Këtë “Dodonën Plakë” e dëgjoj për herë të parë nga zoti Sami Dake nga Kolonja në ato që shpreh ai si opinion vetjak tek gazeta “SOT” e datës 21 qershor të këtij viti. E ka si një punë replike, ose ftesë për debat, që ka për objekt emrin tim për shkrimin rreth librit “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” me autor Kujtim Matelin, botuar nga kjo gazetë më 03 qershor të këtij viti. Nuk e ndalon kush dikë të të kërkojë replikë, ose të bëjë ftesë për debat, por nuk po arrij të kuptoj për çfarë lipset ky angazhim në këtë rast?E do që unë dhe Kujtimi të flasim domosdo për ato që shkruan zoti Sami, apo për ato që kam paraqitur unë? Se, nga sa thotë ai, atij nuk i paska ardhur mirë që ne nuk qenkemi kujtuar të flasim për “Dodonën Plakë” të Kamnikut në Kolonjë dhe studimin e studiuesin përkatës për këtë qëllim, ndërkohë që personalisht kisha dëgjuar emrin Kamnik, por asnjëherë emërtimin, “Dodona Plakë”! Pastaj, unë flas për vlerën e studimit të Kujtim Matelit, se ai studim më ka rënë në dorë të lexoj, dhe ka tjetër domethënie nga ajo çfarë ka paraqitur në shkrimin e 21 qershorit zoti Sami. Por fundja, mund të shkruaja edhe për atë, po të kisha njohuritë e duhura. Gjithësesi, dua, s’dua, do të përpiqem të them ca fjalë në vijim. I gjithë shkrimi i tij flet pikërisht për “Dodonën Plakë” që qenka gjetur në Kamnik, e cila sipas tij, “zë fill që 300 mijë vite më parë dhe e bërë e dukshme 50 mijë vite e këtej…”. Si shumë gjatë e shtrin ai në kohë ekzistencën e Dodonës, por kjo është çështje që mund ta dijë vetëm ai, me që flet për “Dodona Plaka”. Ndërsa ajo që njeh bota, e ka shumë më këtej kohën “e rrojtjes”. Megjithatë, hë për hë, mund t’i them zotit Sami: “aferim o mik, për zbulimin që ke bërë…dhe paç arritje të tjera!” Unë jo e jo, por as në katër librat e zotit Mateli për Dodonën, nuk kam parë që ai t’i referohet Dodonës “Plakë” ose “Nënë” që flet zoti Sami dhe as emrit të tij si studiues. Mesa duket nuk do jetë në dijeni të plotë, ose nuk ia mbush mendjen ai studim. Po fundja, çfarë rëndësie ka që unë e Kujtimi nuk jemi prononcuar me “zbulimet e Kamnikut”, kur ato, sikurse thotë Samiu, “i vlerësoka Akademia jonë e Shkencave”, e cila pritka “sa të piqet ngjarja”, thekson ai. Dhe unë do shtoja, ishalla del “e pjekur” e larg qoftë “e djegur”! Pastaj, për njerëzillëk dua të sqaroj se përderisa nuk kam ditur asgjë për zbulimin e zotit Sami, nuk kisha arsye të flisja. Kjo vete njëlloj sikur të them, po zoti Sami a është kujtuar të thotë ca fjalë solidariteti për studimin e zotit Mateli? Nuk besoj. Po për t’u njohur sadopak me një nga botimet e tij (sidomos me këtë të fundit), nuk e ka shtyrë sadopak kurioziteti qoftë dhe për reciprocitet? Nuk e di. Nëse dola me një shkrim për librin e Kujtimit, më ka bindur tematika dhe përmbajtja. Mirë ose keq, besohem ose jo, është punë tjetër. Nuk detyroj njeri të më thotë “amin”. Por dhe të hyj në debat kur nuk e ndjej, nuk e kam detyrim. Kësisoj, as unë nuk e ndaloj dot të heshti tjetri dhe