Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj tha sot nga foltorja e Kuvendit se ende nuk është kërkuar falje për krimet e diktaturës.
Gjekmarkaj, duke diskutuar në seancën e sotme ku u paraqit edhe raporti vjetor i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2023, tha se duket të ketë një reflektim dhe hetim mbi të kaluarën, e cila nuk duhet të përsëritet më.
“Asnjëri prej nesh nuk e zgjedh trashëgiminë e tij, por të gjithë kemi mundësi të reflektojmë mbi të. Kur kjo nuk ndodh, historia përsëritet si shaka, si komedi, tragjedi. Ata që u burgosën nga diktatura, kanë provuar represionin, persekutimin, por edhe krenarinë e të qenit në anën e drejtë të historisë, të lirë, në anën e humanizmit dhe dinjitetit njerëzor”, tha Gjekmarkaj.
“Shumëkush, kundërshtinë e pati zgjedhje të vetëdijshme, të tjerët të vetëdijshëm nënshtrimin. Të parët, janë heronj, të dytët janë njerëz. Heronjtë krijojnë shembullin, njerëzit duhet të mësojnë prej forcës së tij e depersonalizoni, mos të mbetet e vetmja rrugë për ta. Gjithmonë është dikush që qëndron. Nga kjo masë njerëzore, dalin individë, që shpëtojnë dinjitetin e një kombi përballë historisë”, tha nënkryetari i Kuvendit.
“Të qenit në atë anë do të thotë të mishërosh, të falësh të ngjashmin tënd që u shndërrua në instrument shtazërie, ndërkohë ke gjetur rrugën të bashkëjetosh me zhgënjimin e tmerrshëm të mungesës së drejtësisë, dikush të kërkojë falje, dikush të hetojë mbi të kaluarën, që dikush në majë të gishtave të lërë një pusullë që nuk mbërrin kurrë me fjalën ndjesë. Kjo nuk ndodh. Për çudi, shoh njerëz të sigurimit të shtetit, prokurorë, që japin intervista, shpërlarje në media, me një dialekt nga koha e vjetër ‘Enveri inë’”, tha Gjekmarkaj.