Sot shënohen 33 vjet nga dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës. Në 20 shkurt të vitit 1991 me qindra qytetarët u mblodhën në Sheshin “Skënderbe” në qendër të Tiranës, për të shembur simbolin e komunizmit dhe rrjedhimisht regjimin komunist, pak muaj pasi sistemi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik. Por për zotin Muharrem Xhafa, ish-funksionarë i lartë i Partisë së Punës, rrëzimi i bustit të Enverit ndodhi për shkak të revoltës popullore. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhafa shprehu dje bindjen se rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 20 shkurt të ’91, sipas tij, ishte një skenar i organizuar nga ish-presidenti i kohës, Ramiz Alia dhe ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Ndër të tjera në intervistën me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa zbuloi se shumica e studentëve të dhjetorit ’90 ishin pjesë e Sigurimit dhe agjenturave të huaja.
-Zoti Xhafa, sot shënohen plot 33 vite nga rrëzimi i busitit të Enver Hoxhës. Si kujtoni ju atë ditë?
Shiko! Rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës, më 20 shkurt 1991, ishte pjesë e një plani të hartuar enkas e me hile prej kryetradhtarit Ramiz Alia, Sekretar i Parë i. KQ të PPSH-së e Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH-së dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, me synim rrëzimin sa më shpejt të rendit socialist në Shqipëri. Në fakt, ky plan kriminal dhe i shëmtuar ishte hartuar kohë më parë, por u bë i mundur më vonë, pas vdekjes së shokut Enver Hoxha, në bashkëpunim të ngushtë me ambasadorin e SHBA-ve, Rajërson, dhe me PD-në, kryesuar prej Sali Berishës. Tre tradhtarët më me damkë të PPSH-së (Ramiz Alia, Sali Berisha dhe Hekuran Isai) qenë ata që organizuan në fshehtësi të plotë, me hile dhe me urgjencë, një mbledhje të rëndësishme, pa njoftuar më parë as pjesëmarrësit dhe as rendin e ditës të saj, në Sallën e Madhe të KQ të PPSH-së. Në atë mbledhje të rëndësishme ishin thirrur anëtarë të KQ të Partisë, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, ministra të qeverisë, etj. Për shkak të detyrës, edhe unë kam qenë i ftuar në atë mbledhje, ndaj them me bindje se ajo mbledhje nuk ishte e rastësishme, por e menduar dhe e organizuar me kujdes dhe me qëllim të keq, çka u kuptua qartë nga ç’tha Ramiz Alia në çelje të mbledhjes, e cila (mbledhja) i kushtohej situatës politike të krijuar në vend dhe kërkesës se opozitës për heqjen e Monumentit të Enver Hoxhës nga Sheshi “Skënderbej”. Enver Hoxha, përveçse personalitet marksist-leninist botëror i njohur dhe udhëheqësi besnik i socializmit në Shqipëri, me Monumentin e tij në qendër të Tiranës, qëndronte si gozhdë në sytë e Ramiz Alisë, Hekuran Isait, Sali Berishës dhe të tjerëve si ata. Ramiz Alia dhe Hekuran Isai njihnin dhe dinin mirë çdo detaj të çmontimit të Monumentit të Enver Hoxhës, edhe ditën e orën, edhe kush do t’i lironte vidat e bulonat e Monumentit, cilët do të ishin njerëzit e PD-së, të cilët do të vinin dorë mbi Monumentin, etj, me yzmin dhe urdhrin e Hekuran Isait. Them me urdhrin e yzmin e Hekuranit, sepse ata njerëz kishin drojë t’i afroheshin Monumentit të Enverit, jo më ta çmontonin, ta rrëzonin dhe ta hiqnin zvarrë Bulevardit të Tiranës. Siç kishte urdhëruar Hekuran me porosi të Ramiz Alisë, vetëm pas këtij akti kriminal do të hynin në veprim falangat e tjera të reaksionit të zi, të vjetër e të llumit të socializmit, si edhe drejtues “demokratë” të PD-së e të partive të tjera borgjeze rreth saj, që gjithashtu me miratim të Ramiz Alisë, do t’u prinin njerëzve të dehur e gjysëm të dehur drejt destinacionit të përcaktuar. Pas rrëzimit tinëz dhe në terrin e natës të monumenteve të Leninit e Stalinit, me veglat dhe mjetet e pushtetit popullor dhe pa bujë, rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës, u bë me bujë e me tamtame, që t’i tregohej botës se socializmi ra edhe në Shqipëri. Rënia përfundimisht e socializmit në Shqipëri as që mund të mendohej pa rrëzimin e Monumentit të Enver Hoxhës. Përsëris, ky krim i paparë dhe i pa ndodhur ndonjëherë në vendin tonë, u nxit dhe u realizua me dashjen dhe me lejen e Ramiz Alisë. Përrallat e netëve të gjata të dimrit të shkurtit 1991 se Monumentin e Enver Hoxhës e rrëzuan forcat e reaksionit dhe të pakënaqurit e socializmit, të përfaqësuar nga PD-ja dhe partitë e tjera të opozitës, i besojnë budallenjtë, antikombëtarët dhe antikomunistët, jo njerëzit e mençur dhe atdhetarë! Pushteti popullor ishte në gjendje t’i bënte zap falangat pedeiste dhe të dehurit a gjysëm të dehurit për 5 minuta, në emër të shumicës së popullit dhe të ligjit, pa qenë nevoja të ndodhte ndonjë tragjedi si ajo e 21 janarit 2011. Dhe sot ata që i shkojnë pas Saliut janë të dehur a gjysëm të dehurit, janë tifozët e çmendur të tij, njerëzit e korruptuar, që presin të vijë Berisha në pushtet dhe t’i shpëtojë në kundërshtim me ligjet!
