Historia në Tiranë e një prej artistëve më të njohur europianë tashmë në një libër. Mes notash e rreshtash, zbulohet një tablo tjetër e Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, ku kultura dhe arti ravijëzojnë një nivel të lartë për kohën. Promovimi i librit “Kompozitori Bojan Adamic në Shqipëri” me autor akad. Vasil Tole u bë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ishin të pranishëm ambasadori i Sllovenisë në Tiranë, z. Peter Japejl, zëvendësministre e Kulturës, znj. Lira Pira, familjarë të kompozitorit Bojan Adamic, akademikë, studiues, personalitete të artit e kulturës nga Shqipëria dhe Kosova, diplomatë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli e vlerësoi librin e akad. Vasil Toles si një zbulim të befasishëm për njohjen me Bojan Adamič, si një figurë e rëndësishme e kulturës europiane. “Kompozitori i shquar slloven Bojan Adamič ka punuar në Shqipëri në vitet 1947-1948 si pianist, orkestrues dhe kompozitor, pranë Orkestrës se Radio Tiranës dhe orkestrës se hotel “Dajtit”. Adamič e jetoi Shqipërinë e asaj periudhe me gjithë pasionin e madh të një artisti që kërkon të jetojë e të bëjë vepra që tashmë janë pjesë e një rrugëtimi të historisë së muzikës shqiptare”, tha Bardhyli. Ambasadori i Sllovenisë në Tiranë, z.Peter Japejl, vuri në dukje se veçoria e përbashkët e sllovenëve dhe shqiptarëve është se identiteti i tyre kombëtar u konsolidua ndër shekuj nga ruajtja me kokëfortësi e kulturës dhe gjuhës së tyre, edhe pse ata ishin të sunduar nga të tjerët. “Prezantimi i një libri për një burrë të madh që ka lidhur kombet tona përmes muzikës dhe që ndër të tjera ka aranzhuar kompozimet e kompozitores së parë shqiptare Dhora Leka, është më se një mënyrë adekuate për ta nderuar këtë”, tha ambasadori Japejl. Dr. Arian Leka e vlerësoi librin e për dëshmitë e veprës mbështetur në zëra të gjerë arkivistikë e bibliografikë, shumica e të cilave i shfaqen lexuesit për herë të parë. Promovimi u organizua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit; Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Teatrin e Operës dhe Baletit.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë