Aktivitetet ndërkombëtare janë me rëndësi për artin pamor, ku ato janë zhvilluar dhe në Galerinë e Artit Tiranë. Dr. Abaz Hado “Mjeshtër i Madh” është piktor, grafist, studiues, menaxher arti dhe që ngriti Galerinë e Artit Tiranë që u hap në nëntor 2021. Për gazetën “SOT” dr. Abaz Hado flet për aktivitetet e artit pamor dhe rëndësinë e tyre në jetën artistike në vend, ku në këtë intervistë të parë pas tërheqjes nga drejtimi i GAT artisti i njohur zbulon dhe projektet tij të reja në fushën e artit. Dr. Abaz Hado si kurator i Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida” thotë se po zhvillon edicionin e parë në GAT, si një event i rëndësishëm për të prezantuar dhe promovuar ekskluzivisht artin e grave artiste. Sipas tij suksesi i Bienales së parë Ndërkombëtare të Grafikës që u zhvillua më parë në GAT çoi në zhvillimin e Festivalit Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida”. Dr. Hado thotë se në këtë festival janë prezantuar punët e 150 grave artiste nga 38 vende të botës.
-Festivali Ndërkombëtar i Artit të Grave “Frida” zhvillon edicionin e parë në Galerinë e Artit Tiranë. Festivali u hap në 25 tetor, si një nga aktivitetet e rëndësishme të jetës artistike në vendin tonë. Ju e keni themeluar këtë festival, çfarë mund të na thoni më shumë mbi zhvillimin e tij në GAT?
Duke lënë mënjanë modestitë me eksperiencën, që kam në fushën e artit dhe drejtimin e institucioneve, sigurisht që kam qenë vazhdimisht në idenë që të sjellim sa më shumë aktivitete ndërkombëtare ballafaquese për artin pamor, të cilat janë shkolla dhe drejtime që e ndihmojnë artin shqiptar në përgjithësi në aspektin e përgjithshëm. Ndërsa në aspektin e vogël ato janë specifike si përshembull Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës, që u zhvillua më parë në GAT që doli me sukses, dhe sigurisht janë aktivitete që kanë sjellë gjallërimin e këtyre gjinive. Menduam për impaktin që ka grafika, duke qenë dhe vetë pjesëmarrës në gati 50 aktivitete ndërkombëtare të grafikës të kemi mundësinë që të tregojmë dhe ne që jemi si gjithë bota, mund të organizojmë aktivitete të rëndësishme. Dhe këtë e zgjodhëm sigurisht në Galerinë e Artit Tiranë që ishte galeri e re. Vërtetë është galeri lokale, por dimensionin dhe vizionin e ka si një galeri e madhe, si një galeri që është konkurrente. Suksesi i asaj bienaleje më parë na çoi te një organizim tjetër, të cilën unë e kisha në vëmendjen time për të bërë një aktivitet për gratë. Për gratë nuk ka shumë aktivitete, por ka një lloj aktivizimi të elementit të artit të gruas, pra kjo e ndihmon që arti i gruas të evindentohet më shumë. Mendova që dhe arti i grave në Shqipëri e ka pasur këtë problem, nuk ka qenë shumë evidente, por nëpër aktivitete sporadike. Vendosëm që të bëjmë një bienale që të quhej me emrin “Frida”, për arsye se Frida Kahlo përfaqëson modelin e gruas së pamposhtur, jo vetëm të talentuar, që përballoi me sukses gjithçka të jetës së saj dhe tregoi që është një artiste që ka përmasa të mëdha. Ne në këtë rast nuk e kishim Fridën për një emër të madh, por për simbolikë, Frida janë të gjitha ato gra, vajza, talente të reja që punojnë dhe ne këtë synuam. Ne nuk gabuam me punën që bëmë, sepse solli rezultatin. Të kishim në festival 150 artiste nga 38 vende të botës, ku këtu është dhe Shqipëria.
-Në punët që janë ekspozuar në Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida” në GAT dallojmë një ndjenjë ndërgjegje, një dëshirë për bukuri, brishtësi, humanizëm, etj. Si kurator, çfarë mund të na thoni?
