Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” mbërrin në Tiranë. Një festival garues, që pas Shkupit zhvillon edicionin e dytë në Tiranë. Festivali iniciativë e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit nis këtë mbrëmje, ku pjesë e tij janë vepra të autorëve të huaj, por dhe atyre shqiptarë. Altin Basha drejtor i Teatrit Kombëtar shprehet se në festival ka një ballafaqim mes regjisorëve shqiptarë dhe të huaj. Në intervistën për gazetën “SOT” drejtori Altin Basha flet për punën që është bërë që në fillimet e këtij festivali, vështirësitë për ta realizuar dhe prurjet në skenë. Sipas tij është shumë e rëndësishme që festivali përcakton në perspektivë, në mënyrë strategjike krijimin e një tregu të përbashkët teatror, ku trupat njihen me njëra-tjetrën, aktorët dhe regjisorët po ashtu. Me rëndësi sipas Bashës janë dhe bashkëprodhimet teatrore. Ai thotë se bashkëprodhimet kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm, por ato do të vazhdojnë. Drejtori Basha thotë se nga ky festival do të lindin dhe debate mbi perspektivën e dramës shqipe. Shfaqjet e festivalit “Moisiu” që nis këtë mbrëmje te “ArTurbina” do të kenë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve.
– Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” edicioni i dytë do të mbahet në datat 20-27 nëntor. Një festival i teatrit në kryeqytet në 8 mbrëmje, 15 trupa e shfaqje për publikun. Ky festival është iniciativë e Teatrit Kombëtar Shqiptar, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, me mbështetjen e ministrive të të tria vendeve. Çfarë mund të na thoni mbi rëndësinë e këtij festivali, për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona në fushën e teatrit?
Vjet kur është bërë Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” në qytetin e Shkupit, ne e kemi diskutuar që është shumë e rëndësishme që festivali të bëjë rrotacionin e parë. Kjo do të thotë, që pas Shkupit, Tiranës këtë vit, të kryhet dhe vitin tjetër në Prishtinë. Tre lokacionet e para, në mënyrë që festivali të krijojë traditën e vet. Sigurisht që ka gjithmonë një lloj meraku se si do t’ia dalim, do ta organizomë mirë, etj, sepse mbetet akoma e vështirë. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” është një festival i madh, me buxhet të madh, etj. A do të koordinojmë dot plotësisht të tre teatrot, a do të koordinojnë dot plotësisht të treja ministritë e Kulturës në tre vendet për financimin e tij, etj. Por është një kënaqësi momentin kur fillon festivali, sepse gjithë këto problematika janë të mbyllura. Nga ana tjetër fillojnë problematika të reja, ose më saktë detaje të reja të organizimit, të suksesit, të pjesëmarrjes së spektatorëve, etj. Por është shumë e rëndësishme që festivali përcakton në perspektivë, në mënyrë strategjike krijimin e një tregu të përbashkët teatror. Krijimin e një tregu të madh teatror, ku trupat njihen mirë me njëra-tjetrën, aktorët po ashtu, regjisorët gjithashtu. Në këtë mënyrë ne të krijojmë një fluks, një fuzion të vlerave të krijimtarisë e të ideve, në mënyrë që të teatri të çohet përpara. Sigurisht që duke qenë garues ai përcakton dhe më të mirët, kështu që mezi pres të shoh se si do të jenë vendimet e fundit të jurisë. Pothuajse të gjitha shfaqjet teatrore që janë në këtë festival unë i kam parë. Presim të shohim në skenë dhe “Shtëpinë Zotit”, që është kooproduksion i joni, gjithashtu pjesë e paketës së festivalit “Moisiu” dhe mendoj që është një nga gjetjet më të rëndësishme të festivalit, ku vazhdon pikërisht këtë filozofi për të cilën unë ju fola.
-Festivali më shumë se sa një garë, është dhe shkëmbim eksperiencash dhe zgjerimi i network-ut të trupave teatrore. Mbrëmja e fundit e festivalit ka rezervuar premierën përshëndetëse “Shtëpia e Zotit” bashkëprodhim mes tre teatrove. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi bashkëprodhimet. A do vijojnë mes tre teatrove apo do të ngelen me një shfaqje siç është rasti në festival?
Bashkëprodhimet teatrore do të vazhdojnë. Madje dhe brenda festivalit ne kemi bashkëprodhime mes Prishtinës, kemi bashkëprodhimin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” me Qendrën Multmedia të Jeton Nezirajt, që është shfaqja teatrore “Gadjo”, bashkëprodhimi i “Moisiut” dhe kjo përmirëson klimën, e mban gjallë, sepse shqetësimi jonë i vazhdueshëm ka qenë që bashkëprodhimet ose bashkëpunimet teatrore kanë qenë spontane. Kanë ndodhur, por nuk kanë pasur një kalendar, një proces që më pas të prodhojë ngjarje të tjera të përbashkëta. Duke qenë pjesë e festivalit teatror “Moisiu”, ky sigurisht krijon mekanizmin e procesit dhe në këtë kuptim e kemi shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër vendosja e regjisorit Ilir Bokshi, i cili është një regjisor që ka punuar mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, njihet mirë nga aktorët e të tria trupave teatrore dhe i njeh mirë gjithashtu dhe ai vetë ato, mendoj që është një çelës suksesi, por besoj që ai ka krijuar një shfaqje spektakolare të një natyre tjetër nga ç’jemi mësuar të shohim në teatrot tona.
