Njeriu i besuar i ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi duket se është përfshirë në skandal. Lajmi është bërë i ditur nga portali “Prapaskena”, i cili zbulon detaje të tjera rreth skandalit me tenderin 4 milionë euro gjoja shuarjen e zjarreve nga ajri, fituar me pazar paraprak nga kompania fantazmë Vivahelicopters e Kujtim Lamit, me letra false dhe pa plotësuar kriteret, pasi kompania me kapital 200 mijë lekë nuk kishte asnjë mjet fluturues, por vetëm letra. Tenderi për kompaninë e Kujtim Lamit është firmosur ne 16 gusht të vitit 2021 nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ndërsa kompania rezulton e themeluar në 20 prill 2020. Më pas është lidhur kontrata, e cila nuk është zbatuar, pasi siç e theksuam më lart, Vivahelicopters ishte një kompani vetëm në letra. Pra, thjeshtë janë ndarë 4 milionë euro. Burime për Prapaskenën theksuan se pjesë e aferës është bërë edhe një këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka grisur dy fletë nga kontrata e firmosur, me qëllim mbulimin e provave të vjedhjes.
Manipulimet
Këshilltari i Peleshit është angazhuar me urgjencë në manipulimin e kontratës, me qëllim mbulimin e moszbatimit të saj, fakt që vesh me përgjegjësi penale një grup zyrtarësh. Këshilltari njihet si njeriu më i besuar i Peleshit për punë të pista në disa ministri. Edhe pse në hije, këshilltari ka përvojë në qarkullimin dhe vjedhjen e donacioneve të huaja, projekteve dhe sidomos parave publike si sekser i ministrave dhe ‘markues’ i drejtorëve. Paratë e korrupsionit me donacione, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes i ka investuar në pasuri të paluajtshme në emër të të afërmve. Ftojmë SPAK të bëjë një verifikim të thjeshtë, duke kërkuar dokumente nëse kompania fantazmë Vivahelicopters ka ngritur ndonjëherë helikopter për të shuar zjarre, pasi ka marrë paratë, ku e ka gjetur helikopterin, çfarë zjarresh ka shuar, çfarë parashikon kontrata, a mungojnë faqe në kontratë, ku kanë shkuar paratë, etj. Nga dosja që disponojmë, rezulton se fillimisht ka pasur një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi për rritjen e kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri”, shkruan portali “Prapaskena”. Urdhri ngarkonte AKMC, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar për të marrë masat për caktimin e fondit. Më pas është ngritur një grup pune për përzgjedhjen e kompanisë dhe negocimin e kushteve të marrëveshjes. Sipas burimeve, grupi i punës është shprehur kundër dhënies së tenderit kompanisë Vivahelicopters, pasi nuk plotësonte kriteret, nuk mund të zbatonte kontratën, nuk kishte asnjë aset dhe një vendim i tillë ishte i paligjshëm dhe me pasoja penale.