Pasi mori zyrtarisht vulën dhe logon e Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi dje Kryesinë ndonëse nga “arresti shtëpiak” ku ndodhet prej 30 dhjetorit. Anëtarët e Kryesisë së PD, u mblodhën në selinë blu, ndërsa lideri i tyre iu bashkua mbledhjes përmes platformave online, ku u bëri thirrje demokratëve për bashkim në një front të vetëm opozitar. Ne mbledhjen e djeshme Kryesia vendosi të thërrasë edhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, të premten e 28 qershorit, ndërsa në funksion të aksionit opozitar Berisha thirri edhe një protestë kombëtare në 12 korrik. Por kjo lëvizje e Berishës është një strategji, pasi ai ka humbur mandatin e deputetit, siç thuhet në nenin 71 të Kushtetutës ku shkruhet se, ligjvënësi e humbet mandatin kur mungon mbi 6 muaj rresht pa arsye në seancat e Kuvendit. Kështu që përpara kësaj situate ai po mendon që t’ia kalojë drejtimin e PD, vajzës së tij, Argita Malltezit, të cilin pritet ta kurorëzojë më 12 korrik gjatë protestës së thirrur prej tij. Por ky vendim i Sali Berishës është një goditje e fortë për Gazment Bardhin, i cili pasi u përdor nga ish-kryeministri për interesat e tij, përfundoi si “limon i shtrydhur”, pasi ëndrra e tij për të marrë frenat e Partisë Demorkatike është shuar me daljen në skenë të Argitës. “Detyra jonë është një dhe vetëm një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim dhe krijimi i qeverisë teknike. Rëndom shtrohet pyetja se si mund të krijohet qeveria teknike. Së pari u them shqiptarëve se qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme, sepse Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Edi Rama dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i aftë të shkelë çdo ligj, normë kushtetutë. Një qeveri që zbaton ligjet, kushtetutën, ajo qeveris gjer në zgjedhjet e radhës. Një qeveri që nuk ka ligj, normë e moral, ajo qëndron në pushtet vetëm për shkak të dobësisë së opozitës. Ajo nuk meriton as 24 orë të qëndrojë në pushtet në vend dhe ne duhet të ua bëjmë të qartë të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve tanë, se në rast se sot qeveris Edi Rama ai qeveris për shkak të dobësive tona dhe këto dobësi duhet të marrin fund sa më shpejt. Opozita është në provën e saj më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Do të arrijë ajo të imponojë një qeveri teknike apo të shkojë dhe të firmosë fitoren e radhës së Ramës dhe të ndëshkojë shqiptarët, alternativë tjetër nuk ka. Unë them se ne duhet të zgjedhim të parën”, deklaroi Berisha.
Argita dhe PD
Ndërkohë sikundër e përmendëm më sipër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar lajmet që qarkullojnë se vajza e tij, Argita Malltezi mund të drejtojë në të ardhmen partinë. Berisha u shpreh se askush nuk mund të përdorë trashëgiminë familjare, por shtoi se nëse fëmijët e tij do të kenë synim të marrin drejtimin e PD, ato duhet që t’u nënshtrohen proceseve të votimit brenda partisë. “Nuk mund të përdorin trashëgiminë familjare. Nëse kanë dëshirë të ndjekin hierarkinë dhe ngjitjen në PD duhet t’u nënshtrohen proceset demokratike për votimin brenda PD si gjithë të tjerët”, u shpreh ai.
Berisha sulmon Dumanin
Sakaq, lideri i PD, Sali Berisha ka vijuar akuzat në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumanit, në lidhje me nënshtrimin e tij ndaj provave skandaloze të korrupsionit galopant të Edi Ramës. “Altin Zamani, ky mercenar në krye të grupit të strukturuar kriminal, thërret në Skrap blerësin e tretë të një banesë që dikur i përkiste ish-armikut Ilir Meta. Por nuk guxon ky horr të hetojë pallatin pesëkatësh të Linda Ramës që nuk ka asnjë faturë, ndërtimore, bankare apo të çfarëdo lloji. Nuk guxon ky horr që duan t’ia shesin shqiptarëve, të hetojë sarajet e Surrelit me 5 mijë metra katrorë kopsht, 57 metër katror themele, në një kohë kur Edi Rama kishte të deklaruara gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Ju o dumanistë që nuk keni fytyrë të mbroni mëkatet tuaja se u ka marrë peng ai, thojuni shqiptarëve a duhet të hetohen sarajet e Edi Ramës, të ndërtuara mbi vjedhjen dhe krimin, apo duhet të thirret Batoni i Edi Ramës që ka blerë nga një blerës një shtëpi të blerë dikur nga Ilir Meta. A e shihni ju tellallë që kaloni nga studio në studio për të mbrojtur krimet tuaja, se u ka marrë peng Dumani, përpiqeni të shisni kallp-sondazhe se paska opinion për të. Se qenka i preferuar një hajdut i marrë peng, që ka larë paratë e vjedhura me apartamente”, nënvizoi dje Berisha.
