Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve, mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme, për vitin 2023. Ai ka renditur të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, që siç tha ai janë nën hetim apo të pandehur. Në fjalën e tij, Dumani tha se “janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion: Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie”. Janë hetuar gjithsej 20 procedime penale me 22 persona nën hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë në funksion: 5 magjistratë, 3 ish gjyqtarë të shkallës së parë, një ish gjyqtare i apelit dhe një ish prokuror. 5 ish kryetar bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie, dy kryetarë bashkie, një ish ministër Finance, një ish ministër Mbrojtje, një ish ministër Mjedisi, një ish ministër shëndetësisë, një ish-zv/ministër Shëndetësie, një ish kryeministër, një ish sekretar i ministrit të mjedisit, një ish sekretar i ministrisë së drejtësisë dhe një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë. Për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona me hetim apo të pandehur ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Janë dërguar në gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim 12 persona të pandehur në cilësinë e ish zyrtarit të lartë me funksione: 5 ish-kryetarë bashkie, një ish gjyqtar, një ish ministër mjedisi, një ish ministër Finance, dy kryetarë bashkie, një ish kandidat për kryetar bashkie dhe një ish sekretar i ministrisë i ministrisë së Shëndetësisë. Janë dënuar 9 zyrtarë të lartë me funksion: Dy ish deputetë, dy ish gjyqtare, tre ish kryetarë bashkie, një ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Shëndetësisë, një ish nënkryetar bashkie. Janë në proces gjykimi 4 ish magjistratë, është në hetim një ish magjistratë në gjykatë e lartë, janë dënuar nga gjykata dy ish magjistratë”, u shpreh Dumani.
Pastrimi i parave, roli i bankave
Kreu i SPAK tregoi se si një biznes shqiptar tentoi t’i krijojë akses mafies ndërkombëtare në vendin tonë, për të integruar të ardhurat në sektorin bankar. “Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat ndërkombëtare kriminale si mafia italiane. Një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për ti dhënë akses përfaqësues të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte. Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave. Disa prej veçorive, anëtarësi 15-25 personash, aktivitet polikriminal, dhuna për kontroll, përfshirje e femrave në pozicione dytësore, konvertim i parave në kriptovaluta, vrasje me pagesë. Operojnë përmes call centerave, mashtrojnë shtetas të huaj. Bashkëpunimi me bizneset për pastrimin e parave. Një rast një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësues të mafias ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin jashtë, por bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë, bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, tha Dumani.
Lloji i tregjeve kriminale sipas SPAK
Dumani tha se janë disa qytete dhe zona të vendit të cilat paraqesin problematikë të theksuar për aktivitetin e tyre, nga vrasjet, te trafiku i drogës, korrupsioni ndaj njerëzve të drejtësisë dhe pastrimi i parave. Lidhur me llojin e tregjeve kriminale, nga analiza na rezulton se tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si: Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja. “Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndët shpërthyese dhe makinat e vjedhura që pastaj përdoren në ngjarje kriminale”, u shpreh kreu i SPAK. Dumani foli dhe për grupet kriminale që janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikut të drogës, kryesisht kokainë, duke thënë se ato tashmë dominojnë tregun edhe në vendet e origjinës, pra në Amerikën e Jugut. “Grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur e duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kanë aktivitet dhe në tregje ndërkombëtare, kryesisht Amerika e Jugut, BE, Britania e Madhe dhe rajon. Disa nga veçoritë e këtyre grupeve janë: anëtarësia prej 15 deri në 20 persona, aktiviteti polikriminal (trafik droge, vrasje dhe prodhim armësh), dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasjet e sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara dhe konvertimi i parave në kriptovalutë”, u shpreh kreu i SPAK.