Për herë të parë para SPAK, është përmendur dokumenti që konfirmon implikimin e Shkëlzen Berishës në aferën e Gërdecit. Nëse prokurorët do të thellohen me provat dhe dëshmitë mund të ngrihen dyshime serioze se i biri i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ishte pronar në hije i biznesit të Gërdecit, ndërsa ministrat e qeverisë së babai të tij, ishin thjeshtë ushtar për zbatimin e skemës së korrupsionit. Ditën e djeshme dëshmoi në gjykatë kur po mbahej gjyqi për Fatmir Mediun, Anila Gjergji me detyrë inxhinierie software në Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo pranoi se kur ishte në atë detyre, kishte marrë një faks me mbishkrimin: “Për Shkëlzen Berishën”. Sipas Gjergjit, shënimin e sipërpërmendur nuk e ka bërë ajo, por ashtu i kishte shkuar inxhinieres. “Ne kishim disa fax-e, por numrat nuk më kujtohen. Kam bërë shënimin, kam vendosur numrin e protokollit, datën dhe firmën time. Fax-i nr. 622, datë 13/03/2007 dërguar nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes. Shënimin me stilolaps për Shkëlzenin nuk e kam bërë unë, ashtu erdhi. Mendoj që ka ardhur me fax-in, por nuk më kujtohet”, tha ajo.
Ja prapaskenat e dokumentit
Dalja në skenë sërish e këtij dokumenti rëndon pozitat e Shkëlzen Berishës dhe Aldo Bumçit. Një nga ushtarët model të Shkëlzen Berishës, ishte ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, i konsideruar më vonë nga amerikanët si “zagar për sulm” i Sali Berishës. Bumçi i raportonte Shkëlzen Berishës rreth vendimit të qeverisë për punishten e vdekjes, ku demontoheshin armët. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi një faks për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës. Nuk dihet ende se ku e ka bazuar Aldo Bumçi këtë vendim, pra për të nisur shkresat zyrtare në adresë të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vetë Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por shumë shpejt ai u zbulua, pasi sekretarja e Bumçit e konfirmoi faktin në prokurori. Por, Bumçi nuk i raportonte Shkëlzenit vetëm nëpërmjet faksit, por edhe drejtpërdrejt. Takimet konfirmohen nga një raport sekret që ambasada amerikane në Tiranë i ka nisur Departamentit Amerikan të Shtetit. “Në një dëshmi, sekretarja e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, tregoi për të paktën dy takime mes Bumçit dhe Shkëlzenit në 2007-ën. Dhe kur u pyet për një letër që Bumçi i dërgonte Mediut për aprovim të projekt-ligjit që do t’i hapte rrugë çmontimeve në Gërdec, ajo konfirmoi që Bumçi kishte shkruar mbi kapak “Për Shkëlzen Berishën”. Pas kësaj dëshmie, Bumçi, ende një deputet (dhe një zagar sulmi i Partisë Demokratike), akuzoi ish-sekretaren e tij për shpifje dhe e paditi atë. E frikësuar, sekretarja publikisht deklaroi se dëshmia kishte qenë e falsifikuar”, thuhet në kabllogramin e ambasadës amerikane. Dhe në të vërtetë Bumçi e paditi sekretaren e vet. “Nuk ka kallëzim për shpifje, ka kallëzim për dëshmi të rreme, që është vepër penale. Dëshmia e rreme përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Një dëshmi e rreme nuk ka nevojë që të niset me kallëzim, por mund të niset dhe kryesisht dhe prokuroria është në dijeni të këtij kallëzimi, të kësaj dëshmie të rreme, që në korrik të vitit 2008”, deklaroi Bumçi. Vitin e kaluar ish-ministri është thirrur në SPAK për këtë dokument.
Të gjithë raportonin tek Shkëlzeni
Ambasada amerikane i raportonte DASH, se të gjithë raportonin tek Shkëlzeni. “Rrjedhjet e regjistrimeve telefonike zbulojnë se vetëm disa orë pas 15 marsit 2008 kur ndodhi shpërthimi në Gërdec, Ministri i Mbrojtjes, Mediu, e telefoni djalin e Berishës katër herë. Më tej, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil (kompania që punonte në Gërdec) telefonoi Shkëlzenin vetëm 30 minuta pas shpërthimit. Nga janari deri në ditën e shpërthimit, Delijorgji e telefononte Shkëlzenin 56 herë. Përveç kësaj, janë konfiskuar shënime nga sekretaret e Ministrisë së Mbrojtjes që tregojnë se gjatë vitit 2007 dhe 2008 ish/ministri Mediu pati takime të shpeshta me Shkëlzenin. Në një takim thuhet se Shkëlzeni kërkoi që Mediu të rriste ritmin e furnizimit me municione të Gërdecit”, thuhej në Kabllogram.
Dëshmia e sekretares
Sekretarja e Bumçit quhet Anjola Agolli. Teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. “Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi. Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: “Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes. Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin”, tha në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.
Lidhjet e Shkëlzenit me Gërdecin
Lidhjet e djalit të Berishës, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi me 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. Shkëlzen Berisha është interesuar për projektin që në momentin kur po përgatitej kuadri ligjor i çështjes. Në atë kohë, ministër i Drejtësisë ishte Aldo Bumçi. Por, edhe pse faktet implikojnë qartë djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, në skandalin e Gërdecit, ata në drejtësinë e vjetër as janë marrë në pyetje për të shpjeguar çështjen. Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks. Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: “Për Shkëlzen Berishën”.
Dëshmia e Sekretares
Sekretarja ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani. Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë. “Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi. Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, Rovena. Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin”, ka pohuar sekretarja.