Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka hedhur dje akuza të forta kundër nismës së quajtur “Open Balkan”, nismë ku marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Zoti Kurti ka vlerësuar se Ballkani përpara se të ketë nevojë për një nismë të tillë, fillimisht ka nevojë për një ballafaqim të Serbisë me krimet e së kaluarës dhe pranimi i tyre. Sipas Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit, “Ballkani i Hapur” ka për qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa zoti Kurti deklaroi se një treg i lirë nuk ka asnjë kuptim nëse nuk ndiqet nga ky pranim i së shkuarës nga shteti serb. “Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, deklaroi shefi i ekzekutivit kosovar. Kritikat e Kurtit në lidhje me Open Balkan nuk ngelen vetëm tek pjesa serbe. Kryeministri i Kosovës deklaroi se sipas tij ndryshimi nga “MiniShengen” në “Open Balkan” nuk bën asgjë tjetër vetëm sa e hap dhe e bën më vunerabël rajonin përballë ndikimit rus dhe kinez, shtete këto që janë akuzuar disa herë që po bëjnë çfarë të munden në mënyrë që të rrisin ndikimin e tyre në Ballkan dhe jo vetëm. “Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, është shprehur ai.
Raportet me Shqipërinë
Gjatë fjalës së tij zoti Kurti ka pranuar se marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama nuk janë më të mirat e mundshme, por se ka siguruar që marrëdhëniet mes dy shteteve janë vëllazërore dhe se nuk varen aspak nga marrëdhëniet personale të krerëve Rama dhe Kurti. “Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, ka përfunduar kryeministri Kurti.