Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e djeshme në Himarë nga ku nisi “fushatën” për shpërndarjen e titujve të pronësisë. Por teksa fliste para himariotëve, Rama sulmoi Vangjel Dulen kreun e PBDNJ-së. Rama iu drejtua himariotëve duke iu thënë se nëse donin prona, t’i drejtoheshin Vangjel Tavos dhe nëse donin sherr, kishin Vangjel Dulen. “Atëherë, 4 mijë certifikatat e shtëpive të trashëguara do të jepen brenda këtij viti. Prefekti dhe Prefektura është adresa për çdo lloj problemi që keni. Do t’i qëndrojë mbi kokë duke iu ndihmuar, duke iu orientuar. S’keni punë fare ju, shkuat te Kadastra, ju nxorën ndonjë problem, keni Vangjelin. Unë thashë Vangjel Tavon, nëse do pronë ke Vangjel Tavon, nëse do sherr ke Vangjel Dulen”, tha ai. Pra kjo tregoi qartë qëllimin e Ramës se më shumë sesa të shpaloste zgjidhjen e një problemi të pronave, kryeministri ishte aty për të paraqitur Vangjel Tavon si shpëtimtarin e Himarës, prefektin që në një muaj detyrë arriti të bënte sipas Ramës rreth 400 certifikata pronësie vetëm ditën e djeshme, pasi objektivi sipas Ramës është 4000 brenda vitit.
Mesazhet e Ramës nga Himara për Greqinë
Ndërsa foli për kalvarin e marrjes së certifikatave për pronat e trashëguara, kreu i qeverisë u shpreh se çështja e pronave në Himarë është shfrytëzuar për interesa politike. “Është folur shumë dhe është abuzuar shumë duke e treguar këtë çështje si një çështje që lidhet thjesht dhe vetëm me Himarën, madje ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore nga ata që nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveç shfrytëzimit të shqetësimit legjitim të banorëve, për të çuar përpara interesat e tyre shumë të ngushta politike. Interesa të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët”, tha Rama. Nisur nga pretendimet Rama i prerë tha se asnjë oligark nuk ka marrë asnjë pronë të himarjotëve, apo të banorëve të çdo vendi turistik pa miratimin e pronarëve. “Kjo çështje ka të bëjë me regjistrimin, pasi nuk është pranuar ligji dhe janë bërë shumë ndryshime me AMTP që ju i dini më mirë se unë. Edhe kjo ka penguar shtëpitë që kanë qene aty dhe këtu është shtuar dhe një shtesë sikur kjo bëhet për t’i marrë pronat qytetarëve të Himarës për t’ia dhënë oligarkëve. Ju e dini më mirë se unë, që nuk ka asnjë metër katror që asnjë metër katror ti jetë marrë një trashëgimtari dhe t’i jetë dhenë dikujt tjetër. Ka një situatë tjetër, që janë shfaqur pronarë që ju e dini mirë se kush janë dhe i kanë vënë qytetarët përpara një zgjedhje që të pranojnë të shesin pronën e tyre. Kush thotë që i janë marrë pronat himariotëve pa miratimin e tyre dhe i kanë kaluar dikujt tjetër, kjo është një gënjeshtër shumë e madhe”, shtoi kryeministri. Ndërkaq kryeministri tha se e njeh shumë mirë zonën e Himarës dhe konfliktet për pronat në këtë zonë, pasi ka prejardhje nga Vunoi. Në këtë aktivitet, ai mohoi që të ketë qëllime të mbrapshta për t’ju marrë tokat banorëve të kësaj zone. Rama ka deklaruar se si kryeministër do të bëjë të pamundurën që banorët në Himarë, por edhe në çdo zonë të Shqipërisë, të gëzojnë pronën e tyre ose të lënë trashëgim nga të parët e tyre. “Shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë certifikata ende, po jo për ndonjë fakt apo plan të ndonjërit për tu marrë shtëpitë e për të ndërtuar. Edhe në Theth çmimet rriten, hotele janë plot. Pra është një problem që nuk ka të bëjë fare me broçkullat propagandistike që ju kanë mbushur kokën. Nuk dimë ne fare jo kështu jo ashtu”, tha Rama.
Reagon OMONIA
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA) nuk i ka pritur mirë reagimet e Edi Ramës nga Himara. Në reagim, OMONIA tha dje se Rama se po përçan komunitetin dhe po përhap urrejtje nacionale me deklaratat e tij, ndërsa pretendon se i shpërndau certifikatat për banesat e himarjotëve dhe jo për pronat në bregdet, për të cilat thuhet në reagim se i ka rezervuar për oborrtarët e tij. “Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama i mbërthyer në rrugë pa krye për të cilën është përgjegjës ekskluziv, vijon kreshenton e praktikave të përçarjes së komunitetit të Himarës, manipulimit të qytetarëve, shkeljes në fund të fundit të parimeve të shtetit të së drejtës, të barazisë së shtetasve dhe ndaj ligjit. Sot u kthye në Himarë me iluzionin se ka kaluar kohë e mjaftueshme harrese për pasojat që shkakton në komunitetin lokal burgosja dhe mbajtja në privim lirie e Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë z. Fredi Beleri. Përsëriti një nga shoë të neveritur të mikropolitikës të cilat i vijnë për shtat, duke përgatitur në këtë mënyrë terrenin për proces zgjedhjesh të parakohshëm që po planifikon përmes vendimesh të autoriteteve gjyqësorë të kontrolluar. Ndërkaq që tejkaloi limitet e tolerimit: Në tellall shëtitës dhe jo burrë shteti, shpërndau tituj pronësie për banesa Himarjotësh. Jo për sipërfaqet me rëndësi esenciale ekonomike në bregdet, të cilat i rezervon ashtu si deri më sot për “investitorët strategjikë” të oborrit”, thuhet në deklaratë. Ndër të tjera, OMONIA, thotë në reagim se me certifikata pronësie të shtetit, sistemit të Kadastrës që mbështet financiarisht Bashkimi Evropian përpiqet të bëjë politikë partiake. “Prezenca madje e makinerisë partiake nuk lë hapësirë për interpretim tjetër. Nuk u shmang të sulmojë verbalisht Kryetarin e PBDNJ që përfaqëson opozitën reale në Bashki duke anashkaluar se kultivon në këtë mënyrë gjuhën e urrejtjes dhe përçarje në komunitetin vendor dhe më gjerë në komunitetin Grek. Praktika këto që në vendin tonë aplikoi regjimi komunist duke klasifikuar pjesëtarët e Minoritetit Etnik Grek në tanët dhe kundërshtarët tanë. Zbuloi se ngarkimi i detyrës së Prefektit të Vlorës në person me origjinë Greke, të provuar në misione analoge, synon nxitjen e politikave të përçarjes së mëtejshme me qëllim manipulimin e komunitetit lokal. Shantazhoi qytetarët të përkatësisë Greke që të mos vetidentifikohen si të tillë sepse nuk është në interesin e tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.