Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias i përcolli një mesazh Shqipërisë të mërkurën, duke i kërkuar vendit që të respektojë standardet dhe rregulloret e Bashkimit Evropian ndërsa përparon drejt anëtarësimit në BE.
Dendias e dha këtë mesazh nga qyteti verior i Janinës, Epir, ku përfaqësoi qeverinë greke gjatë manifestimeve përkujtimore për 111-vjetorin e çlirimit të Janinës nga sundimi osman. Në deklaratën e tij, Dendias theksoi mbështetjen e palëkundur të Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ai iu drejtua konkretisht Shqipërisë, duke thënë se duhet që të respektojë traktatet evropiane sidomos në mbrojtjen e minoriteteve. Dendias i është referuar pikërisht për çështjen e Fredi Belerit, pasi Athina ka ripësëritur vazhdimisht thirrjet që të lejojë betimin e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë.
“Greqia është një vend që mbështet fuqishëm perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër më duhet që t’i dërgoj një mesazh Shqipërisë fqinje, e cila po përpiqet t’i bashkohet familjes evropiane. Ky shtet duhet të ketë parasysh nevojën për të respektuar traktatet evropiane sidomos në mbrojtjen e minoritetit grek”, tha Dendias.
Më 30 nëntor të vitit të kaluar, Greqia zyrtarizoi veton e saj duke njoftuar edhe 26 vendet e tjera anëtare të BE-së se nuk lejon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë. Pala greke e kushtëzon vendimin pozitiv për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit me lejimin e betimit të Fredi Belerit, si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Kujtojmë se Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore për blerje votash. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Beleri u shpall fitues nga qelia në zgjedhjet e 14 Majit, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën.