Deputeti i PS-së Fadil Nasufi tha në një studio televizive, se vërejtjet racionale që kanë bërë shoqatat dhe ekspertët janë reflektuar në ndryshimet e miratuara sot në projektligjin për “Zonat e Mbrojtura”.
Duke vijuar më tej, Nasufi theksoi se nga drafti fillestar janë rrëzuar 8 nene, ndërkohë që 12 të tjera janë riformuluar në bazë të direktivave europiane.
Sipas Nasufit, nuk preken kufijtë e zonave të mbrojtura.
“Të gjitha shoqatat, organizatat, gati 23 ekspertë, gati 57 shoqata, 12 që u dëgjuan në komision, të tjerat që sollën mendime në adresë të komisionit tonë të Veprimtarive Prodhuese, opsionet e tyre që shtruan, merakun që kishin është reflektuar në ripunimin që iu bë ligjit dhe reflektimin që iu bë ligjit për zonat e mbrojtura. Ne ndërhymë në ligjin 81/2017 se ligji në vetvete është strikt, konservator, i dedikuar për zonat e mbrojtura dhe nuk lejon në zbatimin praktik të tij që të ketë pjesëmarrje të komuniteteve ku janë zonat e mbrojtura në vendimmarrje apo qeverisja vendore ku shtrihen territoret e zonave e mbrojtura, ndërkohë që kishte nevojë ligji që të kishte një qasje më të drejtpërdrejtë dhe reflektimet që janë bërë ndaj parimeve të BE, ndaj nenit 8 të MSA dhe kishte nevojë për disa riformulime që janë reflektuar në mënyrë korrekte në amendamentet që u propozuan.
8 nene që i propozuam ne si grup nismëtar u rrëzuan, 12 nene u riformuluan. U pasqyruan vërejtjet racionale që këto shoqata i bënë me shkrim dhe dëgjesa.
Nuk preken kufijtë e zonave të mbrojtura, nga 17.5% të sipërfaqeve të zonave të gjelbra që kanë qenë në 2015, sot janë 21.5% , shto dhe Parkun Kombëtar të Vjosës.
Në këtë aspekt përkujdesja dhe vëmendja për t’i trajtuar zonat e mbrojtura me status të veçantë është shumë korrekte.
Ka riformulime se ato nene që kishim ishin më shumë në aspektin deklarativ, së treti ka disa problematika të mbartura që kanë të bëjnë me informalitetin që kanë zonat e mbrojtura.”, tha Nasufi.
Po ashtu Nasufi tha se beson se në fillim të marsit projektligji për amnistinë penale do të jetë në axhendë.