Sulmet e medias italiane “RAI 3” ndaj Olsi Ramës në pamje të parë duket sikur rëndojnë pozitat e vëllait të kryeministrit shqiptar. Akuzat e hedhura në qarkullim nga media italiane së fundmi ndaj Olsi Ramës, përpos efektit blic të një lajmi të kësaj peshe zbehen sa më shumë kur lexon se çfarë ka në brendësi. Një investigim i qepur mirë nga gazetarët bëhet me anë të fakteve, por edhe pse një media serioze ndërkombëtare, “RAI 3” hodhi sërish në treg disa akuza të bëra publike kohë më parë, të artikuluara së fundmi nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Gazment Bardhi. Që të marrësh të mirëqenë një akuzë duhet parë se kush e pasqyron këtë akuzë dhe kush janë personazhet që e përfaqësojnë këtë akuzë. “RAI 3” është një media e majtë ekstreme që ka marrë përsipër të publikojë dokumentarin duke u kthyer në zëdhënëse të akuzave të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit pa verifikuar burimet, po ashtu edhe lajmet. Jo vetëm kaq, por RAI 3 i ka shkuar në banesë Sali Berishës, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Që në fillim të intervistës gazetari shprehet se është një situatë paksa e çuditshme duke qenë se ish-kryeministri ndodhet në arrest dhe i akuzuar për korrupsion, por Berisha i thotë se është në hetim politik. Pyetja në këtë mes është se si një media ekstreme e majtë pasqyron dhe mban në qendër të akuzave fjalët e një politikani të djathtë në Shqipëri? Kjo situatë nuk bën çudi pasi koha ka treguar se kur bëhet fjalë për interesat e tij personale, Berisha shet edhe “shpirtin”. Të gjithë e dimë se ish-kryeministri ka rrënjë të forta komuniste. Berisha madje ka qenë sekretar partie.
Akuzat e “RAI 3”
Kjo bën që në dokumentarin italian të hidhen hije dyshimi se kush i sponsorizon këto sulme, pasi “RAI 3” iu është rikthyer akuzave të bëra nga Gazment Bardhi, i cili tha vetëm pak javë më parë se Olsi Rama ka lëvizur me të njëjtën makinë, që lëviznin dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal. “Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë. Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore”, thuhet në emisionin “Report” të RAI 3 që ka publikuar edhe faksimile të publikuara edhe më parë të lëvizjeve të Olsi Ramës dhe anëtarëve të bandës së Xibrakës.
Reagimi i Bardhit
Menjëherë pas publikimit të këtij dokumentari nga mediat italiane, reagoi Gazment Bardhi. “Dokumentet e konfirmuara nga investigimi i “Rai 3”, pohojnë hijen e dyshimit mbi rolin e Olsi Ramës në trafikun ndërkombëtar të kokainës që planifikohej të realizohej përmes Laboratorit të Xibrakës. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë gjykuar tashmë pjesërisht dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë”, shkruan në Facebook Bardhi. Bardhi vë theksin se koha kur anëtarët e mafias shqiptare apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve, dhe kushtëzojnë veprimet e qeverisë, “duhet të marrë fund”. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, i bën thirrje SPAK-ut që të rinisë hetimet dhe të ndalojë përpjekjet e Ramës për ta “varrosur” çështjen. “Është e domosdoshme që pa asnjë vonesë SPAK të rihapë procedimin penal 335/1-2016, të cilin Edi Rama do të dëshironte ta varroste përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse ai bëri gjithçka për të izoluar lajmin mbi denoncimin dhe mohoi çdo kontroll të Parlamentit mbi këtë çështje, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”. “Shqipëria nuk ka të ardhme tjetër përveç rrugës evropiane”, mbyllet reagimi i Bardhit, duke shtuar se duhet bërë “luftë reale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa devijime, dhe pa mbyllur sytë ndaj njerëzve të veshur me pushtet nga Edi Rama!”, u shpreh Bardhi.