Në kupolën e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), sot Partia e Lirisë (PL) ka plasur ankthi, terrori, por edhe përplasje të nëndheshme pasi shumica e zyrtarëve të kësaj partie janë rreshtuar gjithë këtë kohë një nga një para dyerve të SPAK. Sinjalet janë se ish-Lëvizja Socialiste për Integrim është në prag të një përplasje të madhe publike. Pas sherrit që u raportua pak ditë të parë në një nga mbledhjet e tyre konflikti është gati të dalë jashtë mureve, deri aty sa Ilir Meta është gati të përjashtojë dhe Monika Kryemadhin nga partia. E gjithë kjo situatë vjen nga dosjet që mbajnë emrin e ish-LSI në zyrat e SPAK. Për llogari të hetimeve në aferat e tyre të pastrimit të parave të pista, prokurorët kanë zgjeruar hetimet duke gjetur prova të pakontestueshme korrupsioni. Drejtësia e re dyshohet se po përgatitet që në vijim të marrë zyrtarisht si të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin. Në rrezik është dhe Vangjel Tavo, apo dhe Endrit Braimllari. Nga ana e tyre, gjithashtu po shtohen dyshimet se zyrtarët dhe ish-zyrtarët e kësaj partie kanë paralajmëruar se mund të flasin dhe të rrëfejnë vjedhjet masive që janë bërë në bashkëpunim. Ata kanë kërcënuar se mund të dëshmojnë për paratë e korrupsionit, pasi emrat e tyre thuhet se kanë dalë edhe tek celulari i Monika Kryemadhit që po zbërthehet nga SPAK.
Përplasjet
Përplasjet kanë shkuar deri aty sa Meta mund të bëjë “kurban” Kryemadhin për dosjen e lobimit në SHBA. Firmat i ka hedhur Kryemadhi dhe Vasili, madje në skenë del dhe Luan Rama, një nga funksionarët e fuqishëm të LSI, tashmë i larguar nga kjo parti. Ai është thirrur vitin e kaluar nga SPAK dhe është pyetur nga prokurorët specialë për katër orë. Emri i tij doli në letër-porosinë për formularët e Monika Kryemadhit që sollën amerikanët. Aty thuhej se Luan Rama kishte firmosur në një kontratë që mbante shumën 600 mijë dollarë. Ai e mohoi këtë gjë pasi në dokumentin ku ka hedhur firmë flitej për një shifër prej 60 mijë dollarësh. Pra dyshohet se formularët janë falsifikuar nga kupola e LSI. Rasti i Luan Ramës tregon se ai nuk mund të ketë qenë në dijeni për këtë skemë që i ka ngritur vetë partia e tij duke i shtuar një zero shifrës që ai ka firmosur. Në situatën që po shohim me shpërthimet në publik, edhe Meta nuk është dakord që ta pësojë nga gabimet e Kryemadhit. Zërat i shtoi edhe më shumë vetë Monika Kryemadhi, se mes saj dhe Ilir Metës situata nuk është e mirë pasi SPAK nisi hetimet. “Në fakt më vjen shumë keq si grua që ndonjëherë ne gratë bëhemi mish për top për burrat. Por karma is a bitch Olta dhe ç’të mbjellim do të korrim”, tha Monika Kryemadhi pak ditë më parë.
Përjashtimet
Dje në mbledhjen e Kryesisë, iu vendos vuli se situata mes çiftit nuk është e mirë. Mësohet se Meta ka propozuar që në struktura drejtuese nuk mund të ketë anëtarë të një familje. Kjo do të thotë që Kryemadhi do përfundojë anëtare e thjeshtë, për të mos shkuar te përjashtimi total nga partia. “Ftoj këdo që ka dëshirë të drejtojë më mirë PL të kandidojë në konventën që vjen. Ftoj cilindo që ka një platformë më të mirë, ta paraqesë. Kjo nuk mund të jetë një forcë me dy shoferë. Dualizmi ishte shkatërrimtar për PD, pale kur futet ndonjë dorë e tretë në timon dhe askush nuk mban përgjegjësi për fatin e autobusit. Duhet shpejtësi, duhet vendimmarrje, fuqizim i organizmit dhe përqendrim i mesazhit te 5 prioritetet dhe një vendimmarrje vertikale në zbatimin e çdo vendimi që merr Konventa dhe gjitha forumet më pas”, tha Meta. Por jo vetëm kaq. Tensionet brenda Partisë së Lirisë, vijnë pas ndryshimeve të forta që ka bërë Meta duke eliminuar gjithë grupin e vjetër të partisë së ish-LSI dhe nga rritja e tensionit që po vjen nga hetimet e SPAK rreth Metës dhe Kryemadhit. SPAK ka sekuestruar telefonat e tyre si dhe dokumente në zyrat e PL. Gazeta raportoi se disa ditë më parë, se Meta dyshohet se sajoi vjedhjen e serverit të partisë, për të relativizuar vërtetësinë e të dhënave që mund të ketë mbledhur SPAK.