Ishte viti 1971 kur aktori i njohur Ahmet Pasha nisi aktivitetin e tij artistik në teatër dhe që nga ajo kohë ka qenë në skenë me role të ndryshme, që janë mirëpritur nga publiku. Së fundmi në skenën teatrore aktori erdhi në veprën “Biznesmeni” me regji nga Gëzim Kame, për të cilën vlerëson dhe bashkëpunimin për shfaqjen. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Ahmet Pasha “Artist i Merituar” tregon pse e pranoi rolin që e riktheu në teatër dhe mesazhet që vepra i përcolli publikut. Aktor i rreth 96 roleve, ndër sukseset e Ahmet Pashës ngelen kryerolet Isa Boletini “Udha e flamurit”, Abdyl Frashëri “Epoka para gjyqit”, gjenerali “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Inskerdoja (Monserati), etj, por ai thotë se sot për teatrin shqiptar duhet treguar më shumë vëmendje. Për aktorin Ahmet Pasha problemi më i madh sot është mungesa e vëmendjes nga shteti, ku sipas tij që të bësh teatër do investim. Në këtë rrëfim të tij mbi aktivitetin artistik, aktori Ahmet Pasha risjell në vëmendje dhe momentet më të veçanta me teatrin apo dhe punën me kinematografinë , rolin në filmin “Balada e Kurbinit” apo dhe rolet e tjerë në filma.
-Në skenën teatrore erdhët me veprën “Biznesmeni”, ku roli juaj këtë herë ishte një nga njerëzit e drejtësisë që kishte dalë në pension. Vepra me regji nga Gëzim Kame ju riktheu në teatër, por ju edhe më parë keni pasur role të rëndësishme në veprat që regjisori ka vënë në skenë. Çfarë mund të na thoni këtë herë për bashkëpunimin tuaj me regjisorin Kame?
Unë kisha rreth shtatë vjet pa u aktivizuar në teatër. Gëzim Kame edhe më përpara më kishte propozuar për një rol në një tjetër shfaqje të tij që quhej “Terrori” dhe ishte një rol shumë i mirë, por nuk e pranova për arsye se mendoja: a do ti përgjigjesha në dy aspekte, edhe fizikisht dhe nga ana e memories. Ky rol ishte propozimi i dytë, por me Gëzimin ne kemi qenë jo vetëm kolegë, por dhe shumë miq në teatër. Unë kam punuar shumë në shfaqjet e tij më parë, por këtë herë mendova dhe të testoja veten time. Gëzimi më tha dy herë për rolin dhe rashë dakord. Filluam punën për veprën “Biznesmeni”, një shfaqje ku kishte dhe të tjerë aktorë të talentuar në role.
-Në vitin 1971 ju nisni punën në Teatrin Kombëtar. Vepra e parë për ju në atë institucion ka qenë drama “Arturo Ui” me regji nga Pirro Mani. Çfarë ruani nga ajo kohë nga puna që bëhej me shfaqjen?
Atë kohë në teatër i kam gjetur artistët duke punuar me shfaqjen “Arturo Ui”, dramë e Bertolt Breht, por që është një nga shfaqjet më të mëdha të historisë së teatrit tonë kombëtar dhe regjisor ishte Pirro Mani. Kur hyra në studion e punës regjisori më ka futur drejt e në rol. Me shfaqjen “Arturo Ui” kam filluar punën që ditën e parë që kam shkelur në teatër dhe ishte 2 janar i vitit 1971, por ka qenë dhe një moment pak i vështirë për mua. Roli që kam luajtur në atë vepër ishte Flejku. Kishte tre skena, por nuk ishte në rolet e para që i kishin aktorët si Kadri Roshi që kishte rolin Arturo Ui, apo Ndrek Luca, Prokop Mima, Suljeman Pitarka, Violeta Manushi apo Drita Pelinku. Ishte me të vërtetët një vepër e kalibrit botëror. Një shfaqje që u prit jashtëzakonisht mirë në atë kohë dhe u dha shumë herë në skenë, ku salla ishte plot me publik. Ishte një shfaqje gjigande dhe atje është një punë e madhe artistike me nivel të lartë, duke filluar nga regjia, skenografia apo dhe aktorët që ishin fantastikë.