Kanë një tematikë këto lloj ekspozitash dhe ne kur e quajtëm “Frida” presupozuam një hapësirë të madhe të gruas. Hapësirën shpirtërore, emocionale, frymëzuese dhe hapësirën e qëndresës së tyre për problemet e rënda sociale që kalon aktualisht bota. Shohim aty nëna, shohim dhe krijuese, shohim fëmijë të vegjël që persekutohen dhe kjo të ishte pjesë e kësaj. Çka u soll në aspektin e këtyre veprave që përfaqësuan këto artiste, e bëri të mundur që shkolla të ndryshme, vende të ndryshme të sillnin këto lloj problematikash sociale, ekonomike, etj, të marrëdhënies së gruas me botën, pushtetin, me gjithçka.
-Festivali u hap këtë vit në GAT, por si do të vijojë në edicionet e tjera?
Gjatë këtij muaji u bë e mundur që në kuadër të festivalit të kishim disa aktivitete, workshope aktivitete me studentë, me nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”, nxënës të shkollave të mesme e deri te fëmijë me moshë më të vogël. I gjithë muaji ka pasur aktivitete herë pas here organizuar nga GAT për ta bërë sa më atraktive, të hapur dhe sa më të prekshme vlerat e këtij festivali. Tashmë për këtë festival jam i detyruar të flas dhe me institucione të tjera. Kjo do kalojë dhe në aspektin personal si krijues i saj, ashtu si dhe Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës do jenë pjesë e aktivitetit tim me qendrën e artit, që dua të krijoj dhe në bashkëpunim dhe me një nga fakultetet më të rëndësishme të vendit që është privat që stimulon këtë lloj kreativiteti të artit. Kam dhe një ide tjetër për një takim të madh, që do të përfshijë një sferë të gjerë të artit, por do të bëhet në momentin e duhur e ditur. Por festivale të tilla nuk është e domosdoshme të jenë në një institucion, këto do shpërndahen në institucione të ndryshme madje dhe në objektet që nuk janë të frekuentueshme, por që rikthehen në memorien dhe syrin e publikut në momentin që organizohen aktivitete të tilla. Unë sa të jem në këtë jetë do të luftoj që Tirana të bëhet si Venecia, që në çdo 3 muaj të ketë një aktivitet të madh ndërkombëtar, qoftë të artit pamor, arkitekturës, kinematografisë që realisht po bëhen, por jo në ato përmasa të aplikueshme në gjithë botën. Aktivitete bëhen, por të jetë një platformë më e gjerë për ti trajtuar këto, qoftë dhe zhvillimi i konkurseve. Ne duhet të zhvillojmë konkurse të mëdha ndërkombëtare, që afrojnë dhe krijojnë një mundësi raporti me ndërkombëtarët.
-Kjo është intervista e parë që ju po jepni pas tërheqjes nga drejtimi i GAT dhe jeni fokusuar drejt krijimtarisë suaj. Çfarë mund të na thoni për GAT, pasi ju e keni ngritur atë institucion që u hap në nëntor të vitit 2021?
Unë kam dhënë dorëheqjen, jam tërhequr nga drejtimi i GAT, sepse jam fokusuar tek një gjë më e rëndësishme. Unë e ngrita atë institucion që është GAT, si një institucion i Bashkisë së Tiranës, ku brenda dy viteve ajo fitoi një autoritet absolut. Kam qenë me mendimin dhe jam që Shqipërisë i duhen institucione aktive, dinamike, edukuese për publikun, që do të thotë servise për publikun. GAT në mungesën e një Galeria Kombëtare të Arteve, të hapësirave të tjera, ku dhe salla e ekspozimit në Muzeun Historik Kombëtar u mbyll, ne ishim të vetmit që përballonim gjithë trysninë e kërkesave për të hapur ekspozita, por ne kemi dhe një institucion elitë që është COD. Kryetari i bashkisë në këtë rast ka qenë i prirur që Galeria e Artit Tiranë të ishte një hapësirë që të stimulonte artistët e rinj kryesisht dhe sigurisht dhe hapësira të tjera që kreativiteti artistik mos të mungonte. Në këtë rast drejtoresha që është në GAT ka platformën e saj. Nëse do thotë të bashkëpunojmë do të bashkëpunojmë. Por dua të theksoj që Galeria e Artit Tiranë (GAT) aktualisht ka mbi 350 vepra të dhuruara, ku 240 vepra janë të artistëve të huaj. Bienalja e Ndërkombëtare e Grafikës në GAT i dhuroi Shqipërisë 240 vepra arti, por fondi do ketë dhe çfarë do të dhurojnë tani te bienalja “Frida”.
Intervistoi: Julia Vrapi