Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 103-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Gjatë fjalës së saj, Presidentja Jahjaga e ka cilësuar 28 nëntorin ditën më të veçantë në historinë e popullit shqiptar. Sipas saj, kjo ditë sublimon përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij.
“Kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme, sa të vështira dhe sfiduese, por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë. Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka shtuar se kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë, jo vetëm mishërimin, por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë, për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane.
“Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran, një realitet të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë, si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar”, është shprehur Jahjaga.
Më tej, ajo ka theksuar se të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët.
“Shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës. Ky shekull na gjen të rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar”, ka përfunduar Presidentja Jahjaga.