as ia imponoj të flasë se dua unë. Atëhere, përse u dashkam të bëj debat me zotin Sami, kur unë nuk kam folur asnjë fjalë për çfarë pretendon ai? Në ço rast, gjërat e kanë një logjikë të pranueshme. Por sa shoh nga ajo çfarë ai shprehet në shkrim, zoti Sami nuk e paska shumë (për të mos thënë fare), idenë se ku rreh “çekani” i Kujtimit tek ajo që ka realizuar. Madje, jo aq shumë as për “Dodonën bijë” në Dëshnicë. Ndryshe, Samiu nuk do të thoshte: “ bëni shumë mirë që studioni Dodonat e reja…”. Ndërsa më poshtë thotë: “Pranojeni publikisht e shprehuni qartë studiues të Dodonës për kë Dodonë e kohë shkruani?”. Nuk e di ku e ka gjetur ai termin “Dodonat e reja” dhe ku e ka marrë nxitjen kur shprehet: “për kë Dodonë e kohë shkruani…?”. Se, në librat e zotit Mateli, nuk ka asnjë fjalë për “Dodona të reja” apo “Dodona të vjetra”. Ai flet vetëm për një Dodonë, atë që njeh zyrtarisht deri tani gjithë bota, që ka për autor grekun Karapanos, e konfirmuar në vitin 1878 dhe pretenduar në Carakovistë afër Janinës, që siç kam cituar në shkrimin e parë “e ka parë me sytë e tij edhe Ismail Qemali”. Nuk e them unë këtë, por Prof. M. Korkuti. Dhe autori në fjalë (K.Mateli), bie argumenta historike bazuar në thëniet e autorëve të lashtësisë, që gjetja e Karapanos, edhe pse ka marrë “pasaportën” identifikuese rreth 150 vite më parë, është thjesht një mashtrim, i pa bazuar në të vërteta. Pra, ky autor nuk merret as me Dodona plaka e as me Dodona bija, as me atë të Kamnikut e as me atë të Tomorrit, siç bën dikush prej lumit të Osumit. I ka rënë çështjes drejtpërdrejt duke e vënë në shtratin ballafaques: ç’ka gjetur e ka thënë Karapanos dhe grekët të tjerë për Dodonën e vetme që ka pasur bota (ia kam përmendur vendin) dhe ç’kanë thënë dhjetra historianë, gjeografë e të tjerë dijetarë për të, duke u nisur nga vendndodhja, etnia që përfaqëson, hyjnia që besohej në Dodonë, fiset pellazgo-ilire ku ajo gjendej, lumin dhe malin Tomar (dhe si ka evoluar ky emër duke përfunduar në Trebeshinë), lisat fërshfëritës, gjetjet e figurinave, hartat orientuese, mundësinë e të frekuentuarit të saj si faltore e kohës, etj. Madje edhe paraqitja fizike dhe veshje të dodonasve e ndonjë instrument muzikor i tyre. Të mos harrojmë dhe më themeloren, që autorët e antikitetit e kanë përcaktuar Dodonën si pjesë e fiseve mollose në Epir duke përjashtuar qënien e saj në Iliri. Kësisoj, edhe prirja e disave për t’i dhënë Dodonës një vend në majën e malit të Tomorrit ku gjendet Tyrbja bektashiane e Abas Aliut, apo dhe në maja malesh të tjera, nuk ngjit. Më e pakta gjë, mali i Tomorrit, është goxha larg kufirit gjer ku shtrihet Epiri! Pastaj, tempulli i Dodonës sipas autorëve të las
