Shtyllat kryesore që e dallojnë dhe i ruajnë identitetin një kombi janë pa dyshim; gjuha flamuri ,atdheu, kultura dhe tradita . Në këto drejtime ne,shqiptarët, kemi me se të mburremi e të krenohemi. Historikisht jemi një nga kombet më të vjetra jo vetëm në Ballkan e Europë , por edhe në botë. Vitalitetin e të qënurit shqiptarë e kemi treguar në thellësitë e kohërave, atëhere kur kombet e tjera endeshin rrugëve të Europës, të Azisë dhe Ballkanit për të gjetur një copë vend ku të strehoheshin e të futnin kokën. Këtë vitalitet e kemi treguar duke ruajtur me fanatizëm e qëndrueshmëri të paparë ekzistencën dhe qenien tonë. Valët e pushtimeve të huaja erdhën radhë -radhë në trojet e stërlashta të të parëve tanë . Ranë për këto troje e derdhën gjak breza të tërë shqiptarësh. Me mijëra e mijëra janë bëmat, heroizmat dhe trimëritë e tyre. Ato janë përjetësuar në këngët,rapsoditë, legjendat, eposet dhe historitë e shkruara e të pashkruara, të mbartura ndër brezat dhe kombi shqiptar mbijetoi. Ai ruajti si visare të paçmuara pikërisht ato që e bëjnë edhe sot e kësaj dite një nga kombet më të vjetra e mjaft të njohura në botë.
Gjuha e bukur shqipe është një ndër këto vlera që vazhdon të ruhet e të përcillet, të trashëgohet ndër brezni me fanatizëm e me një shenjtëri të veçantë nga cilado familje shqiptare në çdo pëllëmbë vend,kudo ku jetojnë shqiptarët. Për të kanë shkruar e kanë folur me krenari e nderim të veçantë poetët tanë të mëdhenj kombëtarë, Asaj i ka kënduar Naimi në vargjet:
” Gjuha jonë, sa e mirë,
sa e ëmbël, sa e dlirë…..”
I kënduan edhe poetët tanë të Veriut: Mjeda, Shiroka, Fishta. Citojmë këtu disa vargje të Mjedë nga poezia ” Gjuha shqype “:
” Përmbi za që lëshon bylbyli,
gjuha shqype m’ shungullon.
Përmbi erë që ep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushëllon.”
E kështu mund të renditim me qindra e mijëra vargje ,kushtuar gjuhës se bukur shqipe, por ato kurrë nuk do të mjaftonin për të shprehur e për t’i dhënë bukurinë, ëmbëlsinë,dëlirësinë e ngrohtësinë kësaj gjuhe të bekuar nga perënditë ,siç e ka etiketuar edhe Fishta.
Gjatë shekujve shqiptarëve u është dashur të largohen nga trojet e të parëve për shumë arsye. Ata janë munduar t’i shpëtojnë regjimit shumëshekullor otoman, për të ruajtur gjuhën , kulturën,identitetin, besimin fetar ,por edhe për të mbijetuar ekonomikisht .
Shqiptarët e ngujuar në Itali, qysh nga shekulli
XV, vazhdojnë të ruajnë e t’u përcjellin brezave, si trashëgimin më të çmuar me fanatizëm gjuhën e lashtë shqipe, doket, zakonet, veshjet, këngët e vallet e bukura të dheut të të parëve,traditat që aq bukur i përcjellin edhe sot e kësaj dite nëpërmjet krijuesve të letërsisë arbëreshe, në krijimet artistike e folklorike.
Dhémbja, dashuria dhe dëshira për atdheun e lashtë të të parëve atyre nuk do t’u shuhet kurrë. Le të citojmë disa vargje nga një poezi e Zef Serembes,titulluar ” Rrutullup “
“Arbri, që prapa detit na kujton,
Se na të huaj jemi mbi këtë dhe,
Sa vjet shkuan e zemra s’harron,
Se turku na la pa mëmëdhe. “
Është kjo dhembje dhe dashuri e pa treguar që i ka bërë ata të të ruajnë e të trashëgojnë edhe pas 6 shekujsh gjuhën e bukur shqipe.
Por jo vetëm këtu, po ku do ku ka pasur ngujime e koloni të hershme shqiptarësh në mërgim,vazhdojnë të ruhen ende të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare .
Pse po i përmendim të gjitha këto?
Duke u kërkuar të falur lexuesve të këtij shkrimi deshëm të bëjmë një retrospektivë (kthim prapa) për të dalë në një problem që, sa po vjen e po rëndohet më shumë me kalimin e këtyre 30 viteve të kohës se demokracisë. Ç’ ka ndodhur e po ndodh me gjuhën e sotme shqipe ?
