Kapriçot e kryeministri Edi Rama, i cili iu ka shpallur “luftë” bizneseve sidomos atyre të huaja, duket se po iu kushtojnë shumë qytetarëve shqiptarë. Pak kohë më parë Arbitrazhi Ndërkombëtar ka marrë vendimin përfundimtar, teksa vendosi që shteti shqiptar duhet t’i paguajë biznesmenit italian, Françesko Beketi, një shumë që shkon deri në 140 milionë euro. Por sikur të mos mjaftonte kjo, të tjera telashe e presin qeverinë shqiptare. Kjo pasi mësohet se Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar rrëzoi kërkesën e qeverisë Rama dhe vendosi në favor të kompanisë gjermane EMS, duke hapur gjykimin në themel të çështjes për një dëm 40 milionë euro, shkaktuar kësaj të fundit nga vendimi për ta kthyer në resort portin e Durrësit. Me këtë vendim, për fat të keq, 40 milionë euro të taksave të shqiptarëve mund të konsideron të humbura. Ndërkohë në të njëjtën kohë kompania turke “Durrës Kurum Shipping”, ka paditur qeverinë Rama për 100 milionë euro të tjera, në një çështje të dytë që lidhet përsëri me Portin e Durrësit. Pra duke patur parasysh humbjet seriale të çështjeve në Arbitrazh nga qeveria Rama, si pasojë e vendimeve klienteliste, kjo faturë e frikshme do të rritet dhe në fund janë qytetarët shqiptarë ata që do paguajnë për faj apo kapriço të Ramës.
Rama përplaset me gazetarin italian
Ndërkohë as samitit të Ukrainës i cili u mbajt dje në Tiranë ditën e sotme kryeqyteti pret edhe samitin e BE- Ballkani perëndimor. Kryeministri Edi Rama priti sot në tapetin e kuq të gjithë pjesëmarrësit. Teksa Rama po priste ardhjen e përfaqësuesve një gazetar italian ka përfituar nga rasti ti bëjë një pyetje kryeministrit. “A do paguash për Francesco Becchetti?”, ka qenë pyetja e gazetarit për Ramën. “Nuk e njoh,” u përgjigj Rama ndërsa gazetari tentoi të pyeste sërish por kryeministri iu përgjigj me të njëjtat fjalë. Gazetari italian ngriti pretendimin e shfaqur në mediat italiane se paratë që Beketi ka fituar në arbitrazh, mund të mbahen nga paratë që qeveria italiane do i japë Shqipërisë për ngritjen e kampeve të refugjatëve. I pyetur për këtë çështje, Rama tha: “Zero lekë do të marrë”. Pastaj gazetari e pyet çfarë ndodh me marrëveshjen nëse ndryshohet pushteti dhe Rama i thotë se ai do të jetë edhe 5 vjet këtu.
“Thesi” 6 mld euro i BE për Ballkanin Perendimor nuk hapet pa reforma
Por teksa qeveria “Rama” duhet të likuidojë borxhet ndaj kompanive që kanë fituar gjyqin në arbitrazh, Komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi deklaroi dje se plani i Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria parashikon dyfishimin e të ardhurave për vendet e rajonit në 10 vitet e ardhshme. Gjatë fjalës së tij nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, Varhelyi theksoi se ky plan do të funksionojë vetëm nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të zbatojnë rregullat e Bashkimit Evropian. Më tej, Komisioneri Varhelui ka shpalosur dhe kushtet teksa tha se ka ngelur dhe gjysma e kohës për të vënë në zbatim këtë plan. Ai shtoi më tej se BE duhet të ofrojë të gjitha përfitimet për vendet që do të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian. Varhelyi tha se përveç 30 miliardë eurove të jepen edhe 6 miliardë euro të tjera. Ndër të tjera ai u shpreh se rajoni duhet të ecë përpara me shpejtësi vetëm me reforma. Megjithatë “thesi” 6 miliardë euro i BE nuk hapet për Ballkanin Perëndimor nëse shtetet anëtare nuk plotësojnë reformat, madje edhe me ritme të shpejta për të kapur afatet e vendosura. Kështu ka deklaruar dje Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman. Në Samitin BE-Balkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, Koopman nënvizoi se për të marrë 6 miliardë euro fonde nga Brukseli duhet ritëm i lartë reformash. Ai u shpreh se ka mbetur vetëm një muaj kohë për mbylljen e reformave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Drejtori i grupit të BE-së për fqinjësinë dhe zgjerimin theksoi gjithashtu se duhet që edhe institucionet e pavarura të bëjnë punën e tyre.