Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalimin e tij para mbështetësve ka folur për skandalin e raportuar tek Onkologjiku. Berisha tha se te reparti i Onkologjikut te QSUT, ka pasur edhe një mjek që raportoi në ministri për impiantin e kobaltit, ndërsa më pas ka dhënë dorëheqjen. Ai tha se me matje ndërkombëtare, burimi i rrezatimit nga pajisja e kobaltit ishte 18 herë mbi normën ndërkombëtare. Berisha po ashtu bëri thirrje për pjesmarrje në protestën e 11 korrikut.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Por ka një mjek të ndërgjegjshëm, sigurisht ka shumë, por ai bëri gjithçka për të mbrojtur personelin, të sëmurët nga impianti vdekjeprurës i Manastirliut dhe ish-kunatës së Edi Ramës. Ky mjek i nderuar, të cilit unë i uroj suksese, protestoi në ministri për impiantin e vdekjes. Protestoi te Joti dhe te drejtorët e QSUT-së. Protestoi te drejtoria e Onkologjikut. Denoncoi në prokurori te burri i Ermelindës, te prokurori-Felaj. Të gjithë kanë heshtur si fije bari, bashkë-kriminelë, bashkë-vrasës. Njëri pas tjetrit duke mbrojtur njëri-tjetrin. Mjeku i ndërgjegjshëm dha dorëheqjen, u largua me një guxim dhe duke i thënë: ç’ke ti me këtë punë, mos u merr ti me këtë punë.
Mos u merr me këtë punë, ndërkohë burimi i rrezatimit ishte 18 herë mbi normën, me matje ndërkombëtare. U ndala në këtë moment për t’u shpjeguar shqiptarëve se fati i tyre në duart e Edi Ramës, se fati i tyre në duart e këtij pushteti është sot më i pasigurt se kurrë. Se o sot o kurrë duhet të marrin fatin në duart e tyre. Se sot o kurrë duhet të marrin fatin e tyre në duart e tyre. Duhet të bashkohemi në protestën e fuqishme. 11 korriku është dita të themi fjalën tonë. Është dita e betejës sonë. Është dita e fitores sonë.