Britanikët duken të vendosur për të shkërmoqur krimin e organizuar dhe korrupsionin në vendin tonë. Britania e Madhe është një nga shtetet partnere dhe aleate strategjike e Shqipërisë, e cila në çdo kohë ka mbështetur vendin tonë në fusha të ndryshme. Por për të treguar se miqësia mes Britanisë dhe Shqipërisë është e fortë, madje e çeliktë, ka folur këtë fundjavë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, ndërsa ka lëshuar mesazhe të forta sa i takon të korruptuarve në Tiranë. Teksa ishte i ftuar në një intervistë në “Euronews Albania”, fillimisht diplomati King-Smith i dha mbështetje SPAK që të vijojë me hetimet ndaj gjithë të korruptuarve, duke sfiduar ish-kryeministri Sali Berisha që akuzon prokurorinë se hetimet ndaj tij janë politike. Po ashtu, edhe pse refuzoi të zbulojë detaje sa i takon shpalljes “non-grata” të Berishës nga Britania e Madhe, diplomati King-Smith paralajmëroi një tjetër “listë të zezë” me “non-grata”, pasi siç theksoi ai, Londra është e përkushtuar të prishë lidhjet mes krimit, korrupsionit dhe politikës në Ballkanin Perëndimor, apo kudo në botë. Më tej diplomati britanik zbuloi edhe një sërë projektesh në të cilat ambasada është e përfshirë për të ndihmuar ekonomikisht zonat veriore të Shqipërisë, ku fenomeni i largimit të të rinjve, sidomos drejt Mbretërisë së Bashkuar, është më i theksuar. Po ashtu, ambasadori komentoi shifrat e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Krahasuar me 2022, niveli i tyre gjatë këtij viti ka rënë me 90%. Ndërkohë në intervistën që po e publikojmë të plotë, ambasadori Alastair King-Smith, ndau disa detaje nga dokumentet e rëndësishme që ministri i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi pak ditë më parë në Londër, pas takimit me homologun britanik, James Cleverly.
-I nderuar ambasador Alastair King-Smith, kam parë një nismë të qeverisë britanike të quajtur shoqata e grave në uniformë dhe pash që ky projekt mbështet gratë në institucionet ligjzbatuese, mund të na tregoni më tepër për këtë?
Ne kemi një program të gjerë mes qeverive tona që trajtojnë çështje lidhur me punët e brendshme, drejtësinë, edukimi dhe kultura. Shqipëria është një partnerja jonë me mirë operacionale dhe ambasada ime ka shumë kolegë nga shërbimet ligjzbatuese, policia, doganat, prokuroria, etj. Po ashtu, kemi një marrëdhënie shumë të mirë të mbrojtjes, ushtritë tona bashkëpunojnë në nivel dypalësh, por edhe në NATO. Shqipëria është një anëtare shumë e mirë në këto momente, kemi shumë kolegë të ndryshëm që punojnë me shërbimet e uniformës. Menduam që kolegët tanë mund të ndajnë përvojat e tyre me ato që janë në Shqipëri dhe të dëgjonim se çfarë ato kanë për të thënë, prandaj krijuam këtë shoqatë.
-Cilat ishin problemet me të cilat ato përballeshin?
Disa nga këto problemet ishin të dukshme. Për disa nga shërbimet uniformat nuk ishin krijuar enkas për gratë, në një nga shërbimet pritej që gratë të vishnin taka edhe gjatë operacioneve dhe kjo nuk u jepte atyre mundësinë që ta kryenin punën ashtu si duhet. Pra, ishin disa gjëra të vogla praktike si këto që kërkonin disa ndryshime. Një tjetër problematik ishte stërvitja fizike për vetëmbrojtje, ku disave u thuhej se nuk mund të bënin disa punë që ishin disi me fizike. Tani kemi stërvitur rreth 84 gra nga shërbimet e uniformës që të bënin stërvitjen për vetëmbrojtje. Një nga gjërat për të cilat jam i kënaqur është se kemi marr mbështetjen e niveleve të lartë nga të gjitha shërbimet. Ne bëmë një konferencë që ishin të pranishme jo vetëm gratë me uniforma në Shqipëri, por edhe ato nga rajon i Ballkanit Perëndimor.Qeveria britanike po përkrah në nivel ndërkombëtar mbështetjen për gratë dhe vajzat në botë.
