Ky Gazment Bardhi, politikan si kërpudhë pas shiut, me tërë ato bëma të njohura jo të mira në kalërimin e tij në lëndinën plot gjemba e plumba të politikës, si, demek politikan, po flet shumë e për lumë dhe zaten të tillët nuk kanë ecuri të këndshme. Se gjella me kripë e kripa me karar! -thotë urtësia popullore. Duket qartazi se është kthyer në një zog që ka dalë nga vezë e paidentifikuar mirë!? Pa dashur të fyej kënd, por ai , me ato’ cicërimat’ e tij nëpër mikrofona tash e parë,i ngjan asaj që tregojnë për dy zogj deti,zogj që bëjnë folenë buzë shkëmbi. Ashtu siç flet Berisha nga ballkoni, buzë mbrëmjesh e buzë fundit të tij. Pasi kryen punë si mbjellës i farës, mashkulli zog-deti ikën e zhduket, kurse femrat merren me folenë, ngrohjen e vezëve, ushqimin dhe rritjen e të vegjëlve. Një femër bën vezën dhe tjetra i thotë: shko ushqehu ti se e ngroh unë vezën! Kur ajo kthehet nga udha për ushqim me peshq, shikon se veza e saj është hedhur jashtë folesë, është ftohur,zogu ka ngordhur pa dalë, kurse në fole është një vezë tjetër!? Dy pulat nëna zihen e zihen dhe pastaj pajtohen, si Berisha me Ramën, apo si Saliu me Gazmendin. Ndërrojnë njëra tjetrën për ngrohjen e vezës daljen dhe rritjen e të voglit. Pra në dy vezë që pjellin zogjtë vetëm një ‘fëmijë’ del. Po i kujt është ky zog?Kë ka’baba’ e kë ka ‘nënë’? Dhe kësisoj janë jo pak politikanë e deputetë nga të dy palët: vezë -PD-je , zog-PS-je dhe anasjelltas. Vetpërjashtohet Edi Rama që ka thënë se “unë vij e shkoj përtej të majtës e matanë së djathtës!”Dhe ai pandeh se e ha populli këtë thënie sikur është e vërtetë!? Dje, Gazmendi qe kundra Saliut, sot pro Saliut; madje zëvendës(!?)i tij!?Dje ortak me Lulin sot kundër tij. Nesër bashkëpunëtor me dikë tjetër kundër atij të katërtit që do të dalë në skenë njësoj si ky: me prindër anonimë! Politikanë dhe politikë, ku vetëm principe, parime, kritere kombëtare nuk ka e nuk mund të ketë. Politikë e ndotur ku lulëzon hipokrizia, mashtrimi, gënjeshtra dhe keqdashja ndaj shtetit e ndaj kombit dhe përkëdhelja e mbulimi i të këqijave të shefit. Ka vetëm gam-gam e ham-ham për të ngrënë tërhan. Atë tërhan që gatuhet gjetiu e nga dikush tjetër asgjëkund. Është ai që ka paranë, që dredh zinxhirë, që sundon dynjanë dhe ruan vetëm interesat e veta që të mos cenohen. Këta, si lloji i G.Bardhit, janë manekinë vijimësi e të parëve të tyre, të llojit të fosilit primitiv Berisha, dhe të të moderuarit E.Rama, “fol, fol, se diçka do mbetet”,por shqetësuese është më tepër zhurma e tyre, se sa bëma. Ata pengojnë të tjerët që të dëgjojnë të vërtetat që reklamon SPAK-u. Ata u hedhin hi syve(si dikur Noka në parlament ndaj nënpunësve roje ) tërë atyre që duan të shohin se ku fshihet lepuri para zgjedhjeve parlamentare. Përse nuk e lënë SPAK-un që të punojë aq sa mundet të punojë? Logjikisht sepse kanë ngrënë dhe bien vetë erë hudhër! Realisht krimi, kriminelët dhe tërë ata që punojnë indirekt për vepra kriminale, antinjerëzore e sidomos antishqiptare, këto vite ka marrë përmasa që e justifikon thënien e popullit ”Lopata ka marrë thellë!” Dhe po ashtu kuptohet që përgjegjësinë kryesore e ka ‘i pari i katundit,’ kryetari i qeverisë së republikës sonë