Është fakt se gjatë kësaj periudhe kohore, postkomuniste shqiptarët,me hapjen e kufijve , u dyndën për nevoja ekonomike në shumë vende të Europës Perëndimore, kryesisht ,në Greqi, Itali, por edhe më tutje, në Gjermani, Francë, Angli, Vendet Skandinave, Amerikë ,Kanada e deri në Australinë e largët.. Bashkë me ta shkuan edhe familjet e tyre, gratë, fëmijët edhe prindërit , Këto familje tashmë që përbëjnë, gati gjysmën e popullsisë,nuk shkuan për turizëm, për qejf ,ato shkuan që të sigurojnë bukën e gojës , për të mbajtur e ushqyer fëmijët dhe familjet e tyre dhe për një jetë më të mirë.
Shqiptarëve emigrantë u duhet të punojnë në kushte tepër të rënda, me dhe pa orar, deri edhe 12 orë në ditë për të mbajtur familjet . Në shumicën e kohës atyre u duhet të jetojnë e punojnë larg familjeve të tyre. Ata vinin aty vetëm për të fjetur gjumë e për t’u ushqyer. . Po me fëmijë çfarë ndodhi e ndodh?
Ata fëmijë që janë larguar nga Shqipëria në moshë madhore dhe që e patën mësuar shqip deri diku, e ruajnë atë. E keqja më e madhe ndodh me fëmijët e lindur në këto vende. Shumë prindër, me pretekstin se nuk kanë kohë që të merren me fëmijë, më shumë edhe për faj të nënave nuk ua mësonin fare gjuhën shqipe. Kjo ka ndodhur e ndodh edhe për shkak të indiferentizmit, moskujdesjes,por por edhe për t’u integruar, sipas tyre, e për t’ u dukur modern.
Një arsye tjetër tepër e rëndësishme është mungesa e shkollave në gjuhë amtare në këto vende. A mund të japin një përgjigje autoritetet shqiptare, Ministria e Arsimit, Ministria e Jashtme se sa shkolla shqipe janë hapur e funksionojnë në këto vende ?
Cilat janë politikat e qeverisë shqiptare për të të ndihmuar në çeljen dhe mbarëvajtjen e shkollave shqipe në to? Me qindra e mijëra fëmijë shqiptarësh emigrantë nuk i kanë mundësitë për të ndjekur shkolla shqipe.
Ata mësojnë në shkolla greke, Italinë e të shumë vendeve të tjera. Mësojnë gjuhën e vendeve ku jetojnë e punojnë prindërit dhe familjet e tyre, marrin kulturën ,traditat dhe kulturën e këtyre vendeve. Po gjuhën e nënës kush dhe kur duhet ta mësojnë? Kush duhet të shqetësohet për këtë fatkeqësi të tmerrshme që po u ndodh? Ministria e Jashtme, Ministria e Arsimit apo dikush tjetër në piramidën shtetërore? Si mund të pretendosh se je shqiptar, kur nuk di as të shkruash as të flasësh gjuhën tënde të nënës? A ka përgjegjësi shteti shqiptar për gjysmën e popullsisë se vet që jeton jashtë atdheut?
Ku shkojmë kështu? Puna e një shteti , e dikastereve të tij nuk vlerësohet të shpërndajë disa abetare për fëmijët e emigrantëve.. Ajo kërkon plane,strategji ,marrëveshje ndërshtetërore e më tej.
Më ka ndodhur para disa vitesh një ngjarje që po e tregoj shkurtimisht, për ilustrim në këtë
shkrim Isha me pushime verore , me familjen time, në një plazh të vogël , në Radhimë të Vlorës. Pranë meje ishte një zonjë ,martuar me një italian. Në krahun tjetër ishte një grua shqiptare e divorcuar,me banim në Itali, me një vajzë të vogël 5-vjeçe. Vajzën e quanin Anxhela. E ëma një e dy e thërriste Anxhelën duke e këshilluar italisht. Në një moment vajzës i shkoi topi pranë çadrës së italianit. Ky i fundit kur vajza u ndodh pranë tij e pyeti për emrin dhe çfarë ishte, italiane apo shqiptare. Vajza, italisht , i thotë se ishte shqiptare. ” Mirë, – i thotë italiani, – më fol pak shqip. ” ” Nuk di, – i thotë vajza. ” ” Emri e ke italian. Për të folur flet vetëm italisht. Shqip nuk di. Ç’ shqiptare je ti? Edhe majmunët flasin gjuhën e tyre . “- tha italiani. Doja t’ i ktheja përgjigje por çfarë t’i thoshja? Më ka mbetur në mendje ironia e italianit . Shembuj të tillë ndesh me qindra në mjediset tona urbane. Ato i ndesh më dendur në periudhën e pushimeve verore,atëhere kur shumë familje emigrantësh vijnë me pushime . Shumë prindër , për të shitur mend e për të treguar se nga vijnë e ku jetojnë, u flasin fëmijëve ,tërë p……. në gjuhë të huaj. Mirë, more të uruar, nuk ju , del shkolla e shoqëria ,fëmijëve tuaj për të folur gjuhën e vendit ku jetoni ? Po gjuhën shqipe, kur duhet tua mësoni fëmijëve tuaj? Apo prisni t’ua mësojnë institucionet shqiptare në shtetin amë? A e kuptoni çfarë krimi po bëni për jetën dhe të ardhmen e tyre ? Çfarë dëmi të pa llogaritshëm po i bëni kombit tuaj?
