Në ditën e Rinisë, 8 dhjetor, Partia Socialiste ka mbledhur dje Kongresin, nga ku deputetë, ministra dhe kryebashkiakë të ndarë në 6 penale parashtruan projektin e transformimit të partisë, arritjet dhe synimet për mandatin e katërt. Kryesocialisti Edi Rama u shfaq në krah të Gramoz Ruçit. Para delegatëve të organit më të lartë vendimmarrës të partisë, socialistët në bllok kërkuan drejtësi për 21 janarin, ku 4 protestues të pafajshëm u vranë nga plumbat e shtetit gjatë kohës së qeverisjes Berisha. Një zëri ata thanë se me vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut është hapur rruga që të vendoset drejtësia nga autoritetet shqiptare. E para që mori fjalën, ishte ministrja Elisa Spiropali, e cila fillimisht u ndal te kundërshtarët politikë duke thënë se janë shkërmoqur e nuk e mundin dot më një forcë politike si Partia Socialiste. Partia Socialiste do të vijojë mbështetjen e palëkundur ndaj Reformës në Drejtësi pavarësisht çmimit, theksoi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Madje ai plagë dhimbje e cilësoi “21 janarin”, për të cilin u shpreh se vendimi i Strasburgut ua ka lehtësuar sado pak dhimbjen e këtyre 12 viteve. Ndërkohë më i ashpri mes socialisteve, si gjithnjë u tregua Erion Braçe, i cili tha se në 21 janarin e 2011 u pushkatuan pa gjyq në mes të bulevardit 4 protestues. Akuza pati për Prokurorinë e Tiranës për të cilën thotë se asokohe u tall me hetimet. Në mbylljen e panelit të parë me në fokus Drejtësinë, u shfaq edhe një klip i shkurtër ku tregonte ngjarjen e 21 janarit deri në vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ku thuhet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet. Më pas socialistët u ngjitën në pesë panele të tjera, duke folur për fusha të ndryshme dhe shpalosur ide e mbajtur premtime. Sakaq ishte kryeministri Edi Rama ai që mbajti fjalën e fundit, teksa zbuloi se në vitin 2024 pensionistët do të marrin kartën e tyre dhe pensionin do ta marrin nga banka. Ai u shpreh se kështu lindin dhe grupet kriminale brenda postës pasi pensionet merreshin me zarf, ndërsa tani pensionistët do ta kenë më të lehtë. Rama gjithashtu nuk kurseu as komentet e tij ndaj Partisë së Lirisë, e cila kur ishte në bashkëqeverisje me PS-së, kishte në drejtim Postën Shqiptare. Sipas tij, PL do t’i përdorte korrierët e postave për partinë e vet. Po ashtu, kryeministri informoi se procesi zgjedhor në PS është shtyrë për në pranverë. Ai tha se në pranverë do të mbahet një tjetër mbledhje e Kongresit dhe aty do të diskutohet për ndryshimin e Asamblesë dhe forumeve. Po ashtu ndryshime do të ketë dhe në Kryesi.
Asambleja votëbeson emrat e rinj të sekretariatit të PS
Ndërkaq, dje pas Kongresit të Jashtëzakonshëm u mblodh Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Anëtarët votëbesuan aparatin përbërës të Sekretariatit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. U bë e mundur zgjedhja e Sekretarëve të Rinj si më poshtë: Blendi Klosi – Sekretar i Përgjithshëm; Ardian Çela – Sekretar Organizativ; Eduart Ndreca – Sekretar i Burimeve Njerëzore; Evis Kushi – Sekretare e Gruas; Etjen Xhafaj – Sekretar Digjital dhe i Rinisë; Eridjan Salianji – Sekretar për Çështjet Zgjedhore; Milva Ekonomi – Sekretare e Programit dhe Romina Kuko -Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë.
Reagon Bardhi
Nga ana tjetër, ka reaguar dje edhe deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili ka ironizuar punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, me fokus projektin e transformimit të partisë, arritjet dhe synimet e PS për mandatin e katërt. Bardhi ka publikuar fotot nga 12 ish-kryebashkiakët, ish-ministra dhe ish-deputetët që janë hetuar nga SPAK, ndërsa krahas saj shkruan me ironi se ky do jetë paneli i 7-të i Kongresit me temë ‘Eksperienca më e mirë në luftën kundër korrupsionit në Qeverinë e Edi Ramës’. “Zbulohet paneli i 7 i Kongresit të PS me temë diskutimi ‘Eksperienca më e mirë në luftën kundër korrupsionit në Qeverinë e Edi Ramës’. Për arsye ‘objektive’ diskutimet do të zhvillohen online”, shkroi dje Bardhi me ironi në rrjetet sociale.