I madhi i pakthyeshëm profesor, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, Eqrem Çabej na ka lënë mësimin themel: “Gjuha shqipe është taban i tabanëve të kombit”. Kush cënon tabanin ka kthyer përmbys çatinë! Mirëpo tek ne shpesh e mira s’ka tavan, dhe e keqja,-edhe pse nuk ka taban, lind si krisnja në asfalt! Atë e ushqejnë njerëzit keqdashës, kundërshtarë dhe sidomos armiqtë e maskuar. Kjo luftë ka qenë dhe do të vazhdojë. Kjo nuk ka nevojë për argument tjetër. Në Shqipërinë e vogël është bërë shumë për ecurinë e mbrodhtë të gjuhës shqipe. Maja më e lartë e saj, pas vendosjes së alfabetit të njësuar, në vitin 1908, është Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972 sado të pëllasin disa pseudogjuhëtarë se ishte mashë e masë për politikën e asaj kohe. Njehsimi i gjuhës e sidomos i të shkruarit e fjalëve ashtu siç e ka drejtshkrimi i gjuhës shqipe është detyrim ligjor e jo diçka që mund ta bësh dhe s’mund ta bësh. Kontrolli i të shkruarit të fjalëve nëpër dyer dyqanesh, kapakë revistash, faqe gazetash, kopertina librash, posaçërisht i reklamave televizive dhe i shkrimeve të pafundme në internet e celular,e gjetiu, është i pamundur të bëhet vetëm nga shteti. Duhet angazhim tërësor por i detyruar e kontrolluar nga shteti Ky qerrata shtet, që tek ne nuk funksionon plotësisht, sidomos për sa i përket mbrojtjes së gjuhës shqipe,mund të bëjë diçka më të fortë. Ai duhet të godasë me gjoba të guximshme e të rënda deri në vlerën e biznesit, atë që keqshkruan një germë apo një fjalë të gjuhës sonë amtare kaq të bukur e aq shumë të stërlashtë. Personalisht kam vënë re në lexime në print e në ‘on line’, në reklama e në libra,revista e gazeta,madje edhe në jo pak dokumente zyrtare të organeve të qeverisjes, të organeve të drejtësisë, dhe posaçërisht të medias së përditshme, që sulmohen keqas shkronja “Ë” e pastaj shkronja “Ç”. Shembuj negativë dhe disa goditje të njëpasnjëshme ndaj gjuhës së shkruar shqipe, po shohim për ditë gjatë këtyre 35 vjetëve demek-demokraci ku të befta, ku të drejtpërdrejta. Ato, fatkeqësisht po shtohen. Më shumë shqetësim për të ardhmen e gjuhës dhe të të gjithë kombit shqiptar është shqipja e shkruar se sa shqipja e folur. Sepse e shkruara mbetet. Nuk mjaftojnë fuqia sunduese e termave dhe e të folurit anglisht,por edhe vetë disa segmente ligjore e qeveritare shqiptare po lejojnë deformime të gjuhës së shkruar shqipe. Kur them kështu kam parasysh se në të shkruar të fjalëve të llojeve të ndryshme kemi gabime trashanike me qëllim, pa qëllim, nga pakujdesia, nga paaftësia, padituria dhe nga dashakeqësia. Do të dëshironin që të ishin vetëm nga padituria, por nuk rezulton kështu. Ja le të sjellim ca shembuj konkretë:“ N’bash të venit”;“Si n’Përmet”; “ n’Kënaqsi”;“ n’Maj të ofertave”. Këto janë fare pak vetëm në Tiranë. Janë vetëm një përqind i atyre që afishohen realisht në metropolin tonë një milionësh. Si guxon dhe e zhduk shkronjën “ë” more i paudhë? Kush ta lejon këtë ty more njeri pa kulturë, kushdo qofsh!Në këto katër shembuj kemi zhdukjen e shkronjës “ë” pas shkronjës “n” por kemi edhe zhdukjen e ”ë” tek fjala kënaqësi pas shkronjës “q”. Shembulli i parë është fare për turp. Edhe fjala” vend” është pa shkronjën “d”.E pse duhet transformuar fjala ‘vend’ në ‘ven’? Dialekti, atje ku është, është vetëm në të folur. Është lënë krejt në mëshirë të -më falni për sinqeritetin- injorancës së ndonjë kalemxhiu apo biznesmeni ‘populist’ që ka dëgjuar se ka edhe folklor gjuha shqipe dhe lejon të afishohen emërtime të tilla anti-gjuhësore si më poshtë. Lexojmë diku një afishim me shkronja të mëdha e së largu të lexueshme” Petlla katuni, me t’hik truni”; diku gjetkë lexojmë:”Qofte ke daja”.Realisht këto duhen përkthyer në shqip,se shqip nuk mund t’i quajmë!Në rrugën e Kavajës në Tiranë gjejmë të shkruarën me germa druri “Sofra tironse”; Mbase është edhe ndonjë pijanec që ‘ merr shtatë e jep tetë e mbetet fare pa kuletë’, po nuk ka kusur gjuha që të vuajë e të bastardohet kaq rëndshëm në të shkruar! Dhe shkruhet aty ku do ta lexojnë me qindramijra kalimtarë apo edhe klientë!Një emision televiziv shpallte duke e recituar një tufë vargëzimesh tepër të bajatepsura kushtuar një personazhi real “Krifi ato vetlla, se m’ hiku petlla” etj. I ‘hanë’ gërmat sikur të ishin qofte apo patatina!Në këto demek vargje, ku sundon zhargoni, janë zhdukur shkronjat ‘u’, dy herë dhe një herë shkronja ’ë’. Është koha që ta themi, se ky lloj shteti i matufepsur pas parasë,ryshfetit, dallaveresh dhe poshtërsive të pamatshme me asnjë lloj njësie matëse, ia ka vënë shkelmin edhe gjuhës shqipe në këto lloj të shkruarash e të afishuarash nëpër rrugët e qyteteve. Madje po lejon që edhe emrat e qyteteve të ndërrojnë. Si ka mundësi që të arrihet deri atje sa të shkruhet ”Kafe Tirona” kur duhet shkruar shqip “Kafe Tirana” se i tërë rruzulli kryeqytetin shqiptar e njeh si Tiranë. Është absolutisht antiligjore që të keq shkruhen emrat e qendrave të banimit e sidomos qyteteve dhe posaçërisht kryeqytetit!Në këtë kapitalizëm fillestar shqiptar, lehtas vihet re,prirja e përditshme për të bastarduar copëza të gjuhës shqipe, për të kthyer në zhargon edhe atë më të bukurën, më të mirën. Dhe kjo bëhet haptazi me shkrim diku në media, shumëkund në terren në formë emërtimesh apo reklamash bajate, diku edhe në kanale televizive. Jo pak prej shfaqjeve të ditëve tona, qofshin teatrale, komike, dramatike apo tragjike qofshin edhe rutinë, kanë bastardime të shumta të gjuhës sonë të bukur shqipe. Dhe këto shëmtime, deformime, deviacione shoqërohen edhe me lakuriqësi trupash, veprime antimorale, gjeste të neveritshme dhe me përmbajtje sa kriminale aq kafshërore. Dikur, në rendin e diktaturës së proletariatit, apo e thënë ndryshe ‘në kohën e Enverit’ kishte regjizurë, kishte komisione ko
ntrolli, vlerësimi, miratimi të shfaqjeve e emisioneve, ku ndër të tjera kërkohej të përdorej gjuha zyrtare shqipe. Kishte edhe kërkesa ekstreme por ama kishte kontroll dhe asnjë nuk lejohej të cenonte qoftë edhe një gërmë gjuhën shqipe. Asnjë lloj emërtimi dyqani, i çfarëdolloji të ishte nuk shkruhej pa u miratuar nga shefi përkatës specialist i gjuhës shqipe. Kemi 35 vjet që nuk i shkon askush afër sektorit të ruajtjes dhe forcimit të gjuhës shqipe. Ku janë organet e shtetit dhe institucionet e specializuara për këtë qëllim? Kemi parë që edhe në Arabinë Saudite, për të ruajtur ritet fetare shteti ka ngritur policinë fetare. Nuk them që të kemi edhe ne ‘policinë gjuhësore’, por qeveria kaq e zellshme për të shpënë në Europë vendin tonë, duhet të ruajë së pari tabanin tonë kombëtar, gjuhën shqipe, me të gjitha format, mjetet, mënyrat dhe fondet. Kryetari i qeverisë, Edi Rama, duhet të marrë masa të guximshme e të shpejta, para se të japë llogari edhe për këtë dëm kaq të rëndë që i është shkaktuar gjuhës shqipe sidomos në këto vite të qeverisjes së tij, për neglizhencën lidhur me masat për të mbrojtur pasaportën e kombit, gjuhën shqipe.