Partia Socialiste pritet të përfshihet nga lajme surprizë. Si fillim do të jetë kongresi i socialistëve më 8 dhjetor, që do të mbahet pikërisht në ditën e Rinisë. Për pothuajse 32 vite, 8 dhjetori është festuar nga demokratët si një moment që shënoi nisjen e lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e diktaturës. Por këtë vit, Edi Rama ka vendosur të zhvillojë Kongresin e PS-së pikërisht në këtë datë. Socialistët janë në ankth se çfarë do të njoftojë kreu i qeverisë. Sinjalet janë se do të ketë ndryshime të mëdha. Kongresi do të fokusohet në dy elemente, së pari në fjalimin e Edi Ramës, për sa i përket projektit ‘Shqipëria 2030’ dhe elementi i dytë do të jetë projekti i sekretarit të përgjithshëm Blendi Klosi për riorganizimin e PS, që ka në fokus zgjedhjet e 2025-ës. Mbajtja e këtij kongresi vjen pikërisht dhe nga njoftimet e papritura të kryeministrit për tërheqje të parakohshme nga politika. Edhe pse ai para disa kohësh theksonte dhe fliste për një tjetër mandat, pra do ta mbyllte qeverisjen e tij në 2029, duket sikur ka një ndryshim kursi. Kryeministri dilte nëpër takime me njerëz dhe jepte parashikime për jetëgjatësinë e tij të qëndrimit në pushtet, duke e thënë troç se ai do jetë në drejtimin e vendit të paktën edhe për 7 vitet e ardhshme. Rikujtojmë gjithashtu se në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, Rama shpalosi për herë të parë vizionin për qeverisjen në Shqipëri. Ai u shfaq i sigurt në fitoren e Partisë Socialiste jo vetëm në këto zgjedhje por edhe për 10 vite të tjera. Por ndryshimi i tij është se në intervistat e tij të fundit ai paralajmëron se nuk mund të jetë në krye të qeverisë dhe PS, edhe pse këmbëngul se reformat që nisi do të përfundojnë me sukses. Por kush do t’i përfundojë këto reforma? Duke e njohur të gjithë Ramën nga natyra se si vendos komunikimin me besnikët e tij njeh disa eksperienca. Dhe kryesisht gratë kanë zënë vendin kryesor në delegimin e besimit të kreut të qeverisë, edhe më parë. Shkaku duket se ka pasojë psikologjike, pasi Rama ndërton punën e tij mbi lidhje të ngushta në pak njerëz dhe këto duhet të jenë të besuarit e tij. Përvojat e mëparshme e kanë pasur si libër të lexuar këtë lloj natyre të kryeministrit Rama. Edhe këtë herë dy personazhet që mund ta zëvendësojnë dhe kanë marrë “bekimin” e tij, por edhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë Elisa Spiropali dhe Lindita Nikolla.
Zgjedhjet e Ramës
Si Spiropali dhe Nikolla kanë bërë vizita të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në tetor të këtij viti, Spiropali, por dhe kryetarja e Kuvendit Nikolla takuan zyrtarë shumë të fuqishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. Pra përgatitja e tyre ka nisur dhe bazat po hidhen që tani. Sinjalet, kryeministri Rama i ka dhënë që pas fitores në 14 maj të zgjedhjeve vendore. “Luftën politike, duhet ta bëjnë ata që janë më të rinj se unë, me në krye Elisën”, tha Rama në konferencën e shtypit pas fitores. Si Nikolla dhe Spiropali nuk janë përfolur për hetime dhe dosje në SPAK. Këto dy personazhe janë nga të vetmet në qeverinë e tij që nuk kanë denoncime në Prokurorinë e Posaçme. Përveç këtyre zhvillimeve forumi më i lartë i PS mund të vendosë mbi riorganizimin në parti në këtë sezon politik, por aty mund të shpallet edhe një tjetër riformatimi i qeverisë nga kryeministri Rama, pasi ky i fundit është njeri i surprizave dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij janë nën hetim nga SPAK. Mund të ketë dhe njoftime të papritura nga kryeministri, pasi SPAK e ka vendosur Ramën me shpatulla pas muri edhe pse ky i fundit ka marrë të gjithë pushtetin vendor dhe qendror në duar i vetëm. Në javët e fundit, drejtësia e re ka çuar emra të njohur nga PS në qeli. Po ashtu prokurorët po hetojnë vetë kryeministrin në dosjen “McGonigal”.