Brukseli mbështet fuqishëm reformën në drejtësi dhe inkurajon Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të çrrënjosë korrupsionin në Shqipëri. Ditët e fundit ish-presidenti Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe enturazhi i tyre po sulmojnë ashpër drejtësinë e re dhe krerët e saj veçanërisht drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Kjo ofensivë sulmesh e akuzash, ka bërë që në lojë të hyjnë ndërkombëtarët, të cilët kanë marrë në mbrojtje krerët e drejtësisë dhe Altin Dumanin. Ditën e djeshme ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiraë, Silvio Gonzato gjatë një takimi për projektin e BE-së për Drejtësinë theksoi se mbështet institucionet e drejtësisë, duke theksuar se puna e tyre është çelësi për të çrrënjosur korrupsionin nga vendi. Diplomati Gonzato deklaroi se integrimi në Bashkimin Evropian varet nga kontributi i institucioneve të drejtësisë dhe theksoi se BE-ja do të qëndrojë në krah të Shqipërisë për arritjen e këtij objektivi. “Ne mbështesim plotësisht institucionet e reja të drejtësisë dhe reformën në drejtësi të vitit 2016, e cila u mundësoi atyre të japin drejtësi për qytetarët. Puna e tyre është çelësi për çrrënjosjen e korrupsionit nga Shqipëria. Në komitetin drejtues të projektit #EU4Justice, theksova se integrimi në BE varet shumë nga kontributi i tyre. Dhënia në kohë, efektive dhe transparente e drejtësisë është çelësi për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në arritjen e këtij objektivi”, shkroi dje në një postim në rrjetet sociale ambasadori i BE, Silvio Gonzato, teksa ndan detaje nga takimi.
Sulmet e Metës ndaj Dumanit, reagon BE: Të papranueshme
Ndërkohe edhe gjatë javë s që shkoi, zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri, ka reaguar në rrjetet sociale pas sulmeve të ish-Presidentit Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. BE dënon ashpër sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe sulm ndaj drejtësisë. Në reagim theksohet se BE qëndron pranë pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruhen në reagimin e BE.
Diplomati Silvio Gonzato: Dumani të qëndrojë i qetë
Nga ana tjetër, më herët ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato është shprehur se SPAK po sjell rezultate në luftën kundër korrupsionit ndaj sipas tij prokuroria duhet të vazhdojë punën pa presione. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur. Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjellë. Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë”, deklaroi ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.