-Po sa i takon inkurajimit të grave për t’u bashkuar me Forcat e Armatosura, sepse nëse thonë që duan t’i bashkohen FA mbase nuk marrin mbështetje nga familja?
Kam biseduar me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura se si mund të bëjmë më shumë rekrutime, sidomos në veri të vendit, si pjesë e mbështetjes sonë për zhvillimin ekonomik atje.
-Një tjetër projekt është projekti për perspektivat e reja në Kukës, na tregoni më tepër për këtë projekt?
Në fakt je jemi të vetëdijshëm që në veri të vendit nuk është investuar shumë. Ne kemi edhe shumë shqiptar që jetojnë në Britani më së shumti që janë nga veriu i Shqipërisë nga Kukësi dhe nga Dibra dhe duam që ta mbështesim edhe veriun e vendit më shumë. Një nga mënyrat është duke shfrytëzuar pasuritë e jashtëzakonshme që ka veriu. Ka lumenjtë, natyrën, malet dhe mësuam edhe për ekzistencën e disa bunkerëve dhe në bisedime me bashkinë dhe ramë dakord për të vënë disa nga vëzhguesit tanë për të për të studiuar këtë rrjet tunelesh nëntokësor. Në rrafshin ekonomik, ka mundësi për zhvillimin turistik, Është diçka unike.
-Çfarë iniciativash të tjera do të ketë?
Ka disa gjëra që ne po i bëjmë drejtpërdrejt përmes mbështetjes me programeve për komunitetet në veri. Qëllimi është të ndihmojmë në sigurimin e aftësive, mundësive të punësimit dhe të rrisim mjedisin e biznesit atje. Ne kemi krijuar disa qendra të sipërmarrjes për të rinjtë. Një të tillë e hapëm në Kukës dhe do të ketë të tjera edhe në Dibër. Do të iniciojmë programe me shkollat. Ne gjithashtu ofrojmë grante për bizneset e vogla në mënyrë që individët të mund të fillojnë biznese dhe të punësojnë njerëz. Po vëmë re që shumë të rinj edhe po kthehen nga Britania në vendin e tyre. Që kur kemi firmosur komunikatën e përbashkët janë kthyer më shumë se 4600 persona para një viti. Por, apeli im për çdo të ri që mendon të largohet ilegalisht është të mos e bëjë këtë. Ka mënyra ligjore për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ne kemi hapur një qendër aplikimi për viza në veri për të lehtësuar migrimin dhe për të treguar se jemi të hapur për biznes.Pra mesazhi jonëështë ky, nëse doni të ikni bëjeni në mënyrë legale, nëse gjeni mundësi këtu në vendin tuaj atëherë shfrytëzojini.
-Zoti ambasador, ju folët për numrin e lartë të shqiptarëve që shkojnë në Britani ilegalisht, por situata tani është përmirësuar. A kanë ndikuar vetëm masat që ka marr qeveria britanike, apo edhe qeveria shqiptare ka pasur të bëjë edhe qeveria shqiptare në uljen e numrave?