Atë që pushtuesit e huaj e kisha greke nuk e bënë për 600 vite po e zhbëni ju për 30 vjet. Ku shkojmë kështu? Pse kjo mendjelehtësi? Pse ky majmunizëm? Të mësosh një gjuhë të huaj apo disa, është kulturë Të ruash gjuhën e nënës, është detyrim kombëtar e patriotik.
Pa dyshim, një shkak i këtij asimilimi e zhbërje je kombëtare në këto vende të huaja, është edhe qëndrimi indiferent i shtetit shqiptar, i qeverive shqiptare të djeshme e të sotme që kanë ardhur e ikur. A keni vënë re se sa të ndjeshëm kanë qenë shtetet fqinje me minoritet e tyre në Shqipëri ? Maqedonia ka ndjekur e ndjek me përparësi çeljen dhe vijimësinë e shkollave në gjuhën e sa në minoritetet e zonës së Prespës dhe Ohrit.
Serbia, para disa kohësh çoi ministrin e vetë në Libofshë të Fierit. Mali i Zi ndjek minoritetin e tij në liqenin e Shkodrës, Vrakë etj. Qeveria greke nuk ka lënë shkolla e kolegje pa hapur duke nisur nga Saranda, Gjirokastra,Tirana e më tej. Po qeveria jonë çfarë programi ndjek?
Duke filluar që nga ish- ministria jetëgjatë, Nikolla e deri te ministria e marr hua nga Kosova, çfarë kanë realizuar deri tani në çeljen e vazhdimësinë e shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve ? Çfarë ndihme kanë dhënë e japin ambasadat e konsullatat shqiptare në këto vende për të ndihmuar financiarisht mbarëvajtjen e këtyre shkollave? A duhet të kishte ligje të miratuara në Parlamenti Shqiptar për funksionimin e shkollave shqipe, sipas ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare në vendet e huaja?
Para disa kohësh ndiqja në një program televiziv një këngë nga Veriu i Shqipërisë. Kënga këndoheh e përcillej midis nënës dhe bijës. Titullohej “E ëmbël gjuha e nënës “. Kaq shumë më preku, sa nuk do të lija pa cituar disa vargje të saj :
” E ëmbël gjuha e nënës ,
Kur shqipja shungullon.
Na rrit me fjalët e zemrës,
Na mban gjallë kudo shkon. “
Do të thosha vargje lapidare. Është një mesazh i madh për qindra e mijëra nëna shqiptare kudo ku janë e ku jetojnë fëmijët e tyre në botë. Mos harroni kurrë gjuhën e nënës ! Emrat e sotëm të fëmijëve janë kthyer në Xhon. Henri,Tom , Ledio, Meri, Katrina,
Xhoji etj ,etj të marra hua nga artistë, këngëtarë, top- modele. Po mirë, more të uruar, po emra të bukur shqiptarë nuk ka? Fëmijëve ju vëmë emra të huaj ,për të mësuar ,nuk u mësojmë gjuhën amtare, u mësojmë vetëm gjuhën e huaj . Sa po vjen në të folur , në të shkruar, në terminologjinë e përditshme ,në gjuhën e politikanëvè, në emisionet radio- televizive, në gjuhën e mediave të shkruar dhe elektronike, derdhet një lumë i paparë i fjalëve dhe shprehjeve të huaja. Po dalin edhe studiues e gjuhëtarë e po botojnë libra të titulluar: ” Jo, purizmit në gjuhën shqipe “!
Ç’ po ndodh me ne? Ne po heqim dorë nga shtylla numër një e një kombi, nga gjuha shqipe. Intelektualët shqiptarë gjuhëtarët, akademikët, shkrimtarët,politikanët, gazetarët ,
para se të merren me fasada dukjeje,me deklarata të rreckosura, le të shikojnë e t’ i kthejnë sytë e vëmendjen e tyre nga gjëra e problematika madhore, siç është ky shqetësim që po ngremë.
Sot më tepër se kurrë, kur orekset asimiluese e copëtuese shoviniste, janë në kulmin e tyre, duhet t’i kthejmë sytë e të bëhemi shqiptarë të vërtetë . Të ruajmë si visarin më të çmuar që na kanë lënë të parët, gjuhën e bukur e të mrekullueshme shqipe,të bekuar nga Zoti.
Të ruajmë zakonet,traditat, kulturën e çdo gjë të shenjtë që na bën shqiptarë. Këto bëhen vetëm atëherë, kur të gjithë ne, pa dallim feje,krahine dhe bindje politike të kemi mbi gjithçka, Atdheun, Shqipërinë. Doja ta mbyllja këtë shkrim me amanetin e një atdhetari martir të gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovanit. Para se ta vrisnin, ai tha : ” Mua më vrisni , po gjakun ruajeni. Ai do t’u duhet për të shkruar gjuhën e bukur shqipe . …”.