-Festivali i teatrit “Moisiu” nis edicionin e dytë këtë vit në Tiranë më datë 20 nëntor, por është bërë me dije se hyrja do të jetë e lirë për publikun për të parë shfaqjet teatrore në programin e tij…
Hyrja për publikun për të parë shfaqjet teatrore në festival do të jetë e lirë, sepse ne kemi dëshiruar që mos të bëhemi pengesë me rregullat tona, shitja e biletave, etj. Donim ta linim të lirë dhe ta bënim të aksesueshëm për këdo festivalin, sidomos për studentët dhe për të rinjtë.
-Mbi gjendjen e teatrit shqiptar herë pas here artistët kanë pohuar se duhet të zhvillohen dhe diskutime, por a do të jenë ato pjesë e këtij festivali?
Gjatë ditëve të festivalit në hollin e Teatrit Kombëtar do të ketë çdo ditë debate, ku do të marrin pjesë personalitete të njohur të fushës së letërsisë, gazetarisë, kritikës teatrore, prodhimit teatror shqiptar dhe sigurisht pedagogë të arteve dhe studentë, ku do të flitet për teatrin.
-Sipas jush sa kanë rëndësi debatet mbi zhvillimin e teatrit shqiptar?
Në festival janë 15 trupa. Janë nëntë shfaqje teatrore me dramaturgji shqiptare që mund ta konsideroj një nga sukseset më të rëndësishme të festivalit këtë. Mendoj që nga ky festival do të lindin dhe debate mbi perspektivën e dramës shqipe, kështu që në këtë kuptim jam shumë entuziast dhe mezi pres ti dëgjoj debatet.
-Ju e theksoni rëndësinë e dramës shqipe, por Kosova e ka një konkurs të dramës shqipe “Katarina Josipi”, që zhvillohet prej vitesh. Në Shqipëri ende nuk është edhe pse herë pas here autorë, regjisorë, etj, janë shprehur për dramën shqipe dhe vëmendjen që duhet ndaj saj. Si e shikoni këtë?
E pranoj që nuk kemi bërë shumë hapa të mirë në këtë drejtim, por do duhet patjetër ta themelojmë këtë konkurs. Edhe në bisedat që kemi bërë ka një dakordësi nga Ministria e Kulturës për ta pasur këtë, por do na duhet ta ndjekim dhe adresojmë, sepse është një vlerë e shtuar që i bën vërtetë mbështetje, i bën suport real dramës shqipe.
-Ju thatë që keni parë pothuajse të gjitha veprat që marrin pjesë në festival, por si regjisor i teatrit çfarë ka spikatur në këto prurje?
Mendoj që ka vepra të mëdha, por ka dhe vepra shumë interesante të krijuara në atë që mund ta quajmë në tiparet e teatrit të pavarur. Nga ana tjetër ka shumë këndvështrime regjisoriale dhe kjo është interesante në këtë festival që do të ketë shumë diversitet. Ka një ballafaqim mes regjisorëve shqiptarë dhe të huaj, sepse disa nga veprat janë të realizuara nga regjisorë të huaj siç është shfaqja e Prishtinës “1984” dhe e Tiranës “Vojcek”. Janë krijuar nga dy regjisorë me diferencë të madhe moshe, përveç kësaj dhe shfaqjet e tjera pjesëmarrëse gjithashtu janë njëra më interesante se tjetra. Ka dramaturgji nga klasikja te më modernia dhe dramaturgë të tjerë bashkëkohorë. Kështu që e shoh shumë shpresëplotë kalendarin e festivalit dhe jam i bindur që do të ketë surpriza për spektatorët, por dhe për jurinë besoj do jetë vështirë për të dhënë çmimet.
-Si drejtori i Teatrit Kombëtar, çfarë mund të na thoni për aktivitetin artistik, si po mbyllet ky vit?
Jam i kënaqur me punën që është bërë. Kemi pasur disa produksione, që në një kuptim kanë një tendencë për të ndryshuar estetikën teatrore të TK. Kemi akoma punë për të bërë, deri në fund të vitit do të vazhdojmë të prodhojmë shfaqje teatrore dhe besoj do ta kemi një vit më të mirë vitin që vjen.
Intervistoi: Julia Vrapi
Festivali “Moisiu” në Tiranë
Ky ballafaqim veprash në festival, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Përpara nisjes së festivalit, në fjalën e tyre, drejtuesit e teatrove tona, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeta (Teatri Kombëtar i Kosovës) theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e teatrit. Shqipëria ka një anëtare jurie, aktoren Yllka Mujo, ndërsa nga dy anëtarë dy teatrot e tjerë. Teatri Shqiptar i Shkupit ka angazhuar aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili. Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të mbyllet me bashkë prodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit” me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë garës. Çmimet që do të ndahen në festival janë: Shfaqja më e mirë; Regjia më e mirë; Aktori më i mirë; Aktorja më e mirë; Aktori i dytë më i mirë; Aktorja e dytë më e mirë ; Aktori i ri ose aktorja e re më e mirë; Skenografia më e mirë; Kostumografia më e mirë; Kompozitori ose kompozitorja më e mirë; Çmimi i dramës shqipe; Çmimi i karrierës. Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, në Prishtinë