Afro 3.7 milionë euro janë pastruar në sektorin e pasurive të paluajtshme, nga 2 persona që ushtronin funksione publike, njëri prej të cilëve është arrestuar vjet. Agjencia e Inteligjencës Financiare thotë se vjet janë identifikuar skema pastrimi parash, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Metoda? Blihen prona me vlera të mëdha pa u justifikuar burimi i të ardhurave dhe përdoren familjarët. Sipas raportit, një funksionar në një institucion shtetëror, i cili është arrestuar vjet për shpërdorim detyre dhe lidhje të mundshme me krimin e organizuar, së bashku me familjen e tij, brenda 7 vitesh kanë nënshkruar kontrata porosie duke investuar në pasuri të paluajtshme si njësi shërbimi dhe apartamente në vlerë totale rreth 1.5 milion dollarë. Po ky zyrtar ka porositur po në të njëjtën kompani ndërtimi disa prona së bashku me një ortakun e tij me vlerë 600,000 USD, të cilat i ka paguar paraprakisht, duke thënë se burimi i të ardhurave është “fitimi nga biznesi dhe të ardhurat e siguruara nga emigracioni”. Në total, zyrtari sipas Agjencisë së Inteligjencës Financiare ka pastruar 2.1 milionë dollarë. Por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se burimi i të ardhurave nuk justifikohet. Për këtë arsye menjëherë pas nisjes së hetimeve ky person dhe familjarët e tij, kanë nënshkruar kontrata të njëpasnjëshme revokimi të këtyre kontratave të porosisë së pronave, me qëllim që të shmangnin sekuestrimin e tyre. I ngjashëm është edhe rasti i një funksionareje publike, e cila sipas raportit gjatë viteve 2014 – 2018, ka investuar në pasuri të paluajtshme 270,000 euro, edhe pse nuk ishte e punësuar. Ndërsa prej 2018 ka marrë funksion publik, dhe gjatë periudhës 2020-2023 ka blerë njësi shërbimi, apartamente dhe vilë me vlerë 1.4 mln euro, në total në të dyja rastet, 1.6 milionë euro. Burimi i të ardhurave i deklaruar prej saj ishte biznesi, por në fakt fitimet nuk i justifikonin këto investime. Nga verifikimet është identifikuar lidhja e saj e ngushtë me një person të dyshuar si i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, për këtë arsye rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm, në organet e zbatimit të ligjit.
Rasti konkret:
Shtetasi X, funksionar në një institucion shtetëror, në vitin 2023 u arrestua për shpërdorim detyre dhe lidhje të mundshme me krimin e organizuar. Gjatë hetimeve të organeve ligjzbatuese rezultuan raste të abuzimit të mundshëm me detyrën, të kryera ndër vite nga shtetasi X, prej të cilave dyshohet se ka përfituar shuma të mëdha të parash. AIF ka kryer verifikime nga ku rezultoi se për një periudhë 7 vjeçare shtetasi X dhe familjarë të tij të ngushtë (nëna, babai, vëllai, motra), kanë nënshkruar kontrata porosie duke investuar në pasuri të paluajtshme si njësi shërbimi dhe apartamente në vlerë totale rreth 1.5 milion USD, pranë të njëjtës shoqërie ndërtimi C. Vërehet se kontrata e porosisë e lidhur nga shtetasi X dhe bashkëshortja e tij, ishte në vlerë më të ulët se vlera e saj reale dhe deri diku e justifikueshme krahasimisht me burimin e ligjshëm të të ardhurave të tij. Nga analiza e detajuar financiare ka rezultuar se vlerat për porositjen e pasurive janë paguar nga shtetasi X dhe familjarët e tij gjatë periudhës 2015 – 2018 përmes një sërë depozitimesh që luhaten në vlerat 5,000–30,000 USD. Fondet janë depozituar pranë llogarisë bankare të shoqërisë së ndërtimit C, në një bankë të nivelit të dytë në vend, me frekuenca, data apo orare që përputheshin ose përafroheshin mes njëri tjetrit.
Detajet
Burimi për fondet e investuara në pasuri të paluajtshme është deklaruar të ardhurat e biznesit dhe të ardhura të përfituara nga emigracioni. Nga verifikimet mbi bizneset e tij, ka rezultuar se në vitin 2010, shtetasi X së bashku me 3 shtetas të tjerë, ka themeluar shoqërinë tregtare XY me objekt “import – eksport të produkteve ushqimore, industrial dhe investime në fushën e ndërtimit etj”. Pas një periudhe disa vjeçare, shtetasi X ia shet pjesën e vet të aksioneve njërit prej ortakëve shtetasit Z, me të cilin ka edhe lidhje familjare. Në këtë biznes rezulton i lidhur edhe vëllai i shtetasit X, shtetasi Y, në rolin administrativ. Për sa i përket familjarëve rezulton se vetëm i vëllai ka regjistruar rishtazi një subjekt Person Fizik. Të ardhurat e fituara nga këto biznese janë mini- male, por edhe qarkullimi në tërësi është i ulët. Nga analiza e mëtejshme e kryer edhe për anëtarë të tjerë të rrethit familjar të shtetasit X, përfshirë dhe shtetasin Z, ka rezultuar se në të njëjtën periudhë kanë lidhur kontrata porosie me të njëjtën shoqëri ndërtimi C, në vlerë totale rreth 600,000 USD, po ashtu të paguara paraprakisht, në të njëjtën periudhë, me depozitime në llogarinë bankare të shoqërisë së ndërtimit pranë të njëjtës bankë me shtetasin X, ku si burim kanë deklaruar të ardhurat e siguruara nga emigracioni. Nga verifikimet nuk rezultojnë të ardhura për të justifikuar asnjë prej investimeve të kryera në pasuri të paluajtshme nga ky shtetas dhe familjarët e tij. Në tremujorin e parë të vitit 2023, u vu re se shtetasi X dhe familjarët e tij të ngushtë (nëna, babai, vëllai, motra), kanë nënshkruar kontrata të njëpasnjëshme revokimi të këtyre kontratave të porosisë”, thuhet në raport.