Partia Demokratike, pjesa që drejtohet nga Berisha, e cila në fjalorin e përditshëm të politikës njihet si “Rithemelimi” ka kohë që është në kërkim të kryetarit pasardhës. Është në kërkim edhe pse kryetari është në timon dhe partinë e drejton duke qënë në ballkon. Një forcë politike me kryetarin në drejtim i zgjedhur nga vota e mbështetësve edhe pse në arrest shtëpie, gëzon të drejtën deri sa është në funksion dhe aktiv edhe pse nga ballkoni i katit të tetë, ku ka apartamentin dhe vuan izolimin, me sa duket gjykon të vërë në garë pretedentët për drejtimin e partisë për çdo rast. Në sprint, ose në betejë, është secili prej atyre që synon vendin e liderit, paçka se sillen si mbështetës të tij dhe i bëjnë lajka se janë me të deri në fund të jetës. E vërteta është se secili që pretendon kreun e partisë e mban ambicien në fre dhe nuk shpërthen për të nisur vrapin drejt majës për kryesimin e partisë për arsye të shumta, po kryesorja për t’iu shmangur furtunës goditëse që mund t’i vinë nga të gjitha krahët nga lartë, poshtë apo në të majtë e të djathtë. Pretendentët për t’i zënë vendin Berishës duan t’u shmangen rrebesheve që mund të lëshojë Zeusi nga maja e Olimpit, që në këtë rast është në krye të pallatit tetëkatësh. Në praktikat e shteteve me sistem mbretëror, mbreti fuqiplotë vendos pasardhësin, që natyrisht është patjetër njeri prej bijve të tij. Në Perandorinë Osmane pasardhësi përzgjidhej sipas dëshirës të padishahut dhe në të njejtën kohë vëllezërit e tjerë vriteshin për të mos kërcënuar fronin mbretëror. Në mbretëritë e moderuara edhe pse zgjedhja e pasardhësit nuk shoqërohet me eliminime, pasardhësi është i zgjedhuri i mbretit. Fjala e tij nuk diskutohet, propozimi vetëm zbatohet pa diskutim. Jo për paralelizëm, as për simbolikë apo krahasim po thjesht për përngjasim edhe zhurma që bëhet për pasardhësin në krye të “Rithemelimit”diskutohet të jetë e bija e Sali Berishs. Vetë Argita deklaroi se është duke e parë mundësinë për të hyrë në politikën aktive fuqishëm sepse e kërkon koha dhe lë të kuptohet se mund të zbresë në garën për të qenë në krye të partisë si kryetare e ardhëshme e saj. Në realitet, Berisha është ende në timon dhe dihet se pa tërheqjen dhe lejen e tij nuk mund të ketë rokadë pasi është ai që ka në dorë ndryshimin dhe vetëm prej tij mundësohet rotacioni në drejtimin e partisë. Deklarata e Argitës për të hyrë fuqishëm në politikën aktive ka trazuar fortë tërë ata që pretendojnë të kapin fronin dhe të ulen në timon për drejtimin e partisë. Janë disa rryma që kanë këto synime. Janë grupime të ndryshme. Brenda kësaj pjese të opozitës përsa i përket synimit të Argitës për të marrë drejtimin e partisë dominon përçarja. Një grupim jo i vogël as ndihet fare, duke menduar se mos prononcimi apo afishimi është mbrojtja më e mirë dhe qëndrimi më komod, është thuajse heshtje për të mos u deklaruar fare cilin mbështesin aq më pak të dërgojnë sinjale se janë pretendentë për të marrë partinë. Nesër në se pretendon se këtë mision e ndërmerr dikush prej pretendentëve, natyrisht pa lejen e kreut atëherë tërë shigjetat do bien mbi të. Dhe nuk është fare problem për ta gjuajtur në thembrën e Akilit për ta nxjerrë jashtë garës. Një grupim tjetër, është rreshtuar rreth Gazmend Bardhit, i cili ka pretendime dhe prej kohësh lufton me tërë energjitë që të jetë ai kryetari i ardhshëm. Si mbështetje për këtë synim për resurset që gëzon, po përdor betejën e tij disaveçare me mazhorancën, si ato të dukshmet edhe të padukshmet. Si me akuza dhe deklarata edhe me denoncime duke bërë të fortin. Pa përjashtuar paragjykimet më ekstreme ndaj kundërshtarëve politikë. E gjithë kjo betejë ka një qëllim. Të krijojë idenë tek mbështetësit dhe militantët se Bardhi është kryetari që duhet. I guximshëm po! Qëndrestar gjithashtu! Vizionar dhe largpamës. Është edhe një grupim që shfaqet si asnjëanës, abstenues. As me Bardhin, as me Argitën. Këta janë xhonglerët, të cilët nuk duan të lënë gjurmë as të pozicionohen. Thjesht janë në hije. Një grupim tjetër është i ndarë në pro dhe kundra ndaj pretendimeve të Argitës për të qënë trashëgimtarja e kryetarit Berisha, babait politikan. Disa janë kategorik kundër pretendimeve të saj për t’u bërë lidere e PD. Këtu zëri më i fortë ështe pretendenti aktiv që lufton prej kohësh për atë pozicion, Gazmend Bardhi, i cili e ka objektiv të vetin marrjen e partisë apo një figurë e njohur si Ferdinand Xhaferi, i cili është kategorikisht kundër Argitës në krye të partisë. Ai e dënon këtë postvendosje si jo demokratike apo me emërim nga paraardhësi, duke i vënë molotovët demokracisë. Po ka edhe një deputete që renditet edhe ajo në rreshtin e parë të mbështetësve me pretendimin se kështu shkatërrohet mazhoranca dhe shkohet në fitore. Për zonjën Albana Vokshi, Argita e meriton në se ajo fiton. Lodra fjalësh në dukje, po një simpati dhe dëshirë e papërmbajtur që me partinë e parë opozitare të Shqipërisë, sot pas 34 vjetësh demokraci të kthehemi përsëri tek përzgjedhja e pasardhësve nga familja. Deklarata e Argitës se mund të zbresë fuqishëm në garë për t’u zgjedhur në krye të PD është baras me eliminimin e tërë garuesve dhe promovimimin e njeriut të familjes sikur partia të ishte pronë e trashëgueshme, mjafton të dhurohet nga pronari që e zotëron me tapi këtë parti! Koha do flasë vet në se partia e Berishës do ketë në vitet që vijnë një dinjitar politik të fituar me anë të garës së ndershme e jo me emërim të një pasardhësi trashëgimtar që kapardiset si pronar. Deklaratat e Argitës për të zbritur në fushën e betejës zgjedhore ngjanjnë si topi i gjalmit lëshuar nga thurëset e trikove të leshit para një dyzinë tigrash në xhungël. Me moton zoti u
ndihmoftë dhe thirrjen me megafon: Kush është më i forti fitoftë!
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë