Zhurma për kundërshtimin e marrëveshjes midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane dhe nënshkrimi i saj nga kryeministrja Meloni dhe Rama, nga foltoristët me në krye Berishën arriti kulmin kur u deklarua se shumë shpejt kundër saj do nisnin protestat më të fuqishme. U thurrën plane, u bënë programe, u programuan lëvizjet dhe mënyrat e kundërshtimit gati si një rreshtim anti italian. Pothuaj u krijua iluzioni, falë akuzave të fryra sikur këtu në Shqipëri, u hapën portat e shitjes së territoreve shqiptare dhe ju dhuruan copa toke shtetit fqinjë dhe mik strategjik të Shqipërisë, Italisë. Edhe pse nën zë prej oratorëve opozitarë u evidentua kontributi dhe ndihmesa e jashtëzakonshme e shtetit italian ndaj çdo qeveri, e djathtë apo e majtë e Italisë, u tha se i jemi borxhli, përsëri deklaratat kundër marrëveshjes u shumëfishuan dhe u paraqitën sikur ishte nënshkruar, jo ndihmesë për një zgjidhje minimaliste që në tërësinë e atyre që synojnë migrimin në Itali është gati një simbolikë, por sikur ishte nënshkruar kapitullimi dhe vendi i ishte dorëzuar në tavolinë një fuqie të madhe. Qëndrime të tilla ngjajnë si dy pika uji me betejën kundër koncesioneve të para Luftës së Dytë Botërore me naftën. Çfarë nuk dëgjuan shqiptarët si argumenta për ta paraqitur marrëveshjen nën dritën e abuzimit dhe shkeljes së kushtetutës dhe për t’i dhënë përmasa planetare edhe si shkelje flagrante të konventave ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. U ngritën në qiell anatemimet se: Qeveria shkeli Kushtetutën. Fali troje pa e patur këtë kompetencë. Shqipëria do përmbytet nga mijëra afrikanë, të cilët do shkatërrojnë racën e bardhë shqiptare. Dhe në media e rrjetet sociale u bënë insinuata se këtu kishte marrë fund sovraniteti dhe rendi kushtetues. Të gjithë foltoristët u vunë në garë, secili të gjente një epitet dhe një kauzë për të diskretituar këtë marrëveshje. Çfarë nuk u tha dhe deri ku arriti fantazia e denoncuesve në emër të kushtetutës. Deklarata nga më të rëndat dhe etiketime dhe përçmimet më të panjohura të fjalorit politik në marrëdhëniet ndërshtetërore. Zhurma kundër marrëveshjes sikur u fashit paksa kur zëvendëskryeministri i djathtë, pasardhës i Berlusconit, Tajoni, ia bëri të qartë Berishës se deklaratat e tij dhe mbështetësve kundër kësaj marrëveshje kapërcenin çdo kufi dhe binin ndesh me interesat e dy vendeve për t’iu gjendur njëri – tjetrit në nevojë. U duk se pati një stepje. Një tërheqje nga sulmuesit dhe agresiviteti sikur ra dhe zhurma u fashit disi. Po nuk do kalonte as një javë kur kori anti-marrëveshje nga Berisha dhe të tijët, nisi të aktivizohej me të njëjtin intensitet. Iluzioni se kauza anti marrëveshje ishte fashitur dhe kundërshtarët e saj ishin pozicionuar asnjëanës, parlamentarët opozitarë të grupimit Berisha- Bardhi pas një analize të “thellë”dhe të gjatë, vendosën t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë lëshuan kopaçe të parashikuara me protesta dhe iu drejtuan rrugës kushtetues. Kësaj i thonë, jo hoxhë Ali, po Ali Hoxhë. Në thelb asgjë nuk ndryshoi. Njëra formë beteje u zëvendësua me një tjetër. Në dukje ashpërsia u konvertua në butësi, po thelbi mbetet i njëjtë. Të gjithë foltoristët u rreshtuan kundër marrëveshjes, e cila për vetë rëndësinë që ka dhe mesazhin që transmeton nuk ka asgjë të përbashkët me shkelje të kushtetutës. Marrëveshja nuk është si ato të mbytjes së Shqipërisë me plehrat italiane, e cila më shumë se realitet ishte fantazi dhe u shfrytëzua po nga kjo opozitë për të denigruar mazhorancën e kohës me etiketimin e rëndë si mafia e plehrave. Apo si ajo e pranimit të lëndëve helmuese për t’u sjellë nga Iraku në Shqipëri për t’u demontuar me garanci nga SHBA. Marrëveshja për të akomoduar tre mijë emigrantë në një mjedis të sigurtë të mbyllur e të mbikëqyrur nuk është kundër kushtetutës as për qëllime fitimi. Kjo marrëveshje është një shkëmbim nderi dhe kthim borxhi ndaj Italisë që na ka qëndruar tërë kohëve të vështira pranë. Pikërisht për atë që përfaqëson Italia për Shqipërinë, opozita e djathtë shqiptare duhet të solidarizohej me marrëveshjen e vënies në dispozicion Gjadrin, ku do të trajtohen tre mijë emigrantë që lënë atdheun e tyre për një jetë më të mirë. Berisha dhe deputetët rreth tij në kërkim të kauzave pa përmbajtje, kërkojnë ta vënë marrëveshjen në qendër të betejës politike me mazhorancën. Realisht opozita shqiptare nuk ka nevojë për ndonjë kauzë shtesë. Ka dhjetëra problematika me të cilat të organizojnë protesta, dhe të kërkojnë komisione të godasin qeverinë dhe ta denigrojnë mazhorancën, duke kursyer marrëveshjen për emigrantët. Për një milionë arsye, opozita dhe Sali Berisha nuk kishte pse ta godiste këtë ujdi, e cila nuk shpëton Italinë dhe nuk i siguron ndonjë lavdi Ramës. Ajo që bën shumë përshtypje dhe të krijon tronditje shpirtërore dhe stres nervor në këtë sulm dhe hapin e opozitës drejt kushtetueses është mendësia e deputetëve berishistë dhe atyre bardhistë se: Mbrojmë integritetin e Shqipërisë. Ruajmë liritë e afrikanëve. Nuk shkelim Konventat. Racën e pastër shqiptare. Se sipas deputetëve antimarrveshje, PD e votojnë shqiptarët, jo italianët. Me këtë mentalitet deputetët e betejës kundër marrëveshjes Shqipëri- Itali për emigrantë në Gjadër i thotë të gjitha. E megjithatë kjo betejë nuk shton vota! Përkundrazi. Do i tkurrë edhe më shumë!
Çfarë po ndodh? “Braktisen” banorët e “BBV”, Mbeten pa fansa dhe pa kontrata reklamash
Ndryshe nga vitet e shkuara, “Big Brother” i vitit të fundit nuk po vazhdon ende të jetë në qendër të...
Lexo më shumë