Diplomati i njohur, David J. Kostelancik i ripropozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri pritet të dalë sot (më 16 prill) përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Kjo është hera e dytë që David J. Kostelancik do të dalë përpara këtij komiteti si i propozuar për postin e ambasadorit në vendin tonë. Më herët, ai kishte kaluar dëgjesën përpara këtij Komiteti, por votimi në Senatin amerikan së bashku me 40 diplomatë të tjerë të propozuar për shkak të tejkalimit te afateve procedurale nuk u realizua. David J. Kostelancik pritet të rikonfirmohet nga Komiteti, për t’u paraqitur për votim më pas nga Senati. Një diplomat karriere, Kostelançik ka shërbyer dikur në Shqipëri gjate viteve 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelançik do të zëvendësojë Yuri Kim, e cila u largua nga vendi ynë më 25 qershor të vitit 2023, duke marrë një post të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ambasada e SHBA-së drejtohet aktualisht nga i ngarkuari me punë, David Ëisner.
Disa nga përparësitë e David J. Kostelancik si ambasador i ardhshëm i SHBA në Shqipëri
Ndërkohë kujtojmë se David J. Kostelancik, i emëruar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, parashtroi një vit më parë para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, gjatë seancës së konfirmimit, përparësitë e tij si ambasador. “Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi ai. Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim. Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ambasadori i pritshëm, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri.
Kush është Diplomati i njohur, David J. Kostelancik?
Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley. Zoti Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northëestern të këtij shteti. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.