-Pra ju po thoni se pati sabotimi dhe a u la busti në mëshirë të turmës…
Absolutisht po. Mbrojta e Monumentit të Enver Hoxhës u sabotua me dashje. Pushteti popullor dhe organet e rendit e të mbrojtjes së vendit, si edhe Partia e Punës e Shqipërisë, u nxorën “jashtë loje” nga vetë Ramiz Alia dhe vegla e tij, Hekuran Isai, bashkë me të tjerë rreth kupolës së tradhtisë. Ndaj opinionit publik e në veçanti rinisë u duhet thënë troç dhe hapur se Monumentin e Enver Hoxhës nuk e rrëzoi populli shqiptar, se 5 a 10 mijë njerëz, mbledhur në Sheshin “Skenderbej”, shumica e të cilëve ishin sehirxhinj, as përfaqësonin e as mund të përfaqësonin popullin shqiptar, forcën e vullnetin e tij. Në fakt, as gjithë partia, as gjithë udhëheqja e saj, as shumica e popullit nuk ishin dakord të rrezohej Monumenti i Enverit, siç dëgjojmë të përrallisin partitë e borgjezisë, shteti borgjez, shtypi e rrjetet televizive dhe mjetet e tjera të propagandës borgjeze. Jo! Populli ynë iu bashkua lëvizjes “Vullnetarët e Enverit”, drejtuar me aftësi nga oficeri, gazetari, poeti e politikani trim, Hysni Milloshi. Ramiz Alia nuk guxoi ta shtronte as në Parti e as në referendum popullor çështjen e qëndrimit ndaj Enver Hoxhës, çka më se një herë ua kishte premtuar publikisht në televizor, popullit dhe komunistëve. Mjeshtëri i kurtheve të pabesa, Ramiz Alia, siç thashë më parë, thirri e mbylli, më 20 shkurt 1991, brenda mureve të Sallës së Madhe të KQ të PPSH-së anëtarë të KQ të Partisë dhe sekretarë të parë të KP të rretheve, ministra e anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH-së, rrethuar nga forcat besnike të tij, që askush të mos kishte mundësi të reagonte në kohën kur shërbëtori i “shumë zotërinjve” Isai, t’i jepte Ramiz Alisë lajmin e zi të rrëzimit e të tërheqjes zvarrë të Monumentit të Enver Hoxhës. Njeriu i Ramiz Alisë, Hekuran Isai, nuk ishte në sallën e mbledhjes, jo pse ishte harruar, po sepse ishte ngarkuar me detyrë speciale në krye të operacionit për rrëzimin e Monumentit të Enver Hoxhës dhe pa i hyrë askujt gjemb në këmbë! Mbledhjen për zbatimin e detyrës nga zoti Hekuran, Ramiz Alia e njoftoi pasi “detyra” ishte kryer, pa shpjeguar përse Hekri mungonte në atë mbledhje. Po edhe kjo ishte pjesë e planit. Dredharaku Ramiz Alia, për të humbur gjurmët e tij nuk e njoftoi mbledhjen në moment për çfarë i tha Hekuran Isai, po ia la ta sillte lajmin në sallë me vonë një nëpunës i stafit të tij. Kur Haxhi Lleshi e ndonjë tjetër i thanë Ramiz Alisë se kjo është tradhti, meiti Ramiz Alia u bë më shumë se meit. Edhe kjo ishte pjesë e skenarit. Alia, si një zhongler i vërtetë, torri në atë moment me zë të lartë disa pallavra për mbrojtjen me çdo kusht të Monumentit të Enver Hoxhës. Kjo ishte sa për të kaluar radhën dhe për të tatuat pulsin e atyre që ishin në Sallë, ia la fajin PD-së dhe protestuesve në shesh, ndonëse asgjë nuk bëhej pa dijeninë e tradhtarit Ramiz Alia. Në mos më parë se Enver Hoxha të ndahej nga jeta, më 11 prill 1985, rrëzimi i Monumentit të tij ishte shenja më e qartë që Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, i kishte dhënë fund mbrojtjes së marksizëm-leninizmit dhe veprës së shokut Enver Hoxha, rrugës së socializmit për çka u kishte “çarë” kokën rretheve për gjysëm shekulli.