Basha sulmon Ramën dhe Berishën
Nga ana tjetër, sa i takon situatës brenda Partisë Demorkatike ka folur edhe Lulzim Basha. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat ka komentuar dje vendimin e 11 qershorit si një pazar në kurriz të shqiptarëve, për interes të Ramës dhe Berishës, ndërsa deklaroi se kjo padrejtësi nuk do të pranohet dhe se do të ndjekin të gjitha shkallët e drejtësisë, deri në Strasburg. Madje Basha shtoi se nuk do mbetet peng i diskutimeve procedurale, por do të vazhdojnë me shpalosjen e alternativës, programit dhe ekipit për zgjedhjet e ardhshme, duke ofruar një model politik që ka në qendër qytetarët, në një dialog të hapur dhe vazhduar me ta. “Sigurisht nga njëra anë mërzi dhe zemërim, me faktin që padrejtësia e mishëruar në vendimin e 11 qershorit, është po kështu edhe produkt i një pazari në kurriz të shqiptarëve për interesat e dyshes së vjetër, e tangos së vjetër midis kryeministrit dhe ish kryeministrit, por kundër interesave të shqiptarëve natyrisht dhe natyrisht dhe kundër interesave të opozitarëve dhe kundër interesave të demokratëve. Kjo është ndjesia e parë, sepse në këtë aspekt profesional, juridik, politik, askush nuk mund të pranojë dhe nuk priste një vendim të tillë. Por nga ana tjetër e fortë dhe e pandalshme është dhe vendosmëria për të mos u tërhequr, për të mos pranuar këtë padrejtësi të tillë, për ta ndjekur në çdo shkallë, deri në shkallët e drejtësisë europiane këtu ku ndodhem në Strasburg. Dhe nga ana tjetër për t’iu dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë, me pak fjalë është emërues i përbashkët i takimeve që kam zhvilluar. Nga ana tjetër sigurisht është që të mos mbetemi peng i këtij diskutimi procedurial. Ne e kemi alternativën, ne e kemi programin. Unë i riktheva në vëmendje disa pika të programit. Por ne nuk do të harxhojmë asnjë sekond, ne do të jemi me njerëzit, ne do të jemi me qytetarët duke e diskutuar alternativën tonë, duke shpalosur propozimet tona, duke marrë mendimet e tyre, duke i bërë pjesë. Sepse kjo është politika drejt të cilave besojmë. Një politikë që i përfshin njerëzit, i bën pjesë të vendimmarrjes, i bën pjesë të përgjegjësisë. Dhe në fund me votë për të ardhmen e tyre dhe jo të politikës të kulisave dhe të pazareve të vjetra të tranzicionit, ku bëjnë sikur janë kundër njëri-tjetrit, por të gjitha pazaret i bëjnë me njëri-tjetrin, për interesat e veta, kundër interesave të shqiptarëve”, deklaroi dje Basha.
Alibeaj dorëzon në Parlament kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i PD
Ndërkaq Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar dje në Kuvend kërkesën për t’u larguar nga grupi parlamentar i PD, veprim ky i ndërmarrë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën. Mësohet se Alibeaj ka kërkuar të cilësohet si deputet jashtë grupeve parlamentare. Pesë ditë më parë, Alibeaj reagoi në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit e cila i dha vulën e PD ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD se drejtuar nga Berisha dhe politika e tij e vjetër. Alibeaj ka shtuar gjithashtu se për të qenë demokrat sot, duhet të jesh “berishist”, dhe sipas tij kjo është një gjë që nuk e bën dot.