Me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar ndër vite nga detyra me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla duket se ka vendosur në mënyrë të paprecedentë që ta sfidojë vendimmarrjen e shkallës së dytë të vetingut. Pasi nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj thirri një mbledhje plenare për të hënën me objekt “deklarimin e mbarimit të mandatit” për Ballën, ky i fundit njoftoi dje se kishte thirrur një mbledhje të dytë të KLP-së, në të njëjtën ditë dhe orë. Përmes llogarisë zyrtare të KLP-së në Ëhatsapp, Balla e thirri mbledhjen me qëllim interpretimin e vendimmarrjes së KPA-së për procesin e tij të vetingut. “..Diskutimi i ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla,” thuhet në njoftim. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 21 maj të largojë nga sistemi i drejtësisë Ballën për një periudhë 15-vjeçare, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Pozicioni aktual i Ballës si kryetar i KLP-së bie ndesh me vendimin e KPA.
Çfarë tha Balla?
Balla sqaroi dje se është ende në detyrë si kryetar i KLP-së, duke dhënë edhe argumentet kushtetuese që e mbajnë ende në këtë detyrë. “Duke u nisur nga interesi i gazetarëve dhe i publikut pas vendimit të KPA-së, më duhet personalisht të sqaroj; Nisur nga fakti që KLP-ja nuk kishte të programuar mbledhje për vendimmarrje këtë javë apo javës që vjen; Fakti që 9 anëtarë të Këshillit kanë qenë deri sot për vizitë pune jashtë shtetit. Nuk ishte e domosdoshme dhe realizueshme mbledhja e Komisionit përkatës dhe e Këshillit në mënyrë urgjente. Nga ana tjetër në analizë të përmbajtjes së vendimit të KPA-së (shkurtim pasi ende nuk është zbardhur i plotë) të venë në dispozicion vlerësoj se: Nuk ka analizuar e vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jomagjistrat i KLP-së, për të pasur vend për tu zbatuar neni 149/ b i Kushtetutës. Gjithsesi, javës që vjen është planifikuar mbledhje e Komisionit dhe e Këshillit dhe ky problem do të analizohet e vlerësohet nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dua të theksoj se, mua më ka mbaruar mandati kushtetues 5 vjeçar dhe po qëndroj në detyrë, për shkak të parashikimit kushtetues, deri në emërimin e personit që do më zëvendësoj. Ky shpjegim është i nevojshëm, për mos krijimin e situatave abuzive, referuar vendimit të KPA-së dhe efektit që ai ka mbi një organ tjetër kushtetues, pasi nuk është në interes të publikut”, shprehet në reagimin e tij Alfred Balla.
Reagimi nga KLP?
I pyetur nga BIRN për axhendën paralele të propozuar nga Balla, zv/kryetari i KLP-së, Tartar Bazaj i tha BIRN se vendimi i KPA-së nuk lë vend për interpretim. “Kam qenë i detyruar të zbatoj detyrimet kushtetuese dhe të thërras mbledhje urgjente, sepse vendimi KPA-së është vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka vend për interpretim, por vetëm duhet të zbatohet në mënyrë të menjëhershme,” tha Bazaj. Kujtojmë se Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, çka u konsiderua i drejtë nga Kolegji.