parlamentare,njëherazi edhe kryetar i së majtës! Mirëpo vete nga vete dhe gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmballa. Aq rrumpallë është bërë situate këtu në këtë truall, sa nuk e merr vesh qeni të zonë! Administrata ‘robtohet ‘duke punuar por ligjet nuk i njeh thuajse fare. Kryetari thotë që pensionistët do ta marrin pensionin e tyre nga një prilli(sa turp që shumë vendime qeveria jonë ia atribuon datës një prill?!) me kartë nëpër banka. Tani, një javë më pas thonë,se ligji nuk e parashikon diçka të tillë! Është thjeshtë me dëshirë të personit!Kryetari flet për një prodhim armësh të fuqishëm në Shqipëri, kurse fermerët ankohen se nuk ndihmohen nga shteti ashtu siç premtoi ministrja! Në shenjë proteste derdhin qumështin në asfalt për sensibilizim. Por qeveria nuk dëgjon nga ai vesh! Kryetarit tonë të qeverisë nuk i shkon mendja se ky vit është jubile i tetëdhjetë vjetorit të fitores mbi fashizmin e nazizmin! Asfare! Bile më keq akoma, kanë filluar kërkesat që në mes të Tiranës të ngrihet një objekt përkujtimor për viktimat e komunizmit!? Se edhe Muzeun Historik qeveria e dërgoi në riparim të përhershëm! Pas katër vitesh, kur pesëdhjetë milion turistë europianë nuk do të njohin asgjë nga historia e Shqipërisë ekspozuar në atë Muze Kombëtar,’ ja deve ja devexhi, ja kasolle ja shtëpi’”, thotë populli. Kështu , natyrshëm shtrohet vlerësimi sipas titullit të këtij shkrimi edhe për të gjithë politikanët e tjerë të këtij kallëpi. Ndër bisedat e të punësuarve kryesorja pyetje nuk është “si je me punë” por’sa fitove sot’!Kryetari i qeverisë, të krijohet përshtypja sikur e shikon Shqipërinë nga sateliti( për të cilët pagoi, siç u reklamua, gjashtë milion dollarë) sepse ai, bën ç’bën dhe hedh një ide këtu, bën një peripato atje, del e pozon duke folur në një Lungomare e për një projekt ambicioz ultraluksoz, apo në një paraderë zyre europiane, kur 60% të banorëve të ‘katundit’ janë në nivele varfërie, e kur s’ka kush të punojë se rinia ka ikur nëpër botë. Mirëpo media jonë vizive ’e pavarur’( lexo: vegël e tejbindur dhe e paguar prej klaneve të politikës sunduese e përçarëse nga mëngjesi deri në mëngjes!) ia jep mikrofonin Gazmend Bardhit që të kakarisë për kë ka ai në mend, për kë atij i thonë në darkë që të bëjë tellallin në mëngjes e në mesditë. Kryetarit tonë të qeverisë i është bërë mendja turizëm dhe çfarë lajkash e lëvdatash ‘lançon ‘ bota e rreshkur, hipokrite dhe e pabesë e kapitalit për turizmin në Shqipërinë e virgjër e cila ka një “ burrë shteti
të lavdishëm!” në krye të qeverisë!Pa po dalin edhe ndërkombëtarë të tjerë, si në ditë me re edhe në ato me diell,me që na ‘duan’ dhe na impulsojnë për të ecur më shpejt drejt Europës që nuk kursejnë fjalët lavdëruese:”Burrë shteti” për Saliun, “Yll në ngjitje” për Bashën, “Lider i mrekullueshëm” për Ramën, deri tek shprehja se “Shqipëria ka patur një zhvillim të jashtëzakonshëm” !?Kësisoj politikanët tanë janë të korruptuar dhe me sa po shohim, presin radhën për të ngjitur shkallët e SPAK-ut, sepse janë zogj të dalë nga vezë të njëjta, në folenë shkëmbore buzë greminës, këtu në Shqipërinë tonë të mrekullueshme që nuk duan të atillët që të bëhet Zonjë,siç e profetizoi Naim Frashëri!