Gazetari Agim Baçi tha në një intervistë televizive se ka një mosbesim politik, dhe dyshime në lidhje me interesat e emrave të veçantë në lidhje me zonat e mbrojtura.
Baçi thekson se biodiversiteti, ruajtja e ambientit, ekosistemi, janë çështje e së ardhmes, dhe nuk duhet të konsiderohet si politike.
“Po të kemi parasysh debatin në Butrint, mund të shtrihet në zona që deri më sot kanë qenë të mbrojtura. KLSH ka qenë shumë kritik për mënyrën si janë menaxhuar zonat e mbrojtura, se si parqet publike po zvogëlohen, dhe mendoj që s’është luks për ne të shqetësohemi për biodiversitetin. Fakteqësisht pyjet i kemi lënë pas dore dhe i kemi prerë. Mosbesimi është politikisht, këtu ka një dyshim të madh që këto zona po shkojnë për emra të veçantë. Unë s’jam kundër oligarkëve, shyqyr Zotit që ka njerëz me para dhe s’duhet të ushqejmë urrejtje për ta. Çështja është sa garanci kemi ne që do ruhet biodiversiteti dhe të gjitha standardet. Kur shikojmë ndryshimet ligjore në Parlament themi lum ne, kur i shohim në terren, themi mjerë ne. Ne kemi marrë ligjet më të mira, por mentaliteti dhe kultura s’kanë qenë të tillë. Do donim shumë që oligarkët të investojnë edhe për ruajtjen e ambientit dhe diversitetit. Vet PS kur ka qenë në opozitë ka mbrojtur edhe gardhin e Presidencës, ndërsa tani i duket normale, se dëgjoj z.Veliaj që thotë le të protestojnë, por prapë ne do ta bëjmë këtë gjë. Edhe opozita përfaqëson shqiptarët. Biodiversiteti, ruajtja e ambientit, ekosistemi, është çështje e të ardhmes, s’ka të bëjë as me Ramën as me Berishën. Ti je kryeministër i të gjithëve, s’je kryeministër i socialistëve. Më pak shpresë kam se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë, kur kaloi marrëveshjen me Melonin. Nëse ndryshimet janë në përputhje me Kushtetutën çfarë do rrëzojë aty”.
Lidhur me përgjegjësinë e Ramës në lidhje me ministra apo deputetë në hetim, ai u shpreh:
“Është përgjegjësi dhe llogari e kryeministrit, në lidhje me ministrat e tij. Rama në 10 vjet as mban llogari as nuk mban përgjegjësi. Njerëzit janë të dekurajuar me idenë që fjala e tyre, protesta e tyre, vota e tyre, shkon atje ku duhet. Në Greqi dhe në Kroaci u përplas treni dhe dhanë dorëheqjen ministrat e Transportit. Përgjegjësia politike është e tij, e kryeministrit. Nuk mban përgjegjësi kryeministri që të thotë, po unë e zgjodha Arben Ahmetajn, i ka mbrojtur inceneratorët është tallur në Parlament, dhe kur vjen puna për të mbajtur për përgjegjësi nuk mban”, tha Baçi.