Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu kanë dërguar ditët e fundit një tjetër mesazh zyrtarëve të korruptuar dhe atyre të shpallur “non grata” që jetojnë dhe kryejnë aktivitet korruptive në Ballkanin Perëndimor. Gazeta “SOT” gjatë kësaj kohe ka treguar dhe pasqyruar episode si amerikanët janë të vendosur për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri dhe rajon, ndërkohë që hapin e parë serioz e kanë hedhur së fundmi, pasi tashmë ka nisur gjunjëzimi me ligj për personat “non grata” dhe këdo politikan e zyrtar të përfshirë në afera korruptive. Mësohet se Komisioni për Çështje të Jashtme i Senatit amerikan miratoi javën e kaluar një projektligj ndërpartiak, i cili synon angazhim më të shtuar të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Sipas ligjit që është iniciuar nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe republikani Roger Wicker, synohet që shtetet e Ballkanit të mbështeten në aspektin ekonomik dhe në luftën kundër korrupsionit e aktiviteteve destabilizuese. Njëra ndër hartuesit e projektligjit, senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara, qartazi, nuk do t’i tolerojnë përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon. “E kam shkruar këtë projektligj duke u përqendruar te mundësia për të thelluar përkushtimin dhe investimin tonë në rajon, përmes forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik, si dhe për të vënë në pah mjetet që ka SHBA-ja për t’i dhënë përgjigje ndikimit keqdashës, korrupsionit dhe përpjekjeve tjera që synojnë t’i minojnë aspiratat demokratike të rajonit”, tha Shaheen.
Mesazhi i Joseph
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se senatorët amerikanë janë të shqetësuar për rajonin që, pas pushtimit rus të Ukrainës, “është edhe më i rëndësishëm, por edhe më pak i qëndrueshëm”. “Kjo është arsyeja përse elementet më të rëndësishme në projektligj janë ekonomike. Kodifikimi i autoritetit të sanksioneve kundër atyre që kërcënojnë stabilitetin dhe përfshihen në sjellje korruptive, dërgon një sinjal të fortë”, thotë Joseph. Ligji, mes tjerash, i kushton rëndësi dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe thekson se dy vendet duhet të synojnë që menjëherë t’i zbatojnë detyrimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. “Kur të jetë shënuar përparim i mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara duhet të mendojnë për nxitjen e nismave për t’i përforcuar marrëdhëniet dypalëshe me të dyja vendet”, thuhet në projektligj. Në një pjesë të tij flitet edhe për paqëndrueshmërinë në Bosnje e Hercegovinë, si pasojë e retorikës secesioniste të udhëheqësit serb, Millorad Dodik. Veçohen, po ashtu, edhe zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, të mbajtura dhjetorin e kaluar, si dhe parregullsitë e evidentuara në këto procese, duke vlerësuar se ato “shkaktojnë shqetësim të thellë për gjendjen e demokracisë” në këtë vend.
Si do forcohen institucionet ligjzbatuese
Projektligji kërkon që të gjitha këto çështje të adresohen dhe nxit SHBA-na që t’i ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në përmirësimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe në bërjen e reformave. Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë për Exposenë se projektligji i ri vjen në kohën e “ankthit të shtuar në SHBA” për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. “Është një paketë që synon t’i rrisë lidhjet ekonomike me rajonin, por edhe levat e SHBA-së në ndjekjen e atyre që shkaktojnë telashe në Ballkan”, sipas tij.
Lidhja me Rusinë
Ligji i ri amerikan, krahas paralajmërimeve për ndikimin e Rusisë në Ballkan, tërheq vëmendjen edhe për “ndikimin në rritje të Kinës”. Por, me sa duket, ky perceptim është më i gjerë se kaq. Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan në SHBA, që u publikua javën e kaluar, e nxori Serbinë si rrezikun më të madh për gjysmën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Në një dëshmi, ditë më parë, përpara Komisionit për Forca të Armatosura të Senatit amerikan, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli, fajësoi Rusinë për nxitje të tensioneve ndëretnike në Ballkan dhe tha se Serbia dyshohet se është e përfshirë në këto operacione ndikimi. Ai tha se ka autorizuar tashmë dërgimin e më shumë trupave të NATO-s në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. “Kemi bërë një rishikim të planit dhe ai ka treguar se kemi nevojë jo vetëm për më shumë forca në rajon, por edhe për artileri më të rëndë të NATO-s. Trupat në Bosnje e Hercegovinë dhe ato në Kosovë duhet të përforcohen për vëzhgim, për zbulim dhe për monitorim kërcënimesh”, tha Cavoli. Në një artikull të publikuar në fillim të këtij muaji në Bloomberg, ish-komandanti i forcave aleate të NATO-s për Evropën, James Stavridis, shkroi se, krahas forcave shtesë stabilizuese në rajon, NATO-ja duhet ta ketë parasysh edhe të ashtuquajturën luftë hibride të Rusisë. “Putin është i mirë në përdorimin e mediave sociale, fushatave të dezinformimit dhe propagandës pro-ruse, për të krijuar tensione jashtë kufijve të tij. NATO-ja duhet t’i shfrytëzojë rrjetet e veta të informacionit, për t’i ekspozuar dhe kundërshtuar këto narrativa të rreme”, tha Stavridis. Në këtë frymë, edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, duke folur javën e kaluar në mbështetje të ndihmës për Ukrainën, tha se nëse Putin lejohet, ai do të vazhdojë të marshojë nëpër Evropë. “Mendoj se mund të shkojë edhe në Ballkan”, tha Johnson.
Si do futet në lojë Brukseli
Gjithashtu thuhet se kjo lëvizje nga SHBA-ja për “non gratat” në Tiranë do të ketë koordinim të ngushtë me partnerët në BE, Mbretëri të Bashkuar e aleatë të tjerë sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj personave dhe entiteteve në këtë rajon, që nuk u përmbahen vlerave demokratike. Pra në lojë hyn dhe Bashkimi Evropian, i cili ndryshe nga Amerika dhe Britania nuk ka vendosur sanksione për pushtetarët e lartë të korruptuar. Pra, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës si edhe Britanisë, edhe Bashkimi Evropian, pritet të plasë një “listë të zezë” për pushtetarët e lartë që tentojnë të destabilizojnë vendin.