-Ju keni rreth 96 role në teatër. Ndër sukseset në teatër ngelen kryerolet Isa Boletini (“Udha e flamurit”), Abdyl Frashëri (“Epoka para gjyqit”), Gjenerali (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur), Inskerdoja (Monserati) dhe të tjerë role. Po ku janë momentet tuaja më të veçanta?
Unë kam luajtur në teatër personazhe historikë të njohur dhe personazhe që të vinin përpara një përgjegjësie të madhe, sepse përshembull te “Udha e flamurit” kam lozur Isa Boletinin, Abdyl Frashërin te “Epoka para gjyqit”, por dhe personazhe të tjerë kanë qenë të mirëskalitur nga ata që i kanë shkruar. Unë ruaj kujtime shumë të mira. “Udha e flamurit” është bërë dhe film dhe aktori Reshat Arbana e ka lozur shumë mirë, por tjetër gjë ka qenë roli i tij dhe i imi. Teatri dhe filmi kanë ndryshime të mëdha. Filmi të bën më të njohur, sepse brenda një nate e shikojnë më shumë njerëz dhe te teatri duhet të jesh prezent në sallë, apo roli i Abdyl Frashërit që është vlerësuar dhe unë kam pasur dhe dublantë. Por për moshën e re që kisha dhe stazhin e paktë atë kohë për mua ishte një vlerësim i lartë.
-Ju keni qenë me role dhe në veprat kombëtare, por sipas dramaturgëve sot është problem pasi duhet më shumë stimulim për krijimtarinë për zhvillimin e saj. Për ju sa po bëhet për krijimtarinë shqiptare?
Mua më bën çudi që dramaturgët shqiptarë po ndihen pak, sepse po nuk po prodhojnë si dikur drama. Dikur kur mundësitë kanë qenë shumë të limituara, sepse ishte ideologjia e partisë që të bënte kontrollin e parë, komisionet që do kalohej, etj, shkruani drama shumë të mira. Shkruante Ruzhdi Pulaha, Kol Jakova, Bashkim Kozeli, etj, dhe shkruanin drama me cilësi. Por tani sikur janë më të ngurruar, nuk e di çfarë i frenon aq më tepër që sot kemi problematika që nuk kanë qenë në atë kohë dhe ke material sa të duash për të shkruar dramën. Por këtu dua të përmend Stefan Çapalikun që shkruan drama, sigurisht edhe ai ka mënyrën e tij të shkruarit. Mendoj se ka dy arsye për problemet sot. E para është një mungesë vlerësimi për dramën shqipe. Do shkruash një dramë, po sa paguhet një autor? Besoj jo sa duhet për krijimtarinë e tij. E dyta është një preferencë nga ana e regjisorëve të sotëm për të marrë drama të huaja dhe vënë në skenë.
-Për artistët dikur në rrethe ka pasur një jetë artistike teatrore më të pasur, sot jo më si dikur. Si ndihet nga kjo një aktor si ju që ka pasur një jetë artistike aktive si para viteve ’90, por dhe pas kësaj periudhe?
Teatri dikur ka pasur shumë aktivitete. Të gjitha rrethet, Shkodra, Korça, Durrësi, Fieri deri dhe Gjirokastra kishte teatër, Dibra kishte teatër profesionist që kishin repertorin e tyre. Shfaqje dhe aktivitete me njerëz që i ndiqnin dhe i vlerësonin shumë artistët. Në atë kohë ne si artistë kemi qenë shumë të vlerësuar në të gjitha aspektet, teatri na bëri të njohur dhe vlerësuar. Por tani gjërat kanë ndryshuar.
-Një galeri e pasur rolesh, kë do donit të rikthenit në skenë?
Kam disa role, natyrisht jo të gjitha rolet i kam bërë me shumë dëshirë, sepse para ’90-tës dhe të thonin do bësh këtë rol. Kur kam ardhur në fillim në teatër si element i ri që isha regjisorët më jepnin role pozitive në atë kohë, por që ishin nga më skematikët. Te roli pozitiv autori nuk lëvizte dot, kurse roli negativ ishte më liberal dhe nga ana artistike nuk çalonin siç çalonin rolet pozitivë. Rolin ta kërkonin ta bëje, por dhe të vlerësonin më shumë me atë rol.
