Gjatë viteve 1960 deri në fillim të viteve 1970, ekzistonte një lëvizje shumë popullore e artit dhe teatrit të quajtur “Teatri i Absurdit”. Ajo ishte e lidhur ngushtë me lëvizjen ekzistencialiste që mbronte eksplorimin e nxitjeve, elementeve dhe motivimeve më themelore të jetës. Baza e temës absurdiste ishte vepra e filozofit Albert Camus, veçanërisht eseja e gjatë në libër, “Miti i Sizifit” dhe romani “I huaji”. Në atë lojë vihej në dukje lindja e një brezi të ri të pasluftës me mentalitet të ri, të cilëve u dukej e pakuptimtë dhe absurde sjellja e brezit të luftës së dytë botërore, që drejtonin dhe jetën politike të vendit dhe anasjelltas. Ky absurditet kërkonte një zgjidhje me një vizion të ri që të inspironte masat. Kjo lëvizje teatrale përdori dialog të pakuptimtë dhe irracional për të kritikuar jetën sipërfaqësore moderne dhe absurditetin e veprimeve njerëzore. Gjendja aktuale e politikës në Shqipëri nuk është asgjë më pak se një tragjikomedi, pra thjesht është një teatër absurd. Tiparet më të rrezikshme të një politikani janë ato që psikologët e quajnë treshe e errët e tipareve të personalitetit: narcisizmi, makiavelizmi dhe psikopatia. Ajo që ndajnë këto tipare është gatishmëria për të shfrytëzuar të tjerët për përfitime personale. Njerëzit me tipare treshe të errëta priren të jenë më ambicioz politikisht, ata tërhiqen nga pushteti për hir të tij. Por ne shpesh biem nën magjinë e tyre. Opozita tërësisht e përçarë dhe deputetët e saj po bëjnë llogaritjet se kush është mënyra më e sigurtë që të zgjidhen deputet duke rendur midis Amerikës dhe ballkonit. A nuk është i tillë grupi i Gazmend Bardhit? Ata janë pro Amerikës, por edhe pro Berishës( non grata), ata janë për demokraci të brendshme të Partisë, por edhe për varësinë totale nga kryetari që cakton deputetët sipas dëshirës së tij. Ky grup pro Amerikan beson te Amerika por bënë pakt me antiamerikanët. Pjesa tjetër e opozitës po mundohet gjithashtu të gjejë rrugën më të sigurt për tu rizgjedhur nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë apo me retorikën e ashpër. Këta të rinj na kujtojnë për fat të keq Faik Konicën që thoshte: “Nuk ka shqipëtarë të rinj, po vetëm ca shqipëtarë të lindur më parë, ca të lindur më pastaj, – të gjithë pleq, të thatë nga zëmëra e tyre, e cila s’ka njohur kurrë enthusiasmë për gjësendi.” Po përse vallë na ndodh kështu neve shqiptarëve. Vërtet nuk kemi ne të rinj me ide të reja dhe vizionarë të aftë të inspirojnë masat? Unë mendoj se kjo ka të bëjë me kulturën e krijuar në vend në shekuj, ose siç e quante Namik Hoti “ me kulturën e moszbritjes nga kali”. Kultura mesjetare dhe sllavo-komuniste në Shqipëri i bën liderët tanë, por jo vetëm ata, të mendojnë se janë të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm. Ata harrojnë se funksioni i lidershipit është të prodhojë më shumë liderë, jo më shumë ndjekës. Nqs del një grup i ri ata i shpallin si heretik, i etiketojnë si tradhëtarë dhe i presin të gjitha mundësitë financiare që ata të sfidojnë pushtetin e tyre. A nuk po ndodh kështu në të dy kampet e politikës shqiptare? Sali Berisha e ka kthyer PD në një bunker me ndjekës besnik që imitojnë zërin edhe lëvizjet e tij dhe duke flakur nga partia të gjithë zërat ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe me Edi Ramën që vazhdon të nxjerrë armiq e të korruptuar çdo ditë. Por le të kthehemi përsëri tek grupi i Bardhit dhe partive të tjera politike, që pretendojnë se kjo është e vetmja mundësi e tyre për bashkimin e madh, që do të sfidojë regjimin e Edi Ramës. Dështimin e tyre spektakolar ndaj 80 vjeçarit ish-komunist dhe së fundmi anti amerikan, Sali Berisha, ata duan të na e paraqesin si alternativa e vetme për fitore. Dua tu përgjigjem nëpërmjet strategut të politikave moderne Henry Kissinger : “ Detyra e liderit është t’i çojë njerëzit e tij nga ku janë atje ku nuk kanë