Një shpërthim me tritol ka tronditur në orët e para të mëngjesit qytetin e Shkodrës, ku sipas informacioneve policore reth orës 03:10, në lagjen “Tepe”, në derën e banesës private të një oficeri policie, është vendosur lëndë plasëse.
Për rastin ka reaguar menjëherë edhe këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, e cila ka hedhur akuza të forta ndaj kryebashkiakut Benet Beci dhe zv.kryeministres Elisa Spiropali, njëherësh edhe drejtuese politike e Partisë Socialiste në Shkodër.
Shkreli shprehet se këta të fundit ligjërojnë dhe justifikojnë me heshtjen e tyre krimin në Shkodër, duke shtuar më tej se krimi në qytetin verior po merr përmasa të frikshme dhe shpërthimet janë presion ndaj çdo punonjësi të sigurisë apo ligjvënësi që të mbyllin gojën, të mos ‘çojnë krye’ e mbi të gjitha të mos bëjnë drejtësi.
Reagimi i plotë nga Eliona Kodra Shkreli:
Raportohet se si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shkodra nën terrorin e bandave…
Një tjetër ngjarje kriminale u shënua mëngjesin e sotëm në Shkodër, një tjetër sasi tritoli iu vendos në banesë një oficeri policie. Shkodra nuk është më e sigurt…
Me ardhjen e Spiropalit dhe Becit në krye të Bashkisë Shkodër, krimi ka pushtuar këtë qytet…Rrihen punonjësit e Bashkisë, tritoli i vendoset oficerëve të policisë, ligjvënësve etj…Dyshja e pazareve s’kanë më asnjë kontroll sepse grabitën Bashkinë me ndihmën e bandave dhe sot i kanë detyrime të mëdha.
Heshtin të dy…s’guxojnë të flasin…ligjërojnë dhe justifikojnë me heshtjen e tyre krimin në Shkodër. Janë të paaftë të reagojnë sepse i kanë një borxh të madh bandave dhe trafikantëve të drogës.
Pasi u ulën nëpër sofra pazaresh e pasi shëtitën në makinat luksoze, sot heshtin sepse i duhen nesër prapë…
Spiropali-Beci në fakt sot janë fajtorët kryesorë të këtyre ngjarjeve kriminale që po ndodhin shpesh në Shkodër, bashkëpunuan me qëllimin e vetëm të plotësojnë egon personale dhe të kenë mundësi të ‘zgjerojnë oreksin’ e tyre të kërkesave tek Skënderbeu që shpatë ka Spiropalin dhe mburojë ka Becin.
Shkodra u trondit në mëngjes nga një tjetër shpërthim tritoli…Njerëzit ikin sepse Rilindja ka shkatërruar çdo shpresë, ka rrënuar ekonominë, ka minosur drejtësinë, ka lartësuar bandat dhe krimin.
Shqipëria nuk është më e sigurt, Shkodra nuk është më e sigurt…
Krimi në Shkodër po merr përmasa të frikshme dhe shpërthimet në Shkodër janë presion ndaj çdo punonjësi të sigurisë apo ligjvënësi që të mbyllin gojën, të mos ‘çojnë krye’ e mbi të gjitha të mos bëjnë drejtësi.
Shkodra nuk është kjo…Shkodra duhet të reagojë ndaj krimit, varfërisë, arrogancës dhe grabitjes së pushtetit nga disa ‘kriminelë’ të veshur me kostumet e pushtetit.
11 korrik ora 20.00 përpara Kryeministrisë!
Shkodra reagon e para…