htësisë ishte i vizitueshëm në çdo kohë, ndërsa majat e maleve si ai i Tomorrit, nuk e plotësojnë këtë kusht. Kush dëshiron të njihet me këto argumenta, minimalisht le të njihet me librin e fundit të tij “Dodona dhe e vërteta mbi Epirin”, botim i recensuar nga 5 profesorë të nderuar të Shqipërisë e të Kosovës, të njohur si historianë, gjuhëtarë dhe etnografë, të cilët kanë bërë edhe vlerësimet e duhura pro autorit. Ky është edhe burimi kryesor ku e bazoja unë atë shkrim. Pastaj, a binden apo jo me ato çfarë thotë zoti Mateli dhe recezentët përkatës, është çështje shijesh individuale. Dhe kjo nuk ka të bëjë me atë që do të thotë dikush, se Kujtim Mateli e bje Dodonën në Dëshnicë se është vet nga ajo krahinë. Zor t’u shpëtonte kjo 5 reçezentëve, po të qe sadopak e vërtetë. Ai parashtron tezën se, lartësia ku gjendet Kalaja Ilire në shpat të malit të Trebeshinës, fare afër me lumenjtë Vjosa e Dëshnica dhe qytetin e Këlcyrës, apo dhe aspekte të tjera që citohen më sipër, plotësojnë kushtet e arsyeshme që po të gërmohet, Dodona e lashtësisë, e vetmja që njihet në planet, do t’i përkiste atij vendi. E ka tezë që duhet vërtetuar me gërmime. Por edhe në mos u vërtetoftë nesër aty, Kujtim Mateli ka mëse të vërtetuar që Dodona e Carakovitës në afërsi të Janinës, është “pagëzuar” gabimisht aty. Pra, nuk i përket atij vendi. Ka të argumentuar edhe etninë e saj pellazgo-ilire dhe që ajo është në tokë arbërore e jo helene. Mirëpo, më lipset ta them se zoti Dake, nuk merret fare me këtë çështje. I shkon për ane asaj çfarë synon zoti Mateli me studimin për Dodonën. Madje as që e zë në gojë “zbulimin” e Karapanos dhe të mbante një farë qëndrimi, në mos si studiues, të paktën si shqiptar, përderisa prej Karapanos mohohet qenia e Dodonës së lashtësisë në tokë arbërore si dhe etnia pellazgo-ilire e saj. Kjo gjë është më themelore sesa të harxhohet kohë se cila është “Dodonë Nënë”, dhe cila është “Dodonë Bijë”! Kësisoj, zotit Dake do t’i shkonte më mirë ta përgëzonte zotin Mateli për angazhimin, kurajon dhe argumentet që praqet, se sa të kërkonte debat “pse nuk flisni ju për Dodonën time”. “Plakën” e Kamnikut. Nuk e bën këtë (dhe fundja nuk ia kërkon kush domosdo), sepse nga çfarë kuptohet prej asaj çfarë ai paraqet, i gjithë preokupimi i tij është të mos “i xhigisij” kush Dodonën Plakë të Kamnikut, ta bëjë më të vlerësuarën atë mbi këtë dhè, madje Dodonë mbi Dodonat. Them kështu sepse ai është për “pluralizëm dodonash”: plaka, nëna, gra, bija, të vjetra e të reja (kot nuk ka thënë edhe “gjyshe”), dhe ajo që duhet “të mbretëroj” mbi to, të jetë “Dodona Nënë e Kamnikut”. Me një fjalë, zoti Sami Dake, ose e gjen me vend qenie e Dodonës që ka “zbuluar” Karapanos e pajtohet me mashtrimet e ti; ose nuk do që të përplaset me studimin e tij për shkaqet që mund t’i dijë ai, ose bie dakord me qenien e Dodonës atje, por pa cënuar “Dodonën Plakë” të Kamnikut. E gjitha kjo, vetëm e vetëm që të mos diskutohet “lidershipi” i asaj të Kamnikut. Të jetë ajo në krye. Nëse ende nuk ia ka dalë kësaj teze, uroj që u bëftë si dëshiron ai. Të mos ketë gajle për atë “bijën” e Dëshnicës. Ja këto kisha për të thënë në këtë rast, jo aq me dëshirë, por më shumë në respekt të zotit Sami, të cilin nuk e njoh, por jemi komshinj të mirë: Përmet e Kolonjë. (Tiranë, 24 qershor 2024.)