qenë. Publiku nuk e kupton plotësisht botën në të cilën po shkon. Udhëheqësit duhet të inspirojnë një alkimi të vizionit të madh. Ata liderë që nuk e bëjnë këtë, në fund të fundit vlerësohen si dështim, edhe pse mund të jenë të popullor për momentin.” M.gj.s Bardhi apo Gjekmarkaj e Salianji mundohen të bindin me nervozizëm publikun shqiptar, ata janë tërësisht të dështuar dhe shitën veten dhe kauzën demokratike tek Berisha antiamerikan dhe që tashmë më shumë i ngjan Don Kishotit. Ata dëshmuan se janë në politikë vetëm për interesat e tyre personale dhe dëshmuan se ata nuk janë ”shqipëtarë të rinj, por vetëm që kanë lindur më pastaj”
Me një histori të gjatë paqëndrueshmërie politike dhe korrupsioni, politika shqiptare shpesh i ngjan teatrit të absurdit, ku politikanët angazhohen në sjellje të palogjikshme dhe egoiste duke u shtirur si të shurdhër dhe të verbër ndaj zemërimit dhe vuajtjeve të fshehura të njerëzve. Oligarkët mendohen se kush qeveritar mund t’i shërbejë më mirë interesave të tyre për vjedhjen e pasurisë kombëtare. Në qeverisjen e gjatë të socialistëve Edi Rama e preku nevojën e njerëzve për të besuar në diçka… për të pasur besim në përmirësimin e gjërave. Ndërsa ai e rrethoi veten me zyrtarë të paaftë ose në të vërtetë kriminelë (dhe të korruptuar) gjatë gati dhjetë viteve të tij në detyrë, ai vazhdimisht gënjeu publikun për atë që po ndodhte dhe çfarë njerëzit panë vetë. “Mos u besoni syve tuaj gënjeshtar, besoni vetëm atë që ju them”, një koncept i rrugës, ishte një teknikë e zgjuar e shmangies që ai përdorte shpesh. Teatri i tij i Absurdit nuk ishte një komedi dhe nuk ishte një tragjedi. Në vend të kësaj, ishte një traktat politik se si të mashtronim njerëzit shumicën e kohës për argëtim dhe përfitim. Duke e parë veten si autor dhe personazh kryesor në një shfaqje absurde për qeverinë shqiptare, na çoi në këtë moment në dukje të pakuptimtë, ku kryeministri jonë duket më shumë si gjenerali i ushtrisë (qeverisë) së vdekur ose më saktë pjesërisht të burgosur dhe pjesërisht të arratisur, ndërsa pjesa e mbetur e qeverisë jeton në tmerrin midis burgut dhe arratisjes. Qëllimi i jetës së Ramës duket se është mënyra më e mirë për t’i mbajtur objektet me shkëlqim në fytyrat e njerëzve, ndërsa ai i zbukuron ato, në mënyrë që të bëjë një audiencë të madhe të besojë se jeta është vetëm ajo që ai u thotë se është. Epo, perdja po zbret, publiku ka duartrokitur pa kërkuar përsëritje (larg qoftë) dhe SPAK-u po na tregon anën tjetër të objekteve me shkëlqim . Loja dhe akti kanë mbaruar. Sinqerisht, ky obsesion me ambasadorët, oligarkët, kryeministrin dhe kryetarët e partive duket se është thjesht një media e ndyrë teatrale që merret me gjithçka, por jo me hallet, varfërinë, mungesën e shërbimeve dhe mbi të gjitha ajo që është më kryesorja mungesa e demokracisë. Demokraci do të thotë pushteti i popullit dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive dhe gjithë pushtetarët e tjerë nuk zgjidhen poshtë ballkonit, te dera e kryeministrisë, te dera e ambasadave apo nga paratë e ndyra të oligarkëve. Kompetencat duhet të shkojnë në bazë dhe dyert duhet të jenë të hapura për të gjithë sepse të vetmet dyer që janë të hapura, janë ato të emigracionit. Ajo që po ndodh tani ka për qëllim t’ju shpërqendrojë nga çështjet reale dhe t’ju pengojë të mendoni shumë thellë për atë që mund të ndryshojë në të vërtetë jetën tonë. A nuk kanë ligjvënësit tanë ndonjë punë për të bërë? Na duhet të vëmë në dyshim seriozitetin e debatit se çfarë thonë ambasadorët dhe cila është batuta e rradhës e kryeministrit, apo atletet që ai vesh, ndërkohë që ëndrra për demokraci e mirëqënie, duket se është ajo që po derdhet në tualet. Dhe së fundmi duhet tu kujotojmë liderëve tanë se të dish se kur të largohesh është mençuri. Të jesh në gjendje të largohesh është guxim dhe të largohesh me kokën lart është dinjitet.