Politologu Ilir Kalemaj duke folur në një studio televizive, e konsideroi një lajm të mirë arrestimin e ish-ministrit Beqaj, por theksoi që vëmendjen më të madhe nga SPAK duhet ta merrte afera për koncesionin e sterilizimit. Kalemaj po ashtu vuri në dukje se Rama nuk mund të justifikohet më me argumentin që përgjegjësitë për aferat korruptive janë personale. Kalemaj shtoi se në kabinetin e Ramës kanë mbetur shumë pak ministra politikë.
“Kur Beqaj u emërua në detyrën e re, iu varën ujkut mëlçitë në qafë. Njëri nga ata ka qenë vartës i tij. Tregon një skemë të mirëfilltë të organizuar. Ai ishte duke u hetuar për atë restorant, dhe pasuritë, dhe i jepet një detyrë e re. Ti me këtë detyrën e re, me fondet e BE, shkon aty me idenë për të përvetësuar. Mendoni ju që BE s’do t’i ketë në refene këto gjëra, që drejtori i SASPAC ka abuzuar me fondet. Është i vetmi vend që ka ndodhur që të pezullohet IPARD 3. Këta në emër të agroturizmit ndërtuan restorante. Këtu është bërë një vjedhje makabre me fondet e taksapaguesve europianë, imagjino ça bëhet me fondet e taksapaguesve shqiptarë. Lajmi i arrestimit është i mirë, por do të duhet të merrte një vëmendje më të madhe koncesioni për sterilizimit.
Ka dy kosto politike. Kostoja e parë politike është që u bë një numër i madh i ministrave, zv.ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive. Nuk mund të justifikohet më me raste individuale. E dyta shikoni 2013-ën me cilin ekip qeveritar erdhi z.Rama. Ishin të gjithë figura politike, të rinj. Sa nga ‘delfinët’ e Ramës kanë mbetur sot në kabinet. Pothuaj asnjë, hiq Peleshin që u rikthye. Ku është Bushati, Gjiknuri, Beqja, Peleshi u hoq dhe u vu prapë. Secili prej këtyre ishte sekretar programi i PS. Kabineti i z.Rama s’është as politik, as teknik. Hiq Manjan, Ballukun, Peleshin, Ballën, s’njoh ndonjë ministër tjetër politik. Të tjerët janë të gjithë ministra që punën e parë në librezë kanë shënuar atë të ministrit”.