Partneriteti me qeverinë shqiptare është thelbësor dhe emigrimi i njerëzve jashtë kufijve të vendit të tyre mund të zgjidhet vetëm me bashkëpunim. Ka pasur një rënie të me 90 për qind të emigrimit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë krahasuar me vjet. Kemi një task-forcë të përbashkët emigracioni që funksionin në bashkëpunim me policinë dhe agjencitë tona. Ne jemi duke punuar ngushtësisht bashkë që ky fenomen të parandalohet. Nëse të rinjtë duan që të largohen ta bëjnë atë në mënyrë legale. Sepse të rinjtë mbase duan mundësi më të mira punësimi ose të studiojnë jashtë. Por, nëse gjejnë mundësi këtu mund ti shfrytëzojnë ato. Në fakt, ka shumë industri të cilat janë duke vuajtur nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar.
-Si e patë ju retorikën në mediat britanike ndaj shqiptarëve që ishte shumë e ashpër?
Ishte një kohë e vështirë në fakt. Ne përmes përpjekjeve të përbashkëta mes dy qeverive dhe të komunitetit kemi mundur që të përmirësojmë situatën. Komuniteti shqiptar në Britani në fakt një pjesë e tyre janë aty n ë mënyrë legale dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike, flas për mësuesit, biznesmenët dhe profesionistë të tjerë. Por, gjuha e ashpër dhe diskriminuese që u përdor në media ndaj shqiptarëve është diçka që në fakt ne nuk duam që ta shohim në asnjë komunitet. Ne duam që shqiptarët ashtu sikurse edhe komunitete të tjera të trajtohen të barabartë dhe me drejtësi.
-Dua që të flasim pak edhe për marrëveshjen e firmosur në Londër nga ministri i Brendshëm shqiptar, Taulant Balla, mund të na jepni më shumë detaje lidhur me këtë marrëveshje?
Është një pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes sonë në kuadër të Komunikatës së Përbashkët që dy kryeministrat tanë nënshkruan vitin e kaluar. Deklarata e bashkëpunimit nënkupton që do të ketë shkëmbime, operacione policore, do të intensifikojmë atë që bëjmë përmes task-forcës së emigracionit, do të shohim se si mund të mbështesim transformimin brenda policisë. Policinë e Shtetit e shohim tashmë si një partner të mirë për bashkëpunim.
-Gjatë këtij viti në sezonin veror, ne pamë shumëturistë që vizituan Shqipërinë ku kishte edhe shumë britanikë që erdhën me pushime në Shqipëri?
Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe një vend i bukur dhe i pazbuluar. Unë në fakt edhe kam inkurajuar shumë gazetar që të shkruanin për Shqipërinë. Ne si ambasadë nuk na takon që të promovojmë Shqipërinë si vend turistik, por ne do të mbështesim qeverinë shqiptare dhe ambasadën shqiptare në Londër që ta bëjnë këtë.
-Pse Britania e Madhe vendosi të shpallte “non-grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, a do të merren masa të ngjashme edhe në të ardhmen?
Ne mbështesim plotësisht sistemin gjyqësor të Shqipërisë, veçanërisht institucionet si Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK). Gjëja me e mirë është që drejtësia të zbatohet në të gjithë vendin. Ne përshëndesim dhe mbështesim shumë edhe punë e gazetarëve investigativë. Ne nuk komentojmë raste individuale, por ajo që mund të them është se jemi të përkushtuar të prishim lidhjet mes krimit, korrupsionit dhe politikës. Ne kemi një sërë masash parandaluese që do të vijojmë që t’i zbatojmë. Ato mund të përdoren nga ministrat si bëmë vitin e shkuar ndaj një sërë individësh. Ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi për të luftuar aktorët e korrupsionit qoftë në Ballkanin Perëndimor, apo kudo në botë. Më pyete nëse do të merren masa të ngjashme në të ardhmen, mund të them se ne do të marrim masa kur ta konsiderojmë të përshtatshme dhe kur të plotësojnë kushtet e kuadrit tonë ligjor. Ne nuk komentojë shpallje ‘non-grata’ apo sanksione të ardhshme, pasi kjo do të zvogëlonte ndikimin e tyre. Nuk mund të them më shumë sesa ajo që tashmë është bërë publike.