– Sipas jush, kush e ka meritën për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, pasi në mos gaboj Sali Berisha thotë se i takon atij?
Sali Berisha, sado të përdridhet bashkë me borgjezinë dhe shtetin e tij, nuk mund ta fshehë të vërtetën, që Monumentin e Enver Hoxhës e rrëzoi tradhtia e Ramiz Alisë, jo populli, jo Partia. Shtypi e Televizioni, të gjitha mjetet e propagandës do të bënin mirë të jepnin deklaratat e Sali Berishës e të përfaqësuesve të tjerë të borgjezisë shqiptare në mbështetje të Ramiz Alisë, që populli të shohë se si qëndron e vërteta. Kushdo që feston për rrëzimin, më 20 shkurt 1991, të Monumentit të Enver Hoxhës feston kot. Populli shqiptar e di mirë se është rrezuar dhe hequr zvarrë jo Enver Hoxha, po një grumbull hekurishtesh të Monumentit të tij. Enver Hoxha rron e do të rrojë në shekuj! Historia e udhëheqësit të PKSH-së (PPSH), të LANÇ-it, e Komandantit të Përgjithshëm të saj, e veteranit të parë të LANÇ-it, e heroit të kombit shqiptar nuk zhbëhet! Enver Hoxha e ka Monumentin më madhështor se prej bronzi e hekuri në zemrën e ndërgjegjen e kombit, në gjakun e në shpirtin e popullit shqiptar! Enverin e kërkon të vijë populli! Vepra e Enverit nuk vdes! Enveri është i përjetshëm dhe prehet plot lavdi në varrezat e popullit!
– Pra, ju mendoni se Partia e Punës u tradhtua nga Ramiz Alia?
Po, pa asnjë dyshim. Këto që po them ju në këtë intervistë, unë ia kam thënë në sy Ramiz Alisë kur ishte gjallë. Madje i kam dhënë me dorën time librin “Kur tradhtohej socializmi”, ku unë e përcaktoj Ramiz Alinë si kryetradhëtar. Pas vdekjes së tij nuk më ka hije të flas e të sajoj gjëra të paqena. Qartë e prerë, duhet ndarë, aq sa është e mundur, Ramiz Alia nga masa e ndershme e anëtarësisë së Partisë së Punës. Po, procesi i kalimit të Shqipërisë në kapitalizëm është bërë, pa mëdyshje, me dijeninë e me përkushtimin e Ramiz Alisë, në fshehtësi të plotë e me dredhi, i orientuar, i udhëzuar, i menaxhuar dhe i detyruar prej agjenturave e shteteve të huaja. Nuk ishte diçka e rastit që Rajersoni i SHBA-ve ishte i pranishëm në çdo ngjarje kundërrevolucionare, “mik” i Ramizit e tutor i tij, si dhe aq sa i hynin në punë, edhe i shokëve të Ramiz Alisë.
-Zoti Xhafa, cili është mendimi juaj për liderët e lëvizjes së dhjetorit, posaçërisht për Sali Berishën dhe Azem Hajdarin?
Shiko, unë vërej një shpërdorim të madh të fjalës “lider”. Se, së pari, lider nuk përgatitesh për një javë. Po, ka pasur studentë që u shquan më shumë se të tjerët, për merita të veta apo të të tjerëve, që i futën në “lojë”, kjo është tjetër çështje. Së dyti, studentët më të ndershëm, ata që u shquan në atë lëvizje, morën arratinë jashtë ose brenda vendit, “të përndjekur” prej shokëve të vet, të cilët u katapultuan në pushtet. Madje, disa edhe u përcollën në atë botë po nga pushteti i tyre. Së treti, unë mendoj se s’mund të kualifikohen si liderë të lëvizjes së dhjetorit ata që infiltroi në radhët e saj Ramiz Alia e Sigurimi i Shtetit dhe që punuan për llogari të agjenturave të huaja e të Ramiz Alisë, deri sa kjo gjë që e nevojshme. A, vërtet mendoni ju se janë liderë të dhjetorit 1990 ato “figura” që ishin ose janë sot në Parlament?! Po të hapen dosjet me drejtësi, do të dalë sheshit se kush ishin e kush janë liderët e dhjetorit ’90 dhe po kështu, kush ishin e kush janë “përfaqësues” të popullit.
-Sipas jush, a ishte Sali Berisha besnik i Ramiz Alisë?
