Ish-deputeti i LSI (aktualisht Partia e Lirisë), Ralf Gjoni u paraqit mëngjesin e djeshëm në ambientet e SPAK. Pas rreth 4 orësh në pyetje, Gjoni doli nga SPAK, ku foli për gazetarët. Ralf Gjoni, i cili ka mbajtur postin e këshilltarit të Ilir Metës, nuk dha asnjë informacion lidhur me arsyen e thirrjes në SPAK. Ai tha se u pyet si shtetas në cilësinë e të angazhuarit në angazhime dhe pozicione shtetërore. Ndërkaq ai theksoi se nuk u pyet si person në hetim, duke pastruar emrin e tij nga dosja që është hapur ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta. SPAK ka zgjeruar hetimet dhe në skaner janë dhe lidhjet e tyre me disa kompani ruse, të cilat kanë dalë në pah nga disa dokumente për fshehje të ardhurash. Thirrja në SPAK e Z.Gjoni, mund të jetë edhe për këtë çështje, pasi ky i fundit në kohën kur kishte detyrën e këshilltarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në LSI, Ilir Meta e ka përdorur për të forcuar marrëdhëniet me Moskën. Tradhtinë ndaj shefit të tij, Ralf Gjoni e shpalli publikisht në vitin 2019, pasi ai u bë pjesë e Kuvendit si deputet i LSI, në atë që njihej si “opozita e re”. Ai mori mandatin e deputetit pasi paraardhësit e tij të koalicionit opozitar, PD-LSI vendosën të djegin mandatet. Pasi Gjoni mori mandatin, ai u shpall i shitur te Edi Rama nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Madje ndaj Gjonit pati edhe një sulm fizik. Gjatë fjalës së tij, Gjoni bëri me dije se një pjesë e mirë e bojës nuk hiqet nga lëkura dhe ka djegie brenda syve, ndërsa sulmin e etiketoi si të orkestruar dhe urdhëruar nga lartë, duke nënkuptuar këtu kupolën e LSI. “Dukej qartë që prita dukej ishte e porositur nga lart”, deklaroi ai, pas ngjarjes. Por Gjoni vijoi të hidhte sulme ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe pasi seanca plenare mbylli punimet e djeshme. Në një dalje për mediat nga oborri i Kuvendit, Gjoni i cili bëri sot betimin në Kuvend si deputet, theksoi se nuk e kishte menduar kurrë që partia e tij do të shndërrohej në një parti desintegruese, ndërsa theksoi se nuk ka hyrë në Parlament për të bërë opozitë me çizme.“Nuk e kisha imagjinuar asnjëherë në ëndrrat e mia më të largëta që kjo parti mund të shkonte drejt des-integrimit dhe drejt një axhende pa krye të çizmeve, të bojërave dhe të thirrjeve për destabilizim dhe prishje të rendit kushtetues dhe rendit publik. Axhendë që njerëz të llojit tim nuk e mbështesin dot, jemi për të ardhmen, shpresën, për ata njerëz që deri sot nuk kanë gjetur një përfaqësim dinjitoz në këtë parlament. Prandaj jam sot këtu dhe do të vazhdoj që të mbetem i përkushtuar ndaj axhendës së integrimit, kundër bojës”, nënvizoi në atë kohë Ralf Gjoni.
Hetimet
Ndërkaq dyshohet se Ralf Gjoni mund të jetë pyetur nga SPAK për aferën CEZ-DIA, ose për lobimin në SHBA. Ilir Meta është paraqitur disa herë për dosjen CEZ-DIA, ku ka dhënë përgjigje për çdo lidhje me aferën CEZ-DIA, një histori privatizimi dhe abuzimi që i kushtoi vendit 414 milionë euro dëm. Meta është akuzuar vazhdimisht se ka përfituar miliona nga kjo aferë, sidomos me lidhjet me Kastriot Ismailajn, administrator i DIA dhe i dënuar më parë nga gjykata, por së fundmi një dëshmi e Elvis Matës, një ish drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005, mund t’i ketë qartësuar gjërat për prokurorët e SPAK. Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit. Për dosjen e CEZ-DIA është dënuar me 11 vite burg Kastriot Ismailaj, administrator i kompanisë DIA. Vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta dyshohet se i ka kërkuar Kastriot Ismailajt 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Jozef Hejsek ka deklaruar më parë se ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Kreu i PL-së Ilir Meta ka njoftuar se më 27 prill do të mbahet Konventa e PL-së, në të cilën do të caktohet statuti i ri i Partisë. Ndërkohë më datë 16 prill Endrit Brahimllari dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Partisë së Lirisë.