Pushtetarët shqiptarë që kanë fshehur paratë e korrupsionit në Londër duhet të fillojnë të dridhen. Shumë shpejt pritet që autoritetet shqiptare dhe ato britanike të nisin reprezaljen në radhët e politikanëve dhe bosëve të krimit që pastrojnë para. Britania e Madhe ka vendosur që të pastrojë bankat e shtetit të saj nga paratë e pista. Londra është kthyer në qendrën e fshehjes së parave të korrupsionit, por kushdo që ka dërguar aty paratë ka marrë fund. Për ta çuar këtë punë deri në fund, autoritetet shqiptare dhe britanike në vijim do ketë një bashkëpunim konkret, ku do ketë ndihmë dhe pajisje për të goditur krimin e organizuar dhe për të luftuar pastrimin e parave. Pritet që britanikët të sjellin në vendin tonë dosjet me informacione për politikanët. Shumë prej llogarive janë interceptuar, por plani është që me presionin e Perëndimit për arrestimin e “peshqve të mëdhenj” si kusht kryesor për futjen në Bashkimin Evropian, SPAK me informacionin në tryezë do të nisë goditjet në nivele të larta. Zyrtarët e lartë në Shqipëri janë përpjekur të tregohen të zgjuar duke pastruar para nëpërmjet personave të tjerë të rrethit të tyre familjar, por britanikëve nuk do të mund t’ua hedhin dot, pasi ata janë kapur “mat”. Plani i Britanisë së Madhe sapo ka nisur. Ambasadori britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith, së bashku me dy gjyqtarë britanikë kanë zhvilluar dje një vizitë në zyrat e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Ata janë takuar me kreun e këtij institucioni Altin Dumani dhe prokurorët. Siç njofton vetë në rrjetet sociale SPAK, gjatë takimit u diskutua ngritja e kapaciteteve në bashkëpunimin gjyqësor me agjencitë ligjzbatuese në Mbretërinë e Bashkuar. “Nder të mikëprisnim sot ambasadorin britanik King-Smith, gjyqtarët e njohur Dingemans dhe Picton. Në takim u diskutuan çështje kyçe mbi ngritjen e kapaciteteve në bashkëpunimin gjyqësor me agjencitë ligjzbatuese në Mbretërinë e Bashkuar. #BashkëpunimGjyqësor #SPAK #UK”, njoftoi dje SPAK.
Britania mbështetje gjyqësorit
Delegacioni gjyqësor britanik është takuar gjithashtu edhe me kryetarin e Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi dhe anëtarë të tjerë të trupës gjyqësore. Gjatë këtij takimi u zhvilluan biseda mbi mënyrën se si sistemet tona gjyqësore do të punojnë së bashku në një program për të mbështetur gjyqtarët e Shqipërisë dhe për të zbatuar sundimin e ligjit në mënyrë më efektive në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës së Lartë, rikonfirmojnë vullnetin e tyre për të bërë përpjekjet maksimale në kuadër të mirëadministrimit të drejtësisë si edhe për të punuar së bashku për të zhvilluar marrëdhëniet tona të ndërsjella në fushën e gjyqësorit”, u shpreh Sadushi.
Pushtetarët e rrezikuar
Pra më të rrezikuar në këtë mes janë pushtetarët shqiptarë që kanë fshehur paratë e korrupsionit në Londër. SPAK ka nisur letër-porosi së fundmi drejt Britanisë dhe dyshohet se Altin Dumani ka kërkuar informacion për transaksionet, lëvizjet dhe pronat e dyshimta që thuhet se ka fshehur Ilir Meta dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë. Mësohet se palët janë dakordësuar që të arrihet një marrëveshje konkrete mes dy vendeve, ku në fokus të saj do të jetë pastrimi i parave, goditja ndaj krimit dhe korrupsionit. Gazeta ka mësuar se autoritetet shqiptare do të marrin asistencë dhe nga New Scotland Yard për pastrimin e parave. Bëhet fjalë për agjencinë më të madhe britanike, e cila ka në fokus vetëm pastrimin e parave. Pritet që ekspertët e saj të zhvillojnë trajnime dhe të japin asistencë konkrete në vendin tonë, si për zbulimin e parave të korrupsionit, ashtu dhe për paratë e bosëve të krimit.