Piktori Aleksandër Filipi një nga autorët e mozaikut “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar shprehet se vepra glorifikon historinë shekullore të popullit tonë. Me restaurimin e mozaikut, plot 3 dekada pas asgjësimit të simboleve, është rihapur sërish debati nëse kjo vepër e realizmit duhej ruajtur në origjinal ose jo. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Aleksandër Filipi thotë se restaurimi është dhe art dhe shkencë dhe nuk ka për detyrë që të heq apo shtojë gjëra. Sipas tij, tani vepra është më e mirëmbajtur dhe më e fortë seç ishte më përpara. Piktori Aleksandër Filipi vijon se mozaiku “Shqipëria” te fasada e Muzeut Historik Kombëtar, duke qenë se u bë në atë kohë, por dhe sot po të bëhej kur bëhet fjalë për tema të rëndësishme siç është historia e kombit apo sinteza e historisë së kombit nuk mund të nisesh siç mund të bësh një natyrë të qetë në pikturë. Sipas tij restaurimi që u bë i shton jetëgjatësinë mozaikut. Ky restaurim u mundësua falë programit “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar u përurua në nëntor të vitit 1981. Vepra është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Programi “EU4Culture” shprehej në faqen e tij se u punua për 22 muaj për restaurimin e mozaikut. Aleksandër Filipi një nga autorët e veprës, gjatë fillimeve të karrierës së tij ka dhënë mësim në Akademinë e Arteve, ka qenë restaurator i pikturës bizantine si dhe profesor në liceun artistik të Beratit. Për disa vite ka punuar si piktor në Venezuelë. Pasi u kthye në Shqipëri shërbeu edhe si shef i departamentit të Arkitekturës dhe Arteve në një Universitet të Tiranës. Është vlerësuar me disa çmime, dhe veprat e tij ekspozohen në Shqipëri, Kosovë, Gjermani, Greqi, Itali, Francë, Spanjë, Venezuelë dhe SHBA.
-Jeni një nga autorët e mozaikut “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar dhe siç jeni shprehur restaurimi është art dhe shkencë. Për ju kjo ndërhyrje restauruese si ndikon për mozaikun, që u përurua bashkë me muzeun më 28 nëntor 1981?
Restaurimi është dhe art dhe shkencë dhe nuk ka për detyrë që të heq apo shtojë gjëra. Për mua qëllimi i restaurimit është që ta marrë veprën dhe ta ruajë dhe konsolidojë ashtu siç ajo është. Ky është princip shkencor i restaurimit. Duke u restauruar u konsolidua. Tani vepra është më e mirëmbajtur dhe më e fortë seç ishte më përpara. Tani materialet janë më moderne në ndërtim, ndërkohë që në kohën kur u bë mozaiku ishin më të kufizuara. Një ngjitje e mozaikut e rekomanduar atë kohë nga inxhinierët, që dhe për ata aq ishte mundësia e materialeve e asaj kohe. Edhe telat që u vunë për të mbajtur më mirë llaçin ishin hekur i zi, sepse nuk kishte dalë akoma inoksi. Në një masë të konsiderueshme këto gjëra u ndreqën.
-Mozaiku për vite me radhë u la pa ndërhyrje, duke shfaqur dhe problematika. Ju si një nga autorët ashtu si dhe të tjerët, jeni shprehur për restaurimin e saj, mirëmbajtjen, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet. Me restaurimin e mozaikut, tre dekada pas heqjes së simboleve është rihapur sërish debati nëse kjo vepër e realizmit duhej ruajtur në origjinal ose jo. Ju si një nga autorët, çfarë mund të na thoni?
