Prokuroria e Poscame (SPAK) ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila shpalli të pafajshëm ish-kryebashkiakun demokrat të Pogradecit, Eduart Kaprin, i cili akuzohej nga prokuroria për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë. Prokuroria kërkon dënimin e tij me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike. SPAK kishte mbyllur hetimet për këtë dosje dhe akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte. Mirëpo, me një vendim të marrë më 4 korrik 2023, nga GJKKO, Kapri u lirua nga akuzat “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim detyre”. Po u shpallën të pafajshëm edhe 5 ish-vartësit e tij, Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec. Kapri dhe ish vartësit sipas SPAK, jo vetëm abuzuan me një tender por në 28 qershor 2019 në tre shkolla dhe një kopsht janë kapur në flagrancë nga policia duke mbyllur me çelës tre shkolla të miratuara si qendra votimi prej KQZ-së.
Kryebashkiaku i Pogradecit zbulon shkeljen: I kemi vënë kyçin shkollës
Ndërkohë, ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, pak kohë më parë ka kërkuar lirimin e zyrtarëve të Bashkisë Pogradec. Përmes një deklarate ai ka bërë edhe një “denoncim”, duke deklaruar se një shkollë e cila është mbyllur nga bashkia si pronë e saj është hapur gjatë natës. Gjatë fjalës së tij, Kapri tha se është normale që dyert e shkollave të mbyllen në mbyllje të procesit mësimor duke neglizhuar procesin zgjedhor dhe përdorimin e këtyre ambienteve si KZAZ apo qendra votimi. Ai gjithashtu deklaroi se nuk e kupton urdhrin e policisë për pengimin e zgjedhësit pasi është në zbatim të dekretit të presidentit.“Forcat e policisë së shtetit kanë arrestuar dhe shoqëruar padrejtësisht punonjës të policisë. Bashkia Pogradec dënon këtë akt, i cili sjellë në mendje masat e regjimit komunist për të përcjellë frikë dhe panik. I bëjmë thirrje policisë të lirojnë menjëherë dy punonjësit e bashkisë. I bëjmë thirrje qytetarëve të mos tremben dhe frikësohen. Denoncojmë dhe kërkojmë masa të menjëhershëm për personat që mëngjesit e sotëm kanë shkatërruar dyert e institucioneve arsimore në pronësi të bashkisë. Bashkia është në zbatim të dekretit të presidentit. Sot kemi lajmëruar policisë se në një fshat është shkallmuar dera e një shkolle, kur vajti punonjësi ynë për të hapur derën e pa që gjatë natës ajo ishte shkallmuar. Denoncimi është bërë nga administratori. Nuk mund të vë gishtin se kush e ka bërë por kuptohet se ky veprim është bërë gjatë natës. Pas mbarimit të procesit mësimor ato dyer mbyllen. Në bazë të deklaratës së policisë për pengimin e zgjedhësit, nuk e kuptoj ku është ky pengimi i zgjedhësit. ne jemi në zbatim të dekretit të presidentit”, tha Kapri.