Pa nxitjen, mbështetjen, udhëzimet, takimet e Ramiz Alisë nuk do të ishte krijuar as PD-ja, as Partia Republikane. Se jo kot ai thërriste në shtëpi e në zyrën e tij dhe ngarkonte me detyra specifike për “mbarëvajtjen” e protestave të studentëve, Sali Berishën, Sabri Godon e të tjerë. Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë veprimtari e Partisë së Punës, po punë e fshehtë e Ramiz Alisë kundër Partisë. Pa idhullin e tij, Ramiz Alinë, pa tradhtinë e Ramiz Alisë, Sali Berisha kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet! Ai do të kishte ndenjur gjatë nën gurë po të mos e nxirrte prej andej, t’i jepte zemër e ta çonte te studentët Ramiz Alia me Rajersonin e CIA-s! Madje, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj se Ramiz Alia i dha dorën Berishës që në 8 dhjetor, më pas bashkëpunimi i tyre kulmoi në “20 Shkurt” të vitit 1991 dhe në 22 mars të vitit 1992.
-Në dijeninë tuaj, a ka qenë Berisha anëtar i Partisë së Punës. Kohët e fundit ka dalë dhe një foto e tij me Enver Hoxhën dhe një dokument që tregon se ai ka qenë Sekretar i Partisë së Punës, pra komunist?
Sali Berisha nuk ka qenë kurrë komunist i vërtetë! Ai është fshehur nën emrin komunist dhe është mbuluar, e veshur me llak si mik i familjes së Enver Hoxhës! Saliu e urren komunizmin, që e shkolloi dhe e bëri mjek zemre, sepse druhet e trembet mos Enveri vjen sërish. Kështu që për ta dekriptuar më së miri se kush është Sali Berisha, më lejoni t’ju kujtoj një thënie të Vaclav Havel, presidentit i fundit i Çekosllovakisë dhe i pari i Çekisë, i cili e ka thënë bukur se: “Njerëzit më të poshtër janë “komunistët” të kthyer në antikomunistë”.
-Po tani pas një çerek shekulli, si mendoni, Ramiz Alia bëri më të mirën në atë kohë, apo tradhtoi idealet komuniste dhe Enver Hoxhën?
Për Ramiz Alinë e rolin e tij në përmbysjen e socializmit dhe vendosjen e kapitalizmit në Shqipëri, ka opinione e qëndrime të ndryshme e të kundërta. Të djathtët, të kryesuar prej Partisë Demokratike, nuk i pranojnë “vlerat” në shërbim të borgjezisë të Ramiz Alisë, ndonëse ai i organizoi në proceset kundërrevolucionare dhe u dha pushtetin në tavolinë, kur e urdhëruan. Sepse ai nuk ishte më i nevojshëm për më tej. Pse e bëjnë të djathtët këtë? Sepse kështu u bie “vlera”. Po kështu të majtët, me PS në krye, as këta nuk e çmojnë Ramiz Alinë, sepse u bie “rybja” edhe këtyre dhe tremben mos i akuzon kush si “mbështetës” të komunizmit, duke harruar se Alia ishte, ndonëse formalisht, lideri i PPSH-së, kur, në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, i solli në krye të pushtetit “pluralist” borgjez dhe pastaj, në Kongresin e 10-të të PPSH-së, në krye të Partisë Socialiste. Ndërsa për ne komunistët, Ramiz Alia është kryetradhëtar! Ai bëri më të mirën për borgjezinë e jo për popullin, bëri më të mirën për Sali Berishën, që edhe sot është në pushtet. Ramizi e dorëzoi pushtetin si një frikacak i vërtetë. Nuk sqarohen gjërat e Alisë me kaq. Kush është i interesuar, le të shohë një analizë që unë kam bërë në librin “Kur tradhtohej socializmi”. Për ta thënë më troç, për ne komunistët, Ramiz Alia është kryetradhëtari i idealeve komuniste dhe i Enver Hoxhës. E di që dikush thotë se ai ka meritën që kalimi i Shqipërisë në kapitalizëm u bë në paqe, pa ato eksese tragjike, që ndodhën në vendet ish-socialiste. Po, por kjo u bë jo duke mbrojtur interesat e popullit, të socializmit, idealet e komunizmit, mësimet e Enver Hoxhës, për të cilat ishte betuar se do të luftonte deri në vdekje, po për të sjellë në fuqi borgjezinë, që, siç e shohim, e ka rrjepur popullin dhe po ia merr shpirtin çdo ditë. Jam i bindur se kjo është bërë edhe si premtim, si kusht, për të mos e burgosur ish-presidentin Alia. Po borgjezia nuk ka besë. Alia, si duket, e kishte harruar një mësim të tillë të historisë së revolucionit.
Intervistoi: Rigels Seliman