Ishte një periudhë kur në vitin 1993 heqja e simboleve të komunizmit që u bë me vendim, u duartrokit pasi u mbarua kjo punë në parlament. Pastaj fillojnë flasin njerëzit me pikëpamje të ndryshme, shijesh, dhe kjo varet dhe nga sa mundësi që kanë të kenë pushtet. Por me dhënien e fondit nga BE për restaurimin e veprës, ku ne duam të bëhemi si ata, ambasadorja e BE-së në vendin tonë e mbylli fjalën në ceremoninë e inaugurimit që u bë pas restaurimit duke thënë….le të jetë ky fillimi i futjes në Europë të Shqipërisë. Unë fola në telefon dhe me kolegun tim Agim Nebiun, që u pyet dhe tha mirë është dhe kështu, nuk do të ndërrojnë spaletet për çdo qeveri që ndryshon. Gjërat të lihen ashtu. Është njëlloj sikur të marrësh pikturën egjiptiane, që është në epokën e Faraonëve dhe të thuash të hiqet ai simbol apo të vihet një simbol që ka lidhje me kohën e sotme. Ajo merret ashtu siç është, vjen nga historia është pjesë e trashëgimisë dhe e respekton ashtu siç të vjen nga historia, sepse ajo është trashëgimia jote. Unë e kam thënë dhe më parë që mozaiku “Shqipëria” te fasada e Muzeut Historik Kombëtar, duke qenë se u bë në atë kohë, por dhe sot po të bëhej kur bëhet fjalë për tema të rëndësishme siç është historia e kombit apo sinteza e historisë së kombit nuk mund të nisesh siç mund të bësh një natyrë të qetë në pikturë. Do bësh heroiken, sepse ajo është përballë gjithë kombit dhe natyrisht duhet të frymëzojë këtë problem rezistencën dhe ekzistencën. Në qendër ka një ecje më përpara me figurën me xhubletë që është një kostum 3 mijëvjeçar, që është jo vetëm shprehje e identitetit tonë, por dhe femra është simboli i së bukurës. Dhe duke simbolizuar një figurë shqiptare me femrën që është dhe simboli i së bukurës, edhe ideja e nënës, e ekzistencës, jetës ashtu dhe mbijetesës. Pushka ndoshta në dorën e asaj ishte pak më e evidentuar në atë epokë kur dhe femrat stërviteshin në të njëjtën mënyrë, por kjo nuk e cënon figurën e saj.
-Ka zëra që mozaiku duhej të ishte hequr dikur nga fasada dhe të futej brenda Muzeut Historik Kombëtar…
Këto zëra kanë 30 vjet që qarkullojnë dhe mund të vazhdojë , sepse gdhihet një njeri në mëngjes që thotë dua të hiqet. Por është përtej këtyre ekzistenca e gjërave. Po ti pyesësh 3 milionë banorë që jemi ne si popull, jam i bindur që të tërë do kishin mendjen e tyre veç e veç. Kjo me heqjen janë fjalë të kota, kjo punë mbaroi. U vendos dhe nga Europa, që kjo vepër duhet të jetë. Unë kam 23 vjet në Tiranë dhe nuk ia vlen ti rikthehemi këtyre debateve që bëhen sot me mozaikun. Ylli i madh që ishte pas saj, çfarë faji ka ngjyra e kuqe që u përdor dhe për periudhën e komunizmit kur është një ngjyrë shumë mbretërore, e kemi dhe të kuqen e flamurit, dhe të kuqen përdorur në motivet e pallateve mbretërore. Ishte ngjyra më shtrenjtë e kuqja dhe për ikonat që pikturoheshin në kohën e Onufrit. Në rast se do ishte lënë pa ndërhyrje mozaiku do të prishej. Pastaj do fillonin debatet pse u la të prishej etj, ashtu siç ka njerëz që thonë të restaurohet.
-Si ishte për ju si një nga autorët e veprës gjendja para restaurimit?
Çdo gjë që lind vdes. Kushtet e mozaikut, duke qenë se është përballë agjentëve atmosferikë çdo 24 orë dhe nivelit teknologjik të asaj kohe, detyrimisht që ajo do reflektonte pasoja dëmtimi, por çdo gjë po ta lësh ka një limit, që fillon dhe dekompozohet, prishet, etj, dhe aftësia e këtij kombi është që ta mirëmbajë historinë dhe kulturën e vet. Më vjen mirë tani dhe për largpamësinë e qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës për kontributin e tyre për të realizuar restaurimin e mozaikut. Ne e bëmë atë vepër dhe unë besoj që pas gjithë asaj pune që u bë, me bocete pa fund ku kishte dhe figura, ku ishte nënë, studentë, etj, e reduktuam pak nga pak dhe mendimi shkoi tek kjo formë emblematike, që në një farë mënyre glorifikon historinë e popullit tonë në mënyrë sintetike. Restaurimi i shton jetëgjatësinë mozaikut.
Intervistoi: Julia Vrapi