Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet ndaj çiftit Meta-Kryemadhi duke marrë në pyetje dhe familjarët e tyre. Ditën e djeshme, Fatime Kryemadhi, nëna e deputetes së Partisë së Lirisë, është marrë në pyetje nga SPAK. E pyetur nga gazetarët në lidhje me atë se çfarë ka deklaruar, Fatime Kryemadhi tha se është pyetur për një shtëpi. Kryemadhi është marrë në pyetje si person që ka dijeni, dhe gjatë përgjigjeve për gazetarët la të kuptohej se i është sekuestruar edhe celulari. “ Unë nuk kam qenë pa shtëpi, në lidhje me pronën time Për çështjen shtëpisë që kam…Unë nuk kam qenë pa punë se këta më kanë nxjerrë me një pension 160 mijë lekë, paskam blerë shtëpi unë… Pse çfarë ka celulari? Ka ndonjë gjë të veçantë,. As nuk kam bërë tendera. As djegësa as 5D. Nuk ka pse të pyetet. Unë tek toka që më ka lënë burri kemi ndërtuar pallatin. Kam ndihmuar vajzën me paratë që mora nga pallati. Me pasurinë kam ndihmuar edhe vajzën për fëmijët. Pse për kë i kam lekët, për fëmijët i kam. I kam të gjitha me bankë”, u shpreh ajo.
Prapaskenat
Shpesh janë hedhur dyshime se në qarkullimin e parave përfshihet edhe Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit ka kaluar në llogarinë bankare të Monikës 13 milionë lekë të vjetra në një rast në vitin 2014, vit të cilin zonja Kryemadhi ka deklaruar 13 apartamente tek pallati në Laprakë. Nuk dihet se cili është burimi i këtyre parave të Fatime Kryemadhit. Këto ishin dhe pyetjet e SPAK? Znj.Fatime nuk ka qenë e pasur dhe këtë e ka konfirmuar kohë më parë dhe shoqja e saj Ajtanga Lubonja. “Monika i thoshte që unë e pasur u bëra nga babai, qesha se m’u kujtua kur shisnim qepë unë e Fatimja në Q.S! Jo moj çupë i thashë nga ekrani, ti u bëre e pasur kur t’u bë burri kryeministër!”. Si bë milionere Fatime Kryemadhi, duke i kaluar para në llogari të bijës, duke shitur qepë dhe speca në Qytetin Studenti?! Kësaj pyetje do t’i japë përgjigje SPAK.
Si familja e Metës u bë milionere gjatë 30 viteve në politikë?
Meta rezulton ndër politikanët më të pasur në vend. Parlamenti i Shqipërisë ka pasur historikisht persona me pasuri sheikësh, por shumica e tyre kanë qenë biznesmenë dhe pasurinë e kanë vënë përmes veprimtarisë në këto biznese. Por nëse shohim deklarimet pranë ILDKPI ndër vite, rezulton se Meta ka pasuri mjaft të lartë, ndërkohë që duhet theksuar se ai dhe bashkëshortja e tij nuk kanë bërë asnjë punë përveç marrjes me politikë. Meta u bë deputet pa mbarur universitetin dhe që prej asaj dite ka qenë në Parlament, qeveri, Presidencë dhe tani kryetar i Partisë së Lirisë. Bashkëshortja e tij e ka nisur karrierën në Forumin Rinor të PS, më pas ka vijuar të jetë anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë dhe në fund përfundoi kryetare e LSI dhe deputete në Parlament. Por nëse shohim deklarimet që ata kanë bërë vit pas viti, pasuria e çiftit presidencial kap shifra të frikshme.
Historia e pasurisë së familjes Meta dhe dhurata e dyshimtë
Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën e mëparshme pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente. Pra konkretisht, në vitin 2007, Monika Kryemadhi ka blerë një sipërfaqe toke 700 m2, në Laprakë, me vlerë 5 milionë lekë. Ngjit me këtë truall, Monika Kryemadhi pretendon se i ka falur familja e saj 500 m2 tokë, duke u bërë kështu pronare e 1 200 m2 tokë. Ata janë shitur nga viti në vit. Vetë Kryemadhi e ka deklaruar disa herë se zotëron një tokë “të falur” nga babai dhe 13 apartamentet e përfituara nga ky ndërtim, duket se vijojnë t’i japin ende shumë të ardhura.