Mesa duket “ethet” për kryeministrin Rama në implikimin e tij në dosjen “McGonigal” pritet të shtohen javës tjetër. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se raporti që kanë përgatitur amerikanët për kryeministrin shqiptar me të gjitha provat përvëluese pritet të dorëzohet në Prokurorinë e Posaçme. Ende nuk ka detaje se kush do të jetë personazhi që do dërgojë dosjen “e qepur” nga amerikanët, ku mësohet se prokurorët specialë të SPAK pritet të marrin në duar për herë të parë faktet ku dalin në pah sekretet e ish-agjentit të FBI me vizitat në Tiranë, takimet dhe bisedat e fshehta me zyrtarët shqiptarë, përfshirë Edi Ramën dhe deri te dëmi i madh prej miliona dollarësh që i është shkaktuar shtetit shqiptar . Mësohet se në dosjen amerikane janë me emra se për cilin nga shërbimet e tij në Shqipëri u pagua me dollarët që i dha Agron Neza. Deri tani ai ka pretenduar se paratë, thjesht i mori borxh, por SHBA ia ka nxjerrë të gjitha që në arriti në fund t’i zbuste dënimin duke i hequr të gjitha pikat e tjera të rënda që mund ta dënonin me vite. Fakti është se gjykata federale e Uashingtonit dënoi 16 shkurt me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me Ramën.
Faktet
Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private. “Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhet në dokument. Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka. Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
Hetimet në SPAK
Të gjithë menduan se kryeministri shqiptar mund t’ia hidhte pa u lagur në këtë çështje si me rastin e fotos me Barac Obamën. Madje ai u qetësua dhe më shumë kur “ortaku” i tij pranoi para amerikanëve marrëveshjen. Por dosja amerikane që do të shkojë javën tjetër në SPAK pritet të hapë “Kutinë e Pandorës” dhe mund të shkaktojë “tërmet” në politikën shqiptare. Thuhet gjithashtu se dëmi që ka pësuar shteti shqiptar është shumë i madh. Nga hetimet është mësuar se vendi ynë ka humbur 25 milionë dollarë të cilat janë përfituar me një kontratë nga zoti McGonigal. Bëhet fjalë për një pasuri dhe një kontratë të pashfrytëzuar padrejtësisht në Patos dhe tani është në emër të kompanisë së zotit Neza që ka blerë bashkë me disa persona të tjerë. Kjo kompania ka përfituar një kontratë në Patos prej 25 mln Euro të dhëna nga shtetit shqiptar pa prokurim, pa procedurë korrekte. Ky proces është duke u hetuar. SPAK ka thirrur për të dëshmuar dy nga personazhet e përfshirë në këtë aferë, Agron Nezën dhe Dorian Duçkën. Frika e Ramës sa vjen dhe shtohet pasi dyshohet se edhe ai është marrë në pyetje para disa ditësh për 5 orë nga SPAK për këtë aferë. Javës tjetër pritet me kureshtje të madhe, të shihet se cili do të jetë qëndrimi dhe hapi ligjor i radhës nga SPAK-u në Shqipëri, për këtë çështje. Për këtë situatë Altin Dumani ka pretenduar para disa javësh se nuk pyet për emra. “Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Shumë media në shkurt të vitit të kaluar e deri para 10 muajsh nuk kanë lënë kritika për aferën “McGonigal”. Kritikët duhet të ndihen të zhgënjyer sepse e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar. Në fakt nuk bëjmë publik çdo gjë që bëjmë. Natyra e punës tonë kërkon që të jemi diskretë. Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare”, mësohet të jetë shprehur Dumani. Gazeta “SOT” ka raportuar gjithashtu dhe lajmin se Rama dyshohet se është marrë në pyetje për 1 orë e 30 minuta për çështjen “McGonigal” nga një prokuror dhe një zyrtar i FBI menjëherë sapo ai zbriti nga avioni në Neë York në vizitën e tij të fundit disa ditore për mbledhjen në Këshillin e Sigurimit në OKB.