikëm me mendje të mbledhur, por nuk e dimë nëse opozita e ka mendjen të mbledhur, apo po bënë llogarinë e ndonjë zbulimi tjetër. U daltë për mbarë! Të shohim! Erdhi 26 maj…