Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përmes rrjeteve sociale thekson se kërkesa e opozitës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ligjin për komisionet hetimore ka të bëjë me faktin se ligji i miratuar me forcën e kartonit i heq një të drejtë bazike opozitës.
Reagim nga Erisa Xhixho:
“Bashkë me kolegët e opozitës kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shfuqizuar ligjin për komisionet hetimore.
E drejta për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe për të balancuar pushtetet iu hoq Parlamentit në mënyrë të padrejtë me forcën e kartonit.
Ligji që i mohon opozitës të drejtën për ngritjen e komisioneve hetimore, gjë e cila është parashikuar në Nenin 77, shënoi kthimin e Parlamentit në një degë të ekzekutivit, duke shkatërruar mekanizmat e kontrollit parlamentar.
Ky ligj është një tjetër taktikë e maxhorancës në pushtet për t’iu shmangur llogaridhënies e transparencës me qytetarët, sepse vjedhjet, abuzimi dhe korrupsioni janë praktika e zakonshme e saj.
Rezoluta e fundit e PE e vë theksin te miratimi pa konsensus i ligjit për komisionet hetimore parlamentare dhe nënvizon forcimin e llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike në Shqipëri përmes përdorimit të mbikëqyrjes, duke përfshirë komisionet hetimore.
Urojmë që Gjykata Kushtetuese të gjykojë me integritet dhe paanshmëri këtë shkelje të hapur të ligjit themelor të shtetit”, shprehet deputetja e PL-së, Erisa Xhixho.