Gjiganti ndërkombëtar i hidrokarbureve, Shell, ka konfirmuar zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e saj nga ky vendburim. Lajmin e ka dhënë gazetari Klodian Tomorri, i cili thotë se në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raporton se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri. “Për tremujorin e parë, fshirjet e kërkimit të puseve pritet të jenë 0.6 miliardë dollarë, kryesisht në Shqipëri,” deklaroi kompania në përditësimin e rezultateve financiare për tremujorin e parë të vitit. Kompanitë e naftës shpenzojnë miliarda dollarë për kërkimin e vendburimeve të reja duke mbledhur të dhëna sizmike dhe duke shpuar puse për të zbuluar vendburime të reja naftë dhe gazi. Por kur kërkimet dështojnë ose puset rezultojnë të paleverdishme, kompanitë i fshijnë ato nga regjistrat e tyre kontabël.
Teatri i gaztorëve
Gazetari Tomorri ironizoi dhe qeverinë me deklaratat e tyre, të cilët e shitën si një zbulim të madh naftën në Shpirag. “Në verën e vitit të kaluar, Edi Rama dhe Belinda Balluku dolën përpara kamerave për t’u dhënë shqiptarëve një nga lajmet më të mëdha të shekullit. Atë të një zbulimi të madh nafte në Shpirag, që do ta bënte Shqipërinë vend të pasur. ‘Kjo pasuri do impaktojë pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë. Ata do jenë përfituesit më të mëdhenj se ne do ndërtojmë si duhet një fond sovran serioz për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit’, tha Rama. Detyra për ngritjen e fondit sovran sipas modelit norvegjez, i cili do të administronte miliardat nga nafta e Shpiragut iu ngarkua Belinda Ballukut. Kjo e fundit nisi menjëherë nga puna duke numëruar paratë, të cilat sipas saj ishin aq shumë sa që nuk menaxhoheshin dot nga buxheti i shtetit. ‘Nga momenti që filluam punën për ngritjen e një Fondi Sovran, flitet për të ardhura shumë më të larta se 500 milionë euro në vit, të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit, por nga Fondi Sovran,’ deklaroi Balluku. Por e gjithë kjo shfaqje qesharake përfundoi shumë shpejt. Qeverisë i mbeti përralla me fondin sovran dhe miliardat, që do të vërshonin në xhepat e qytetarëve shqiptarë nga fëmijët deri tek pensionistët. Me pak fjalë, një teatër klounësh me aktorë kryesorë dy figurat më të rëndësishme të qeverisë, kryeministrin dhe zëvendësen e tij”, thotë ai në shkrimin e tij.
Ironia e gazetarit
Lidhur me propagandën dhe përrallat që ka bërë qeveria për naftën në Shpirag ka reaguar dhe analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi i cili heq një paralele me zbulimin e radhës që është bërë në Bulqizë. “Në një botë ideale, kjo histori do të shërbente si një mësim i çmuar për qeverinë: Jo çdo gjë që shkëlqen është ar (i zi) dhe… heronjtë e përrallave moderne duhet të jenë pak më të kujdesshëm me premtime parazgjedhore që tingëllojnë si “hapu Sezam”. Është mirë që shpesh të hapin librin e proverbave dhe të lexojnë: “Peshku në det, tigani në zjarr!”, apo “Më mirë një zog në dorë se 100 që fluturojnë!”. Kryeministri, i cili kishte paralajmëruar një epokë të re prosperiteti falë Shpiragut, tani do të duhet të jetë gati për një tjetër vëllim rrëfenjash. Nuk thonë kot: Zoti me një dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Një zbulim i ri pritet që këtë radhë jo vetëm të ndryshojë fatet e vendit, por edhe të mbarë rajonit dhe botës: Është hidrogjeni në Bulqizë. Ky qytet mbetet i njohur më shumë për varfërinë dhe viktimat se sa për pasurinë e tij që vetëm vret, ku në një anë të pasurit numërojnë vagonat e kromit, të varfërit numërojnë arkivolet e viktimave. Megjithatë, pas dështimit në Shpirag, qeveria me lugën bosh në brez i ka gati planet për të shpallur Bulqizën si “Kuëaitin e Ri” të Ballkanit. “Shihni, nuk ka rëndësi se nuk gjetëm naftë në Shpirag; ne kemi tani – H2 në Bulqizë!” mund të imagjinohet duke thënë Kryeministri me syzet në kokë, duke i dhënë një kthesë të papritur ngjarjeve që çuditërisht ndodhin para zgjedhjeve. “Hidrogjeni është e ardhmja, dhe Shqipëria do të jetë lideri i këtij revolucioni të gjelbër. Hidrogjeni nuk është vetëm i lehtë, por është i pastër. Aq i pastër saqë njerëzit në këtë vend nuk do të thithin oksigjen (O2), por hidrogjen (H2)”. Ndërsa skeptikët (që nuk i kanë munguar asnjëherë këtij vendi), thonë se Bulqiza është episodi i radhës në serialin e pafund të “Teatrit të Gaztorëve”, disa janë të bindur se këtë herë qeveria ka të drejtë. A është hidrogjeni në Bulqizë shpëtimi që të gjithë kanë pritur, apo thjesht një tjetër iluzion në repertorin e larmishëm të qeverisë? E sigurt është vetëm një gjë: Në këtë teatër gaztorësh, askush nuk mund të thotë që nuk është argëtuar e do argëtohet, pasi për ta përtypur këtë realitet zgjidhja që ka mbetur është të qeshësh!”, përfundon shkrimin Lutfi Dervishi.