– Krahas teatrit keni marrë pjesë në disa filma artistikë. Si ka qenë rruga juaj me kinematografinë?
Rruga ime me kinemanë nuk ka pasur shumë prodhimtari. Unë kam bërë disa filma, por dua të përmend dy prej tyre. “Këmishët me dyll” me regji Besim Kurti apo dhe “Balada e Kurbinit” ku isha me rol komandant turk me kalë, që thonin është kali i Petrit Dumes. Ato dy role, si dhe të tjera në film janë vlerësuar, por kur vinte puna kur fillonin filma të tjerë seç kishte një ngurrim tek regjisorët që nuk arrija ta kuptoja. Por një gjë është e vërtetë që regjisorët kishin krijuar grupet e tyre, kishin njerëzit e tyre, aktorët e tyre të preferuar.
-Çfarë mund të na thoni për filmat e prodhuar në Kinostudio, pasi herë pas here rikthehet diskutimi nëse duhet të shfaqen apo jo disa prej tyre?
Filmat e Kinostudios për mua përfaqësojnë një epokë, një histori më vete. Kjo bën pjesë në historinë e kinematografisë shqiptare dhe në këtë histori duhet t’i ruash të gjitha, duhet ti shfaqësh filmat. Pse nuk do ti shfaqësh? Do të ringjallet komunizmi po panë ato filma. Por provo të bësh filmin “Lulëkuqet mbi mure” që nuk bëhet dot sot apo dhe të tjerë filma të asaj kohe si “Ballë për ballë”. Nuk bëhen dot dhe për mungesë financash, sepse për artin dhe kulturën jepen pak para. Shteti i asaj kohe financonte, sepse i shërbente ideologjisë së partisë, etj, por dhe sot i shërben shoqërisë sonë se ka shumë probleme.
-Regjisori Gëzim Kame te një intervistë ka shprehur se politikanët nuk vijnë në teatër, sepse shikojnë veten e tyre. Ju çfarë mund të na thoni?
Kjo është e vërtetë. Kam pasur rast te një darkë që na kishin mbledhur dhe ishte dhe një ministër, dhe aty i them nuk kemi ndonjë simpati të madhe për ju, sepse ju keni filluar na zëvendësoni neve tani. Po e luani ju teatrin sot. Parlamenti është kthyer në teatër, cirk, estradë. Pra këta janë politikanët. Edhe te vepra “Biznesmeni” trajtohej problemi i drejtësisë së munguar, janë dhe biznesmenët që janë bërë yje sot, por si janë bërë? Në çfarë rruge kanë shkelur që janë bërë kështu, nëpërmjet krimit, mashtrimit, korrupsionit këto dy tema trajtohen në vepër. Por ishte shfaqje që përveç dramës kishte dhe vallëzimin, humorin.
-Çfarë duhet bërë më shumë për teatrin?
Problemi më i madh sot është mungesa e vëmendjes nga shteti ndaj teatrit. Që të bësh teatër do investim, ne kemi pasur raste që kemi shkuar edhe në vendet fqinje dhe kur na kanë treguar për buxhetet e tyre jemi çuditur. Për teatrin duhet investuar dhe nga ana financiare dhe nga ana shpirtërore dhe ndërgjegja jote si politikan, si shtetar, si njeri që ke marrë përsipër të rregullosh gjërat në këtë vend me halle. Sikur njëra nga këto të mungojë teatri do të vijojë të çalojë, kështu si po e shohim sot.
-Një këshillë që keni për të rinjtë në rrugën e artit?
Nëse do ti futen rrugës së teatrit ta bëjnë atë punë me dashuri, mos ta bëjnë as për të përfituar ndonjë rrogë as për të justifikuar qënien e tyre në jetë. Artisti dhe sportisti o duhet të bëhet dikushi ose mos bëhet fare.
Intervistoi: Julia Vrapi