Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me takimin e zhvilluar në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiç dy ditë më parë. Bushati thekson se refuzimi i Serbisë për të nënshkruar nuk dëshmon përkushtim të njimendtë në këtë proces e se krejt ndryshe u soll Kosova duke dëshmuar vullnetin e saj për të nënshkruar të dy dokumentet. Ai kërkon nga BE që të përfundojë anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. “Takimi i Ohrit mes Kosovës e Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian përfundoi me miratimin e planit të zbatimit të marrëveshjes të rënë dakord më 27 Shkurt. Pas mbështetjes unanime të shteteve anëtare të Marrëveshjes së 27 Shkurtit, Plani franko-gjerman zyrtarisht u transformua në një Plan Europian, me mbështetjen edhe të SHBA-ve. Kësisoj, BE-ja nuk është më vetëm në pozicionin e ndërmjetësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe e përfshirë drejtpërdrejt në zbatimin e angazhimeve. Proces ky i ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Nëse në të shkuarën BE-ja ka treguar në jo pak raste mungesë besueshmërie, duke mos iu përmbajtur zotimeve të saj përkundrejt shteteve të rajonit, me këtë pozicionim të ri BE-ja ka mundësinë e artë për të përfunduar procesin e shtetësisë së Kosovës, europianizimin e Serbisë dhe anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, sa më shpejt që të jetë e mundur. Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur agresionit rus në lindje të kontinentit është përmbyllja e pasojave të luftrave në ish Jugosllavi dhe konsolidimi i projektit europian në një hapësirë gjeografike, që rrethohet nga shtete anëtare të BE-së, siç është Ballkani Perëndimor”, shkruan ndër të tjera Bushati.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë