Sali Berisha ka shkelur për herë të tretë vendimin e gjykatës. Ish kryeministri do të duhej të paraqitej këtë të hënë para SPAK në zbatim të vendimit të gjykatës për masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim për të dalë jashtë vendit në kuadër të hetimeve për çështjen e kompleksit Partizani. Sipas Kodit të Procedurës Penale, për personat që thyejnë masën e sigurisë parashikohet një më e rëndë. Megjithatë, sipas avokatit Spartak Ngjela kjo gjë do të shihet në orët në vijim nëse do të ketë një vendimmarrje për thyerje të masës së sigurisë. Por ai është i bindur se SPAK do ta tronditë Sali Berishën. Ngjela thotë se në fund do të fitojë drejtësia e re. Sipas avokatit kjo është dhe arsyeja që Berisha po shkakton kaos në Kuvend. “Një shëmtim në Kuvendin e Shqipërisë. Pse ndodhi sërish kjo përplasje absurde? Sepse brenda saj qëndron frika e Saliut. Saliu tani është nën akuzë penale. Dhe kuptohet që është i trembur. Pasuesit e tij, me kokrra siç janë, krijuan trazira në Parlament. Pse? Sepse Saliu duhej të paraqitej në SPAK, për hetimin e tij. Por, Saliu gjurulldinë me sens provincial e bëri në Kuvendin e Shqipërisë! Po SPAK–u do ta lërë shtetin e Shqipërisë nën këtë gjendje provincializmi reaktiv që i pëlqen edhe Beogradit? Nuk besoj. SPAK është i detyruar ta zgjidhë juridikisht me një vendim gjyqësor. Por… Pyetja është kjo: Kush do të fitojë: SPAK-u, apo Saliu? Sigurisht që SPAK-u do të fitojë. Madje SPAK e ka fituar këtë luftë. Prandaj është në shqetësim Saliu. Prisni dhe shikoni. Saliun e ka mundur Amerika, dhe madje me prova të plota, por megjithatë duhet të pritet procesi gjyqësor…”, u shpreh dje Ngjela.
Goditja e dytë ndaj Berishës
Gjithashtu Ngjela komentoi dhe shuplakën që i dhanë deputetët e vetë në Kuvendin që zhvilloi në fundjavë. Ai tha se fjalimi i mbajtur nga Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Berisha në Kuvend, vlen vetëm si kredo në rast se ndonjëherë mund të marrin sërish partinë demokratike, pasi sipas avokatit, për momentin Berisha nuk ka parti. “Nuk ka parti Saliu. S’ka parti ligjore. ça mbështetje ka? nuk i vajtën as deputetët. Ajo është shoqatë deri më tani. Është shoqatë politike, Nuk është parti politike. Parti politike bëhesh kur merr vendimin nga Gjykata. Partia politike është person juridik. Parti është ajo e vjetra. Se mori dot Saliu. Ju e patë si hyri në zgjedhje? Ishte me partinë e Metës. Fjalimi i zonjës Malltezi nuk ka ndonjë vlerë. Vlen si kredo në rast se do marri ndonjëherë partinë demokratike, por për mendimin tim mirë bëri”, tha avokati Spartak Ngjela.
Çfarë vendimi pritet të marrë SPAK?
Sipas asaj që paralajmëron dhe Ngjela, Berisha rrezikon burgun, ose arrest shtëpie. Referuar kodit të procedurës penale, përkatësisht nenit nenit 231 dhe nenit 260 kur një person ndaj të cilit është caktuar një masë sigurie dhe nuk e zbaton atë urdhërohet masa më e ashpër pasardhëse. Ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar ajo e detyrimit për t’u paraqitur dhe masa më e ashpër pasardhëse është ajo e arrestit shtëpiak që do t’i detyrojë më pas prokurorët e posaçëm t’i drejtohen Kuvendit për të marrë autorizim për shkak se Berisha mban mandatin e deputetit dhe mbrohet nga imuniteti.