Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka premtuar se, në “Mersin 2013” shtanga kuqezi do të kapërcejë çdo bilanc medaljesh që Shqipëria ka marrë nëpër Lojëra Mesdhetare. Ai ka folur edhe për problemin midis FSHP-së dhe KOKSH-it, pasi shtanga pati çuar një listë prej 10 sportistësh dhe 3 trajnerësh për në Lojërat Mesdhetare të fundqershorit, ndërsa organizmi olimpik ua shkurtoi në 6 sportistë dhe 2 trajnerë. “Jemi të sigurt se Romela Begaj, Daniel Godelli, Briken Çalja, Ervis Tabaku, Isa Bala dhe Arbër Çerçizi do të dominojnë në “Mersin 2013” dhe mbase KOKSH-i do ta kuptojë se duhet të na kishte dhënë më tepër hapësirë me sportistët tanë në këto Lojëra Mesdhetare”, – ka deklaruar Gjoza. “Ne jemi Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe ne jemi Federata më e suksesshme shqiptare në të gjithë historinë e sportit!”, – ka theksuar ai gjatë intervistës dhënë mbi përgatitjet e shtangës kuqezi për Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”.
Z. President, pas organizimit të suksesshëm të Evropianit të Të Rriturve në Tiranë në prill, përpara kemi Lojërat Mesdhetare, ku si zakonisht, të gjithë i kanë sytë te peshëngritja përsa u përket medaljeve. Si shkon Shqipëria në këtë eveniment rajonal?
-Sikundër e thatë edhe ju, peshëngritja shqiptare vjen në këtë eveniment mesdhetar pasi ka marrë vlerësime maksimale nga bota e shtangës. Mjafton t'ju them se gjatë qëndrimit në Moskë, gjatë kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, kam marrë urime të përzemërta nga homologët e mi, evropianë dhe botërorë, si dhe nga drejtuesit më të lartë të këtij sporti. Vetë presidenti i IËF-së dhe miku i Shqipërisë, Tamas Ajan, e ka shprehur edhe kur ishte këtu në Tiranë, por edhe atje në Moskë, vlerësimin e tij me superlativa për organizimin e shkëlqyer që ne i bëmë Evropianit të Tiranës. Këtë vlerësim e ilustron më së miri nderimi me medaljen e artë që Federata Botërore e Peshëngritjes i bëri akademikut të mirënjohur shqiptar, Gudar Beqirajt, si kryetari i Komitetit Organizator të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur. Për të gjitha këto, mund të them se ne shkojmë mjaft të mobilizuar në këto Lojëra Mesdhetare, ku medaljet janë një detyrim.
Megjithatë, ka patur një problem midis jush dhe KOKSH-it, pasi ju keni çuar një listë prej 10 sportistësh dhe 3 trajnerësh, ndërsa organizmi olimpik jua ka shkurtuar në 6 sportistë dhe 2 trajnerë. Si jeni ndjerë për këtë?
– Natyrisht që nuk më erdhi mirë, sepse ne kërkonim medalje nga të gjithë sportistët emrat e të cilëve ne i çuam në KOKSH. Fetije Kasaj, Xhulio Prroni, Endri Haxhihyseni dhe Endri Karina janë sportistë të sprovuar në arenën ndërkombëtare, duke marrë medalje dhe jemi të sigurt që, në një veprimtari si Lojërat Mesdhetare ku jepen medaljet vetëm për stile dhe jo për dygarësh, shanset ishin shumë të mëdha. Për këtë na erdhi keq që u lanë jashtë këta sportistë, por jemi të sigurt se Romela Begaj, Daniel Godelli, Briken Çalja, Ervis Tabaku, Isa Bala dhe Arbër Çerçizi do të dominojnë në “Mersin 2013” dhe mbase KOKSH-i do ta kuptojë se duhet të na kishte dhënë më tepër hapësirë me sportistët tanë në këto Lojëra Mesdhetare. Ne jemi Federata Shqiptare e Peshëngritjes dhe ne jemi Federata më e suksesshme shqiptare në të gjithë historinë e sportit!
Në “Peskara 2009”, peshëngritja ishte e vetmja që mori medalje, 6, nga të cilat dy të arta dhe 4 të argjendta. Mendoni se do ta kapërceni këtë prag në “Mersin 2013”?
– Sigurisht, që do ta kapërcejmë. Madje, unë nuk mendoj kështu, unë jam i sigurt që do të jetë kështu, pasi Begaj, Godelli dhe Çalja e kanë treguar veten edhe në Kampionate Evropianë dhe Botërorë dhe, duke parë konkurrencën në Mesdhe, jam i sigurt që ata do të kthehen me medalje. Po kështu kam besim se, me pak përqendrim dhe fat, edhe Tabaku, Bala dhe Çerçizi mund ta arrijnë podiumin.
Përtej “Mersin 2013”, çfarë presim nga peshëngritja shqiptare për pjesën e mbetur të këtij viti?
– Në fakt, Shqipëria e tha fjalën e saj, madje bindshëm, në peshëngritjen evropiane dhe atë botërore gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Megjithatë, në pjesën e mbetur të këtij viti, kemi përpara Kampionatin Evropian të nën-15 dhe nën-17-vjeçarëve, që do të mbahet në Klaipeda të Lituanisë, nga data 1 deri më 9 shtator, si dhe Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe nën-23-vjeçarëve, që do të mbahet në kryeqytetin e Estonisë, Talin, në 10-ditëshin e fundit të shtatorit. Është ende herët për të folur për pjesëmarrjen tonë në këto dy veprimtari moshash, por natyrisht që finalja e madhe e këtij viti është Kampionati Botëror i Të Rriturve, që do të mbahet në Vrocllavë të Polonisë, ku medaljet mbeten synimi ynë.